top of page

Sipas meje, ky do të hyjë në histori si Revolucioni i parë që e bëjnë të gjithë “kundërshtarët” bashkë….



Për mua ky është Revolucioni “Ata janë Bashkë”…


Elita të vjetra e të reja, liderë të vjetër e të rinj, parti të vjetra e të reja, xhambazë të vjetër e të rinj, ish hajdutë, hajdutë e pretendent hajdutë, të gjithë bashkë, për herë të parë të gjithë bashkë në të njëjtin shesh.


Madje për herë të parë, janë bashkë me të gjithë këta të mësipërmit, edhe dhjetra mijëra qytetarë të mirë, të ndershëm që dalin aty se kanë “plagën e vërtetë” që i thërret.


Por prapë bashkëjetesa në të njëjtin shesh e qytetarëve që dalin për plagën e zuzarëve që dalin për plaçkën, është edhe fuqia e njëkohësisht edhe hileja më e madhe e këtij Revolucioni.


Sepse po të mos jenë qytetarët me plagën, nuk ka gravitacion, vibracion, fibër, emocion, besueshmëri, tërheqshmëri ky Revolucion..


Ama po mos të jenë zuzarët që dalin për plaçkën, nuk ka karburant, logjistikë, kamera, media, PR, marketing, shkëlqim, komëbtarizim e ndërkombëtarizim, ky Revolucion..


Pa qytetarin me plagë, nuk ka besueshmëri. Pa zuzarët me plaçkë, nuk ka makineri.


Do vazhdojë për sa kohë zuzarët të kenë nevojë të ndajnë pazaret….


Pastaj, të parat do të ikin mediat ndërkombëtare, pastaj avash avash do bien studiot e do zihen hapësirat mediatike me të tjera lajme, pastaj do ikin dalëngadalë mjetet, karburanti, do bjerë ndriçimi, do e dredhin gazetarët e analistët, do ikin me pushime VIPat, do fshihen zuzarët, derisa aty të mbeten të vetmuar me plagën e tyre qytetarët…


Fatkeqësisht…


Nuk dua të bëj Kasandrën, gjithësesi nuk më lë ndërgjegja të hesht…


Ah po, dhe intelektualët që folën e shkruajtën këto ditë për zgjimin e madh kombëtar e dinjitetin kolektiv, do shkruajnë pafund artikuj e libra në vijimësi për humbjen e një shansi historik….


Ja kaq…

 
 
 
bottom of page