top of page

Skënderbeu nuk ka para të mbrohet!


Nga Arian Galdini


Skënderbeu nuk ka para të mbrohet.


Nuk ka studio televizive. Nuk ka portal.

Nuk ka buxhet komunikimi.

Nuk ka patronazhistë që t’i shpërndajnë fjalën.


Nuk ka militantë që t’i ruajnë statujën në rrjet.

Nuk ka oligarkë që t’i blejë mbrojtës.


Nuk ka parti që të fusë “ata që duan të ngjiten lart” në listë.


Nuk ka mikrofon në shesh.

Nuk ka zyrë shtypi.


Nuk ka as mundësi të dalë e të thotë se nuk është pronë e askujt.


Ka vetëm emrin.


Dhe pikërisht sepse ka vetëm emrin, të gjithë duan ta marrin hua.


Ky është fati i çuditshëm i heronjve të vdekur.


Sa më shumë largohen nga trupi, aq më shumë afrohen te pazari i të gjallëve.


Nuk mund të kundërshtojnë.


Nuk mund të sqarojnë.


Nuk mund të ndalin askënd në mes të fjalisë dhe t’i thonë, mos më përdor për të fshehur veten.


Prandaj heroi i vdekur është i përsosur për kohët e zhurmës.


Mund ta thërrasë pushteti kur kërkon madhështi pa llogari.


Mund ta thërrasë opozita kur kërkon turmë pa pendesë.


Mund ta thërrasë protesta kur kërkon zemërim pa mandat.


Mund ta thërrasë media kur kërkon konflikt.


Mund ta thërrasë rrjeti kur kërkon zjarr.


Mund ta thërrasë matrapazi i zemëratës kur kërkon të blejë një ditë të re me plagën e dikujt tjetër.


Heroi nuk përgjigjet.


Kjo është arsyeja pse e duan kaq shumë.


Një hero i gjallë është i rrezikshëm. Ai pyet.


Ai kundërshton. Ai mund të thotë jo.


Mund të prishë pazarin.


Mund t’i kthejë sytë nga ata që e mbrojnë dhe t’i pyesë nëse po e mbrojnë për të vërtetën apo për pronësinë e flamurit.


Heroi i vdekur nuk i bën dot këto.


Prandaj mund të shitet edhe duke u sharë, edhe duke u mbrojtur.


Sharësi i Skënderbeut dhe mbrojtësi me pagesë i Skënderbeut duken si armiq, por shpesh jetojnë nga i njëjti treg.


Njëri e godet heroin për të ndezur konflikt.


Tjetri e mbron për të marrë pronësinë e patriotizmit.


Njëri prodhon skandal.


Tjetri prodhon rreshtim.


Të dy kanë nevojë që heroi të mos jetë më njeri, as histori, as kriter, por material i nxehtë për përdorim.


Kështu heroi kthehet në mall.


Jo në tregun e sendeve, por në tregun më të rrezikshëm: tregun e zemërimit kombëtar.


Skënderbeu rrezikohet nga ai që e shan, por edhe nga ai që e mbron për ta pronësuar.


Nga pushteti që e vendos në ceremoni për të fshehur dokumentin.


Nga opozita që e thërret për të mbledhur turmë.


Nga protesta që mund ta kthejë në thirrje pa mandat.


Nga media që e nxjerr në debat vetëm kur i duhet konflikt.


Dhe mbi të gjitha, rrezikohet nga ne, kur e duam në gojë, por nuk e duam si gjyq.


Sepse Skënderbeu nuk është dekor kombëtar.


Është provë karakteri.


Nuk mjafton ta thërrasësh.


Duhet të pyesësh nëse mund ta mbash peshën e tij.


Nuk mjafton ta vendosësh në flamur.


Duhet të pyesësh çfarë nuk ke shitur kur të është ofruar shitja.


Nuk mjafton ta përdorësh si emër kundër tjetrit.


Duhet të pyesësh çfarë nderi ke mbajtur kur nderi kishte kosto.


Popujt nuk provohen vetëm nga mënyra si i nderojnë heronjtë.


Provohen nga mënyra si nuk i përdorin.


Këtu fillon gjyqi ynë.


Shqipëria ka shumë zë për Skënderbeun, por jo gjithmonë ka mjaft karakter për ta dëgjuar.


E thërret kur i duhet madhështi.


E mbron kur i duhet konflikt.


E shan kur i duhet provokim.


E ngre në ceremoni kur duhet dekor.


E sjell në studio kur duhet sherr.


E hedh në rrjet kur duhet rreshtim.


Por rrallë e lë të pyesë atë që duhet të pyesë, çfarë jeni bërë me lirinë që thoni se ai përfaqëson?


Skënderbeu nuk është kujtim që qetëson.


Është gjyq që shqetëson.


Ai nuk na pyet sa herë kemi bërtitur emrin e tij.


Na pyet sa herë kemi refuzuar të bëhemi të vegjël përpara interesit.


Nuk na pyet sa flamuj kemi ngritur.


Na pyet sa herë nuk e kemi përdorur flamurin për të mbuluar pazarin.


Nuk na pyet sa ceremoni kemi bërë.


Na pyet sa herë kemi mbrojtur qytetarin kur qytetari nuk kishte mikrofon, parti, pronar, sponsor, studio apo turmë.


Prandaj Skënderbeu është i rrezikshëm për çdo pushtet që do ta përdorë.


Jo sepse vjen me shpatë.


Por sepse vjen me kriter.


Një pushtet që kërkon ta marrë hua Skënderbeun e do heroin pa pyetjen e tij.


Do emrin, jo barrën.


Do statujën, jo gjyqin.


Do flamurin, jo karakterin.


Do ceremoninë, jo dokumentin.


Do bronzin që nuk flet, jo kujtesën që kërkon llogari.


Edi Rama nuk është i pari që e kupton këtë. As i fundit.


Por në kohën tonë, pushteti e ka kthyer këtë mjeshtëri në regji të përditshme.


Pyetja nuk merr përgjigje, merr skenë.


Dokumenti nuk trajtohet si e drejtë e qytetarit, trajtohet si bezdi ndaj ritmit të pushtetit.


Kërkesa për llogari paraqitet si pengesë ndaj një të ardhmeje që duhet besuar para se të lexohet.


Dhe kur e ardhmja duhet besuar para se të lexohet, historia thirret për dekor, jo për kujtesë.


Skënderbeu në këtë regji nuk është hero.


Është sfond.


Është flamur i madh mbi një tryezë ku qytetari kërkon letrën.


Është emër që hidhet në ajër sa herë toka, prona, bregu, mjedisi, dinjiteti publik dhe e drejta e njeriut kërkojnë të mos trajtohen si sende pa kujtesë.


Por kjo nuk është vetëm punë pushteti.


Edhe protesta mund ta marrë hua heroin.


Edhe sheshi mund ta përdorë Skënderbeun pa e mbajtur barrën e tij.


Edhe mikrofoni mund të bëhet pushtet i vogël mbi plagë të madhe.


Edhe flamuri mund të ngrihet jo për të mbrojtur qytetarin, por për ta marrë qytetarin me vete pa e pyetur.


Edhe zemërimi mund të duket i pastër vetëm sepse ende nuk ka marrë vulë pushteti.


Ka një ndryshim të madh midis qytetarit që zemërohet dhe matrapazit që jeton nga zemërata.


I pari kërkon drejtësi.


I dyti kërkon pronësi mbi revoltën.


I pari kërkon dokumentin.


I dyti kërkon foltoren.


I pari pyet kush firmosi, kush përfitoi, kush heshti, kush e ktheu tokën në marrëveshje dhe Republikën në zyrë shërbimi.


I dyti pyet kush do ta marrë mikrofonin pasi plaga të ketë mbledhur njerëz.


Skënderbeu nuk mund të jetë prokurë për askënd.


As për pushtetin.


As për protestën.


As për foltoren.


As për studion.


As për rrjetin.


As për ata që jetojnë nga ndërrimi i pronarëve të zemërimit.


Kush e përdor Skënderbeun për të marrë qytetarin hua, nuk është trashëgimtar i tij.


Është tregtar i kujtesës së tij.


Kjo është arsyeja pse patriotizmi nuk mund të mbetet zhurmë.


Zhurma e bën heroin të lehtë.


Urtia ia kthen peshën.


Zhurma e ngre flamurin shpejt.


Urtia pyet kush po e ngre, për çfarë, në emër të kujt, me çfarë mandati dhe me çfarë kostoje.


Zhurma kërkon brohorimën.


Urtia kërkon karakterin.


Urtia nuk është ftohje e dashurisë për kombin.


Është mbrojtja e saj nga tregtarët e nxehtësisë.


Urtia nuk e ul flamurin.


E shpëton flamurin nga duart që e ngrenë vetëm kur duan të mbulojnë pazarin.


Urtia nuk e zbut Skënderbeun.


E mbron nga ata që e bëjnë dekor të mungesës së tyre të nderit.


Një Shqipëri që mendon nuk e thërret Skënderbeun për ta përdorur.


E dëgjon si kriter.


Ajo e di se Skënderbeu nuk është vetëm shpatë.


Është kujtesë politike se një vend i vogël mund të ruajë dinjitetin kur nuk shet veten.


Është kujtesë se Perëndimi nuk është modë diplomatike, por horizont qytetërimor.


Është kujtesë se liria nuk mbahet me zhurmë, por me karakter, urti, aleancë, besë dhe aftësi për të mos u bërë plaçkë.


Prandaj Skënderbeu nuk mund të përdoret kundër Perëndimit.


Ai është një nga emrat me të cilët Shqipëria e kuptoi veten si pjesë të tij përpara se të kishte gjuhën moderne të shtetit.


Kush e përdor Skënderbeun për të ushqyer urrejtje kundër lirisë, ligjit, dinjitetit të njeriut dhe kufirit të pushtetit, nuk po e mbron.


Po ia vjedh drejtimin.


Perëndimi nuk është dekor në këtë histori.


Është pyetja nëse Shqipëria do të jetë vend ku pushteti ka kufi, dokumenti ka vlerë, qytetari ka dinjitet, prona nuk trajtohet si plaçkë, besimi nuk kthehet në urrejtje dhe heroi nuk përdoret si maskë për mungesën e karakterit.


Kjo është trashëgimia që dhemb.


Sepse është më e lehtë të duash Skënderbeun si statujë sesa ta pranosh si gjyq.


Statuja nuk të kërkon të ndryshosh.


Gjyqi po.


Statuja mund të vendoset në shesh dhe të përdoret nga të gjithë.


Gjyqi hyn në ndërgjegje dhe pyet secilin, çfarë nuk shite? Çfarë nuk dorëzove? Çfarë mbrojte kur mbrojtja nuk të sillte as votë, as tender, as ekran, as duartrokitje?


Një popull që e do heroin vetëm për ta thirrur, e lodh heroin.


Një popull që e dëgjon heroin si kriter, fillon të rritet.


Sot shfaqen në sheshe ata që e shajnë çdo ditë Skënderbeun tonë, e lëvdojnë Presidentë të huaj, si frymëzim e motivim.


Por këngët e Albulenës e Skënderbeut i përdorin të gjithë ama, në video e reelsa, në çdo rrjet social.


Nuk paragjykoj jo.


Mund të jetë thirrje e nderit.


Mund të jetë maskë e plaçkës.


Mund të jetë kujtesë e lirisë.


Mund të jetë zhurmë për të mbuluar dokumentin.


Mund të jetë zemërim i drejtë.


Mund të jetë treg i zemëratës.


Prandaj nuk më bind ai që e thërret më fort Skënderbeun.


Më bind ai që nuk e përdor.


Më bind ai që nuk e shet qytetarin në emër të tij.


Ai që nuk e fsheh dokumentin pas flamurit.


Ai që nuk e merr plagën si prokurë.


Ai që nuk e kthen revoltën në pronë.


Ai që nuk e bën Perëndimin kostum kur do legjitimitet dhe armik kur do turmë.


Ai që nuk e përdor Zotin, kombin, heroin, flamurin dhe vuajtjen e njerëzve si shkallë për t’u ngjitur mbi të tjerët.


Heroi nuk mbrohet nga zhurma e atyre që paguhen për ta mbrojtur.


Mbrohet nga karakteri i atyre që nuk e përdorin.


Kjo është beteja më e vështirë e një populli me kujtesën e vet.


Jo të ketë heronj, por të mos i kthejë heronjtë në plaçkë.


Jo të ketë flamur, por të mos e bëjë flamurin perde.


Jo të ketë histori, por të mos e përdorë historinë për të ikur nga përgjegjësia e sotme.


Skënderbeu nuk ka para të mbrohet.


Prandaj është në mëshirën tonë, në gojën tonë, në pushtetet tona, në protestat tona, në zemërimet tona, në karakterin tonë.


Dhe ndoshta këtu ndodh gjyqi më i madh.


Jo te pyetja nëse e kemi Skënderbeun.


Atë e kemi. E ka historia. E ka kujtesa.


E ka emri. E ka flamuri.


E ka gjuha jonë publike sa herë kërkon të duket e madhe.


Pyetja është nëse Skënderbeu na ka ne.


Nëse ka ende shqiptarë që nuk e marrin hua për të fshehur shitjen e tyre.


Nëse ka ende qytetarë që nuk e përdorin për të mbuluar mungesën e mandatit.


Nëse ka ende njerëz që e kuptojnë se heroi nuk është stoli e zemërimit, por barrë mbi karakterin.


Skënderbeu nuk mund të rrojë më në trup.


Mund të mbetet vetëm si gjyq mbi ne.


Në karakterin e një vendi që nuk shet veten.


Në qytetarin që nuk merret hua.


Në fjalën që nuk blihet.


Në mendjen që nuk dorëzohet.


Në Shqipërinë që nuk e përdor heroin për të ikur nga përgjegjësia, por e dëgjon si masë të vetvetes.


Sepse heroi i vdekur nuk ka para të mbrohet.


Ka vetëm ne, nëse nuk jemi shitur ende.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page