Sot 1 vit pa ty…

Çfarë humbet një bir
Nga Arian Galdini
Për babanë tim kam qenë një njeri përpara se të mund të thosha «unë».
Një pjesë e fëmijërisë sime ishte kujtim i tij, ashtu si një pjesë e fëmijërisë së Davidit e Martinit është sot kujtim i imi.
Edhe sikur im atë të m’i kishte treguar të gjitha, unë prapë do të mbaja mend tim atë duke më folur.
Ai mbante mend fëmijën.
Sa ishte gjallë, një zgjedhje e imja mund t’i sillte ndër mend diçka që kishte vënë re tek unë shumë kohë përpara se ta kuptoja vetë.
Ajo që do të bëja nesër mund t’i jepte arsye ta shihte ndryshe fëmijën që kishte njohur dikur.
E shkuara ime kishte ende një të ardhme tek im atë.
Në pesëdhjetë e dy ditët e fundit të jetës, në reanimacionin e Kardiologjisë, kur nuk i ndiqte dot lajmet, im atë pyeste për Kosovën.
Më habiste.
Unë doja të dija si ishte ai.
Ai donte të dinte si ishte Kosova.
Sot mund t’i numëroj ato ditë mbrapsht, që nga 24 nëntori.
Këtë dijeni ma dha “fluturimi i tij” në Përtej.
Po t’i kujtoja vetëm sipas asaj që di sot, secila do të më dukej një ditë më pak me babanë.
Për të, secila mund të sillte një lajm që ende donte ta dëgjonte.
Atje, në reanimacion, ende po e njihja.
Im atë më la amanet t’i shërbej vendit.
Njeriu mbi të cilin do të bjerë pasoja e një vendimi tim mund të mos ketë dëgjuar kurrë për Pëllumb Saliajn.
Ai ka të drejtë të më pyesë pse zgjodha ashtu.
Ç’mund t’i kërkoj atij të bëjë me emrin e tim eti?
Edhe ai që më kundërshton është pjesë e vendit që im atë më kërkoi t’i shërbej.
Po të kem gabuar në dëm të tij, atij ia kam borxh ndreqjen.
Davidit e Martinit mund t’u tregoj për çfarë pyeste gjyshi i tyre.
Çfarë do të kishte parë ai tek ata kur të bëhen burra, këtë nuk do ta marr vesh.
Edhe sikur t’ia qëlloja përgjigjes fjalë për fjalë, po t’ua jepja në emër të gjyshit, djemtë e mi do të kishin dëgjuar dy herë të atin.
Sa ishte gjallë, mund të isha po kaq i sigurt se e dija ç’do të thoshte.
Atëherë mund ta pyesja.
Sot mund ta ruajmë aq besnikërisht zërin e një njeriu, sa t’i dëgjojmë edhe frymëmarrjen në mes të fjalisë.
Një ditë, Davidi ose Martini mund të dëgjojë kështu një fjalë timen dhe, nga malli për mua, t’i japë më shumë peshë nga sa i dhashë kur e thashë.
Nga ta dijë im bir nëse e kisha çuar deri në fund mendimin tim për të?
Ai mund të më dëgjojë sa herë të dojë.
Ndoshta do të ndërroja mendim po ta dëgjoja edhe një herë.
Këtë dua t’ua them sot, ndërsa mund të më përgjigjen të dy.
Nëse një ditë kuptojnë ndryshe diçka që ua kam mësuar vetë, do të doja të isha aty e të mësoja prej tyre.
Edhe sikur ajo ditë të vijë pa mua, e kanë që sot besimin tim.
Për besimin që im atë pati tek unë, sot di ta falënderoj më mirë se kur mund të më dëgjonte.
Amanetin e kam në dorë ta mbaj.
Për mallin nuk kam ndonjë detyrë që ta përmbush e të quhem i larë me të.
Bab, sot bëhet një vit që më merr malli të të tregoj çfarë po bëhet me mua.




Comments