top of page

Trashëgimtarët e Pushtetit…

Oct 29
2 min read

Nga Arian Galdini


Një republikë nuk shkatërrohet vetëm kur sundohet keq.


Shkatërrohet edhe kur çdo revoltë kundër sundimit përfundon në një mbledhje trashëgimtarësh.


Përplasjet brenda Partisë Socialiste po nxjerrin në sipërfaqe një të vërtetë të vjetër, pushteti i Edi Ramës ka prodhuar njerëz që e kundërshtojnë njëri-tjetrin, por nuk dinë ta përfytyrojnë shtetin jashtë zotërimit të tyre.


Transferimi i Veliajt është bërë shkak për grindje mes ministrash, deputetësh dhe mbrojtësish të dikurshëm të qeverisjes.


Shkresat kërkohen, sekretet kundërshtohen, ndërgjegjet politike zgjohen papritur.


Ndërkohë, mijëra qytetarë pa emër e pa mbrojtje publike nuk kanë pasur kurrë luksin që padrejtësia e tyre të shkaktojë përçarje në një grup parlamentar.


Në anën tjetër të skenës, opozita e vjetër, pretenduesit e rinj, lëvizjet e rrugës dhe organizimet studentore po përplasen rreth së njëjtës çështje, kush do të zotërojë zemërimin e shqiptarëve?


Sheshi po trajtohet si territor për t’u pushtuar.


Pakënaqësia si kapital për t’u trashëguar.


Revolta si mjet për të hyrë në një rend pushteti që askush nuk duket i gatshëm ta çmontojë.


Kjo është fytyra e Katovicës së Re.


Një sistem që mund të sakrifikojë drejtuesit, të ndërrojë kundërshtarët, të shpallë revolucionin e ardhshëm, madje edhe të lejojë rrëzimin e qeverisë, për sa kohë ruhet e paprekur e drejta e një pakice për të vendosur kush do të sundojë më pas.


E keqja më e madhe e një sundimi nuk është vetëm padrejtësia që kryen.


Është aftësia për ta mësuar shoqërinë ta kërkojë shpëtimin brenda të njëjtës padrejtësi.


Largimi i një kryeministri nuk është çlirim nëse vendin e tij e zë një pronar tjetër i Republikës.


Shqipërisë nuk i mungojnë trashëgimtarët e pushtetit.


I mungon fundi i trashëgimisë së sundimit.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page