top of page

Unë pres kthimin e katër komandantëve…

Sep 14
2 min read

Nesër në Hagë shpallet aktgjykimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.


Po e them sot, përpara vendimit, jam me katër Komandantët.


Pres shfajësimin, lirimin dhe kthimin e tyre në Kosovë.


Jo sepse historia u jep imunitet.


Sepse historia nuk mund të përdoret si provë faji.


Thaçi duhet të gjykohet për atë që provohet ndaj Thaçit.


Veseli për Veselin.


Selimi për Selimin.


Krasniqi për Krasniqin.


Pozita, uniforma, autoriteti dhe hierarkia vlejnë vetëm aq sa provojnë elementet juridike të përgjegjësisë së secilit.


Nuk janë fajësi në vetvete.


Drejtësia u përket edhe viktimave.


Dhimbja kërkon të vërtetën, nuk e zëvendëson provën.


Një proces penal mund të gjykojë njerëz.


Nuk mund të dënojë një popull, një ushtri dhe arsyen historike të një lufte.


Kosova luftoi për liri.


UÇK-ja ishte forca e asaj lufte çlirimtare.


Serbia e Millosheviçit solli represionin që NATO ndërhyri ta ndalte.


Amerika dhe Aleanca Atlantike nuk janë kundërthënie e kësaj historie, janë pjesë e çastit kur Kosova nuk mbeti vetëm.


Prandaj dashuria për UÇK-në dhe mirënjohja ndaj Shteteve të Bashkuara shkojnë bashkë.


Për mua janë pjesë të së njëjtës besnikëri, Kosova shqiptare, e lirë, demokratike dhe e lidhur përgjithmonë me Perëndimin.


Gjykata ka juridiksion mbi përgjegjësinë penale të katër njerëzve.


Nuk ka juridiksion mbi të drejtën e Kosovës për të qenë e lirë.


Pres lirimin e Hashim Thaçit.

Pres lirimin e Kadri Veselit.

Pres lirimin e Rexhep Selimit.

Pres lirimin e Jakup Krasniqit.


I pres në Kosovë.


Jo sepse ligji duhet të përkulet para historisë, por sepse askush nuk duhet të dënohet për atë që historia simbolizon, nëse Prokuroria nuk provon përtej standardit penal atë që i atribuon atij si individ.


Nëse ajo barrë nuk është përmbushur, vendi i katër Komandantëve nuk është më në Hagë.


Është në shtëpi.


Në Kosovën e lirë, shqiptare në shpirt, gjak, gjuhë e identitet, perëndimore në zgjedhje dhe mike të Amerikës në liri.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page