Vuçiçi ra. Po a ndryshoi Serbia?

Nga Arian Galdini
Më duket i nxituar entuziazmi për fitoren e Listës Studentore në Serbi.
Përse duhet të besojmë se një lëvizje që rrëzoi Vuçiqin do të jetë domosdoshmërisht më demokratike, më liberale, më meritokratike, më europiane dhe më perëndimore se ai e ç’kanë qenë aty para tij?
Sepse quhet studentore?
Sepse ka profesorë, mjekë, artistë dhe intelektualë në listën e kandidatëve?
Diplomat nuk garantojnë demokraci.
As rinia nuk garanton mendësi të re.
Përpara se të festojmë, le të pyesim:
Kush do ta drejtojë realisht Serbinë?
Kush do të kontrollojë pushtetin e ri?
Çfarë garancish ekzistojnë se premtimet për meritokraci nuk do të përfundojnë në një tjetër sistem besnikërish, rusofilësh, kinofilësh e antishqiptarësh?
Lista Studentore kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon mundësinë e rishikimit të marrëveshjeve dhe refuzon sanksionet ndaj Rusisë.
Anëtarësimin në BE nuk e ka përparësi të pakushtëzuar.
Për një orientim të qartë drejt SHBA-së dhe NATO-s nuk ka zotime bindëse.
Atëherë, çfarë po festojnë entuziastët e Shqipërisë?
Një Serbi pro demokracisë, lirisë dhe Perëndimit, apo një nacionalizëm të vjetër me përfaqësues të rinj?
A ka më shumë arsye të gëzohet Brukseli dhe Uashingtoni, apo të qetësohet Moska dhe Pekini?
Unë nuk e di ende.
Por e di se ndryshimi i pushtetit nuk provon ndryshimin e mendësisë.
Madje, një nacionalizëm që beson sinqerisht në misionin e vetë mund të jetë më i vështirë për t’u përballuar sesa nacionalizmi që përdoret për pushtet.
Vuçiçi ra, por a ra Mendësia Milosheviçiane.
Shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të besojnë se Serbia ka hequr dorë nga pretendimet e kahershme.
Entuziazmi mund të presë.
Provat jo.
Arian Galdini




Comments