21 gusht 2026, Ora: 18.00, Sheshi Skënderbej
- Arian Galdini

- 4 days ago
- 2 min read
Nuk më duhet një turmë që të më premtojë gjëra.
Më mjafton të di nëse, mes njerëzve që po i lexojnë këto radhë, është dikush që mendon se Shqipëria nuk ndryshon vetëm duke pritur prej të tjerëve.
Ndoshta sot nuk dëshiron të shkruash një koment.
Ndoshta nuk dëshiron të bësh publike as bindjen tënde, as afrimin tënd me Rinisjen.
Ndoshta do vetëm të vish më 21 gusht, të dëgjosh, të shohësh me sytë e tu dhe të vendosësh më pas nëse kjo punë meriton një pjesë të kohës sate.
Për mua, kjo mjafton.
Sepse Rinisja që dua të rindërtojmë nuk mund të fillojë duke i kërkuar njeriut besnikëri përpara se t’i ketë dhënë arsye për besim.
Dhe Dalëzotësia, ashtu siç e kuptoj unë, nuk është regjistrimi i njerëzve pas një emri.
Është çasti kur një njeri, krejt lirisht, thotë, këtë gjë të vogël mund ta mbaj unë.
Mund të jetë një telefonatë.
Një takim me dy miq.
Një ide.
Një qytet ku mund të trokasim.
Një orë pune.
Një aftësi profesionale.
Ose, për fillim, vetëm prania.
Nuk po ndërtoj këtu pamjen e një organizate më të madhe nga sa është.
Rinisja sot ka shumë më tepër për të ndërtuar sesa për të treguar.
Pikërisht për këtë më intereson njeriu i vërtetë më shumë se numri që duket bukur në një postim.
Më 21 gusht mund të vish pa u bërë anëtar i askujt.
Mund të vish pa premtuar asgjë.
Mund të mos jesh dakord me mua për shumë gjëra.
Mund të hysh, të dëgjosh dhe të largohesh duke ruajtur të gjithë lirinë me të cilën erdhe.
Por nëse, pasi të jemi parë në sy, mendon se ekziston qoftë edhe një punë e vogël për të cilën ia vlen të dalësh zot, atëherë do të kemi fituar diçka që asnjë statistikë e rrjetit nuk ma jep dot.
Jo një ndjekës më shumë.
Një njeri që vendosi vetë të mos mbetet vetëm spektator.
Kaq modest mund të jetë fillimi.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë mund të jetë i vërtetë.
21 gushti është takimi.
22 gushti na tregon çfarë mbeti prej tij.
Arian Galdini
.png)



Comments