top of page

21 gushti, detyra ndaj atyre që vijnë!

Jul 21
6 min read

Nga Arian Galdini


Atdheu nuk i përket vetëm brezit që jeton.


Ne e marrim për pak kohë në duart tona, me gjuhën që na lanë të parët, me institucionet që ngritën ose dëmtuan, me tokën që punuan, me plagët që nuk arritën t’i mbyllnin dhe me shpresat që na i dorëzuan të papërfunduara.


Pastaj vjen çasti kur edhe ne duhet t’ua lëmë të tjerëve.


Pyetja e madhe e politikës është se në çfarë gjendjeje do t’ua dorëzojmë.


Prej kësaj pyetjeje lind kuptimi i 21 gushtit.


Më 21 gusht 2021, në Marshimin e Dinjitetit, një bashkësi e re politike doli në hapësirën publike pa fuqinë e aparateve të mëdha, pa mbrojtjen e interesave të vendosura dhe pa privilegjin e atyre që e kanë kthyer dukjen në pronë.


Disa qindra qytetarë ecën së bashku për të pohuar se prania politike nuk fillon me pushtetin.


Fillon kur njeriu ngrihet me ndërgjegjen e vetë dhe refuzon që përjashtimi t’ia caktojë vlerën.


Ai marshim nuk ishte mbërritje.


Ishte një fillim me dinjitet.


Pesë vjet më pas, më 21 gusht 2026, kujtimi i tij duhet të marrë një kuptim më të madh. Nuk mblidhemi për të imituar një ditë të shkuar dhe as për ta kthyer fotografinë e saj në strehë krenarie.


Mblidhemi që prania e vitit 2021 të bëhet zotësi ndërtimi.


Kjo është Rinisja.


Ajo nuk lind nga harresa dhe nuk nis nga zeroja.


Ne vijmë nga gjashtë vjet përvojë, përpjekje, miqësi, qëndresë dhe punë.


Vijmë nga ajo që arritëm, nga ajo që na ndërpreu, nga njerëzit që qëndruan dhe nga bindja që mbijetoi edhe kur rruga u bë më e vështirë se sa kishim menduar.


Sot kemi më shumë qartësi për Shqipërinë, për natyrën e sistemit politik dhe për detyrën që kemi marrë përsipër.


Dimë se një ide e drejtë duhet të bëhet bashkësi.


Bashkësia duhet të fitojë organizim.


Organizimi duhet të prodhojë veprim.


Veprimi duhet t’i shërbejë njeriut.


Rinisja është pikërisht kalimi nga bindja te ndërtimi.


LRE Rinisja është organizata jonë politike, me historinë, doktrinën dhe njerëzit e saj.


Rinisja është veprimi me të cilin përvoja fiton drejtim të ri.


Rinisja Kombëtare është vepra shumë më e madhe se çdo parti, kthimi i Shqipërisë në një atdhe ku qytetari mund të jetojë i lirë, familja mund të ndërtojë të ardhmen dhe brezi i ri nuk detyrohet të zgjedhë ndërmjet nënshtrimit dhe largimit.


LRE-ja mund t’i shërbejë kësaj vepre.


Vlera e saj do të matet pikërisht nga mënyra se si i shërben.


Rinisja Kombëtare u përket shqiptarëve që besojnë se vendi ynë mund të dalë nga sundimi i të njëjtave zakone politike, shteti i trajtuar si plaçkë, opozita e mbyllur brenda një pronësie, ekonomia e varur nga favore, qytetari i thirrur vetëm kur duhet vota dhe e ardhmja e konsumuar për interesin e çastit.


Shqipëria ka nevojë për më shumë se një ndërrim qeverie.


Ka nevojë të ndryshojë marrëdhënien ndërmjet pushtetit, njeriut dhe kohës.


Këtu bashkohen e djathta humane, Prindërimi dhe Kombëtarizmi.


E djathta humane përcakton se kujt duhet t’i shërbejë politika, personit të lirë, dinjiteti i të cilit ekziston përpara çdo qeverie, partie, tregu apo shumice.


Prindërimi e shtrin përgjegjësinë përtej së tashmes, drejt fëmijëve që nuk votojnë ende dhe brezave që do të jetojnë me pasojat e vendimeve tona.


Kombëtarizmi i jep kësaj përgjegjësie një gjuhë, një vend dhe një vazhdimësi historike, Shqipërinë dhe kombin shqiptar.


Këto nuk janë tri stoli të vendosura pranë njëra-tjetrës.


Janë tri përmasa të së njëjtës doktrinë.


Njeriu është qëllimi.


Brezat janë horizonti.


Shqipëria është përgjegjësia jonë konkrete.


E djathta humane beson te liria, prona, puna, familja, nisma e lirë dhe kufizimi i pushtetit.


Ajo e sheh qytetarin si autor të jetës së vetë, jo si klient të shtetit dhe as si lëndë të një projekti kolektiv.


Prona private krijon një hapësirë pavarësie për familjen.


Puna e ndershme e çliron njeriun nga favori.


Sipërmarrja u jep trup ideve, zotësive dhe guximit individual.


Tregu hap mundësi kur ligji e mbron nga monopoli, klientelizmi dhe marrëveshja e fshehtë ndërmjet parasë e pushtetit.


E drejta mbi pronën nuk përfshin të drejtën për të blerë Republikën.


Pasuria nuk e vendos askënd mbi ligjin.


Kapitali që kërkon pronësi mbi shtetin, median, natyrën dhe vendimmarrjen publike nuk është më shprehje lirie, është pushtet pa mandat.


E djathta humane mbron njëkohësisht nismën e lirë dhe njeriun nga braktisja. Shteti kufizohet aty ku synon të zotërojë ndërgjegjen, familjen, punën dhe pronën.


Ai forcohet aty ku duhet të garantojë drejtësinë, sigurinë, konkurrencën dhe mbrojtjen e atyre që nuk mund ta përballojnë të vetëm dhunën e më të fuqishmit.


Kjo e djathtë nuk e vendos lirinë kundër mëshirës dhe as përgjegjësinë kundër dinjitetit.


Ajo kërkon një shoqëri ku njeriu mund të ecë me këmbët e veta, pa u lënë i pambrojtur përballë arbitraritetit.


Prindërimi i jep kësaj doktrine thellësinë e kohës.


Me Prindërim politik kuptojmë kujdestarinë ndërbreznore të pushtetit, të kufizuar nga liria e qytetarit dhe nga përgjegjësia ndaj atyre që nuk kanë lindur ende.


Çdo vendim publik duhet të kalojë një provë të thjeshtë:


Çfarë i lë ky vendim fëmijës që nuk mund të votojë sot?


Kjo pyetje ndryshon mënyrën si gjykohet një buxhet, një borxh, një shkollë, një pyll, një lumë, një pronë publike dhe një institucion.


Ajo na detyron të dallojmë investimin nga grabitja e së ardhmes dhe zhvillimin nga konsumimi i vendit.


Një borxh që financon shpërdorimin u lë fëmijëve faturën pa u lënë veprën.


Një arsim që prodhon diploma pa dije u merr mundësinë përpara se të hyjnë në jetë.


Një ekonomi që rrit shifrat dhe zbraz familjet varfëron pikërisht atë që pretendon se po zhvillon.


Një qeveri që tjetërson pasuritë e përbashkëta për interesin e ditës e trajton Shqipërinë sikur të ishte brezi i fundit që do të jetonte në të.


Asnjë brez nuk ka të drejtë ta konsumojë Shqipërinë sikur pas tij të mos vinte askush.


Ky është ligji i Prindërimit.


Ai vlen edhe për një organizatë politike.


Brezat e rinj nuk thirren për të ruajtur përgjithmonë emrat dhe zakonet e atyre që erdhën përpara.


Ata duhet të gjejnë një bashkësi ku mund të mendojnë, të kundërshtojnë, të marrin përgjegjësi, të krijojnë dhe, kur koha e kërkon, të kapërcejnë paraardhësit.


Vlera e themeluesit nuk qëndron te zgjatja e vetes mbi të ardhmen.


Qëndron te zotësia për të krijuar njerëz të lirë që mund ta vazhdojnë veprën pa u bërë pronë e tij.


Nga kjo përgjegjësi lind edhe Kombëtarizmi.


Kombi është një bashkësi detyrimesh ndërmjet atyre që jetuan, atyre që jetojnë dhe atyre që do të vijnë.


Ai nuk mbahet vetëm nga prejardhja, por nga vullneti për të mos e ndërprerë trashëgiminë dhe për të mos ua dorëzuar të tjerëve një vend më të varfër në gjuhë, kulturë, liri dhe dinjitet.


Kombëtarizmi ynë është dashuri vepruese për Shqipërinë.


Ai mbron gjuhën sepse në të ruhen kuptimet me të cilat brezat njohin njëri-tjetrin.


Mbron territorin sepse toka nuk është mall pa trashëgimtar.


Mbron kulturën sepse një popull pa kujtesë bëhet i pambrojtur përballë çdo pushteti që kërkon ta rishkruajë.


Ky Kombëtarizëm nuk kërkon armiq për të vërtetuar dashurinë ndaj atdheut.


Ai nuk e mat shqiptarin me urrejtjen ndaj të huajit dhe nuk përdor simbolet kombëtare për të fshehur padrejtësinë vendase.


Ai është shqiptar në vendin ku vepron dhe perëndimor në parimet që mbron, lirinë, pronën, shtetin e së drejtës, dinjitetin e personit dhe kufizimin e pushtetit.


Diaspora është pjesë e gjallë e kësaj bashkësie.


Ajo nuk përbëhet vetëm nga dërgesa monetare, vota ose mall për atdheun.


Mban dije, punë, përvojë, familje dhe një pjesë të madhe të energjisë shqiptare.


Rinisja Kombëtare duhet ta lidhë këtë fuqi me Shqipërinë përmes arsimit, sipërmarrjes, kulturës dhe vendimmarrjes, në mënyrë që largësia të mos kthehet në shkëputje.


Ky është horizonti ynë.


Ne duam një parti që nuk kërkon ndjekës të bindur, por qytetarë me autorësi.


Një organizatë që jeton në qytete, fshatra, lagje dhe në bashkësitë shqiptare jashtë vendit.


Një strukturë ku përgjegjësia shpërndahet, nisma inkurajohet dhe njeriu nuk matet nga afërsia me qendrën, por nga shërbimi që kryen në bashkësinë e vet.


Do të shkojmë kudo ku njerëzit duan të na dëgjojnë, të na njohin dhe të ndërtojnë me ne.


Jo për të ngritur një turmë rreth një emri, por për të lidhur njerëzit që nuk pranojnë më ta shohin Shqipërinë si pronë të disa familjeve politike, disa interesave ekonomike dhe disa pronarëve të dukjes publike.


I ftojmë miqtë, dashamirësit, anëtarët dhe ish-anëtarët e LRE-së.


I ftojmë ata që kanë ruajtur një marrëdhënie të ndershme me këtë përpjekje, edhe kur rruga i ka larguar prej saj.


I ftojmë njerëzit që duan të na njohin për herë të parë dhe ata që besojnë se vendi meriton një alternativë të djathtë, humane, kombëtare dhe të lirë.


Nuk i thërrasim për të kthyer kohën prapa.


I thërrasim që ta marrin të ardhmen përpara.


Më 21 gusht 2021, Marshimi i Dinjitetit e bëri një bashkësi të dukshme në hapësirën publike.


Ai dëshmoi se një ide mund të marrë trup edhe pa lejen e atyre që kontrollojnë ekranet, financimin dhe njohjen politike.


Më 21 gusht 2026, ajo prani duhet të fitojë një përgjegjësi më të madhe.


Ia rinisim që qëndresa të bëhet fuqi.


Ia rinisim që përvoja të bëhet urti.


Ia rinisim që dinjiteti të bëhet mënyrë qeverisjeje.


Familjet shqiptare meritojnë një vend ku fëmijët nuk rriten me bindjen se e ardhmja fillon vetëm pasi largohen.


Kombi meriton qytetarë që nuk presin më nga pronarët e vjetër të politikës zgjidhjen e së ardhmes që ata vetë kanë konsumuar.


Në vitin 2021 ecëm për të dëshmuar se ishim këtu.


Më 21 gusht 2026 mblidhemi për të provuar se jemi gati të ndërtojmë.


Ajo që nisi me dinjitet, tani duhet të vazhdojë si Rinisje Kombëtare.


21 gusht 2026.


Bekime e mbarësi,


Arian Galdini


Rinisja


⸻


Për t’u bashkuar ose ribashkuar me Rinisjen:

Inbox Facebook

WhatsApp: +355 68 406 0131

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page