21 gushti, fjala që na lidh!
- Arian Galdini

- 3 days ago
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Politika shqiptare u ka kërkuar njerëzve besnikëri, votë dhe durim, por rrallë u ka dhënë një fjalë sipas së cilës qytetari të mund ta gjykojë atë që i kërkon besimin.
Rinisja duhet ta përmbysë këtë marrëdhënie.
Më 21 gusht 2026 nuk duam të mbledhim njerëz rreth një premtimi të mjegullt.
Duam t’u japim një fjalë publike, e cila të vlejë si kufi për këdo që flet në emër të kësaj përpjekjeje.
Kush e shkel, humbet të drejtën morale për ta përfaqësuar.
Kjo është besëlidhja jonë.
Ajo nis ndërmjet qytetarëve.
Askush nuk bashkohet me Rinisjen për t’u kthyer në numër, në shkallë të karrierës së dikujt ose në zbukurim të një ambicieje personale.
Njeriu që hyn në këtë bashkësi nuk e lë ndërgjegjen te dera e organizatës.
Vjen me mendimin, kundërshtimin, zotësinë dhe përgjegjësinë e vet.
Bashkësia bëhet më e fortë sepse anëtari mbetet i lirë.
E njëjta fjalë na lidh me Shqipërinë.
Ne nuk e zotërojmë këtë vend, synojmë të ndërtojmë ide e njerëz e alternativa që e marrin përkohësisht në kujdes.
Toka, uji, shkollat, institucionet, financat dhe pasuria publike nuk janë plaçkë e fituesit.
Pushteti duhet të gjykohet nga ajo që lë pas, jo vetëm nga ajo që shpërndan gjatë mandatit.
Brezi ynë nuk ka të drejtë t’ua dorëzojë pasardhësve një Shqipëri më të zbrazur, më të varur dhe më të dëmtuar, pastaj ta shpallë veten të suksesshëm.
Fëmija që nuk voton ende ka të drejtë morale mbi vendimin që marrim sot.
Besëlidhja shtrihet mbi bashkësinë kombëtare.
Kosova nuk është një temë që nxirret në raste festash ose krizash.
Përparimi i Shqipërisë duhet të shtojë sigurinë, njohjen ndërkombëtare dhe peshën europiane të Kosovës.
Dy shtetet tona kanë institucione dhe procese të veçanta, por ndajnë një interes kombëtar dhe drejtim të përbashkët perëndimor e pse jo edhe të njëjtin Peojekt Europian përpos Kombëtar.
Europa është zgjedhja jonë qytetëruese.
Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara është aleancë strategjike.
Të dyja kërkojnë një Shqipëri që mban fjalën, ndërton institucione të besueshme dhe mbron interesin e vet pa servilizëm.
Edhe LRE Rinisja hyn nën këtë besëlidhje.
Prej njerëzve mund të kërkojë përkushtim, punë dhe përgjegjësi, atyre duhet t’u garantojë të drejtën për të pyetur, kundërshtuar dhe propozuar, përpara tyre duhet të japë llogari për vendimet, organizimin dhe veprën e vet.
Nuk mund të flasë për lirinë dhe të prodhojë ndjekës.
Nuk mund të kërkojë karakter dhe të shpërblejë bindjen e verbër.
Nuk mund të shpallë Shqipërinë e brezave dhe të ndërtohet vetëm për interesin e çastit.
Më 21 gusht do ta kthejmë këtë fjalë në angazhim publik dhe përgjegjësi të dallueshme.
Në çdo qytet, fshat, lagje apo bashkësi shqiptare ku merr jetë Rinisja, njerëzit duhet të dinë çfarë marrin përsipër, çfarë të drejtash ruajnë dhe për çfarë do të japin llogari.
Marshimi i Dinjitetit dëshmoi se qytetari mund të hyjë në hapësirën publike pa lejen e aparatit.
Besëlidhja duhet të provojë diçka më të vështirë, njerëzit e lirë mund të qëndrojnë së bashku pa u bërë pronë e njëri-tjetrit.
Kur fjala publike kufizon edhe atë që e jep, ajo bëhet më shumë se premtim.
Bëhet fillimi i një Shqipërie tjetër.
Në 21 gusht 2026, Rinisja nis Marshimin.
Në 21 gusht 2026 kemi Marshimin e Rinisjes🇦🇱🙏
Për t’u bashkuar ose ribashkuar me Rinisjen:
Inbox Facebook
WhatsApp: +355 68 406 0131
.png)



Comments