top of page

21 gushti, Marshimi i Rinisjes!



Nga Arian Galdini


Më 21 gusht 2026 do të marshojmë përsëri.


Nuk do të dalim në rrugë sepse jemi bërë të fortë, as sepse mund të flasim në emër të gjithë Shqipërisë.


Do të rimblidhemi, rigrupohemi sepse dobësia nuk e shuan detyrën e qytetarit për të kërkuar të tjerët, për të dalë nga vetmia dhe për të filluar një punë të ndershme së bashku.


Marshimi i Rinisjes nuk është kurorëzim. Është një hap i ri përgjegjësie.


Më 21 gusht 2021, Marshimi i Dinjitetit dëshmoi se një bashkësi e vogël mund të hyjë në hapësirën publike pa lejen e aparateve të mëdha.


Pesëvjetori që po afron nuk na kërkon ta përsërisim atë ditë.


Na kërkon të kuptojmë nëse kemi fituar durimin, kthjelltësinë dhe përulësinë për ta kthyer praninë në shërbim.


Ne besojmë se Republika nuk është pronë e qeverisë, e opozitës, e parasë apo e emrave që trashëgojnë pushtet.


Ajo jeton kur qytetari nuk trajtohet si klient, kur ligji nuk përkulet përpara të fortit dhe kur detyra publike nuk përdoret për përfitim privat.


Kësaj Republike duam t’i shërbejmë.


E Djathta Humane është ndihmesa që kërkojmë të ofrojmë.


Ajo mbron lirinë, familjen, pronën, punën dhe nismën e lirë, por nuk e pranon pasurinë si të drejtë për të blerë shtetin.


Ajo nuk e ngatërron lirinë me braktisjen dhe as drejtësinë me zotërimin e njeriut nga pushteti.


Shqiptarizmi që propozojmë lind nga bindja se atdheu nuk është send i çastit.


Shqipëria na vjen nga ata që jetuan përpara nesh dhe do t’u mbetet atyre që vijnë pas.


Prindërimi na mëson ta gjykojmë politikën edhe nga ajo që u lëmë fëmijëve, shkollën që marrin, borxhin që trashëgojnë, natyrën që gjejnë dhe institucionet ku duhet të besojnë.


Kombëtarizmi ynë nuk ka nevojë për armiq që të provojë dashurinë ndaj vendit.


Ai kërkon gjuhë të ruajtur, shtet të drejtë, lidhje të gjalla me diasporën dhe përgjegjësi të përbashkët ndaj Shqipërisë e Kosovës e shqiptarëve kudo që jetojnë.


Pikërisht sepse duam të mbetemi shqiptarë, zgjedhim Perëndimin.


Europa është hapësira qytetëruese ku liria, ligji dhe dinjiteti i personit duhet të mbrohen.


Aleanca me Shtetet e Bashkuara është interes kombëtar, por bëhet e denjë vetëm kur mbështetet mbi institucione serioze, karakter dhe partneritet pa servilizëm.


Rinisja Kombëtare është më e madhe se LRE Rinisja.


Ne nuk e zotërojmë dhe nuk mund ta përfaqësojmë të vetëm.


Mund të marrim vetëm pjesën tonë të punës, të rindërtojmë lidhjet mes njerëzve dhe të përpiqemi ta fitojmë besimin me vepra.


Për këtë do të marshojmë më 21 gusht.


Jo për të thënë se kemi mbërritur.


Por për të pranuar se duhet të fillojmë përsëri, më të kthjellët, më të duruar dhe më të denjë për besimin që kërkojmë.


Jo për të shpallur se Shqipëria na pret.


Për të dëshmuar se ne ende besojmë te Shqipëria dhe duam të bëhemi të denjë për t’i shërbyer.


Arian Galdini


Rinisja


Për t’u bashkuar ose ribashkuar me Rinisjen:

Inbox Facebook

WhatsApp: +355 68 406 0131

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page