top of page

28 Nëntori dhe prindërimi i një kombi

4 hours ago
5 min read

Sot flamuri kuqezi valëvitet në sheshe e në ballkone, në dritare fshati e qyteti, në trojet shqiptare e në mërgim.


Diku një fëmijë, ende i vogël për të mbërritur te parmaku, mban njërin cep ndërsa i ati lidh tjetrin.


Nga rruga duket një flamur i varur në dritare.


Brenda shtëpisë dëgjohet zëri i të birit. «E mbaj unë.»


Ndoshta prej këtyre tri fjalëve mund të nisë edhe rrëfimi i Vlorës.


Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali dhe burrat e Kuvendit vunë emrat e tyre nën shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.


Kufijtë ishin ende të pasigurt.


Njohja prej botës mbetej për t’u fituar.


Firmën, megjithatë, e hodhën atë ditë.


Ka vendime për të cilat një brez duhet të përgjigjet pikërisht atëherë kur askush s’mund t’i premtojë se do t’ia dalë.


Po të prisnin gjersa dikush t’u jepte siguri për gjithçka, kujt do t’i përkiste Pavarësia?


I quajmë etër të Pavarësisë.


Ata morën përsipër përgjegjësi edhe për jetën e njerëzve që s’do t’i njihnin kurrë.


Këtë kuptoj me prindërimin e një kombi.


Brezi që ka sot në dorë fatet e vendit kujdeset që nesër fëmijët e tij të mund të vendosin vetë për to.


Si baba, e di sa punë duhet për ta rritur një njeri të aftë të gjykojë me mendjen e vet.


Duhet edhe ca dashuri më shumë për ta dëgjuar ditën kur, me atë mendje të lirë, të thotë se diku ke gabuar.


Ky flamur ka parë edhe padrejtësi nën hijen e vet.


Shqiptarë janë dënuar pa të drejtë, familje janë internuar, fëmijëve u është kërkuar llogari për mbiemrin që morën në lindje.


Mendoj për një nënë së cilës shteti shqiptar i mori shtëpinë dhe që, në internim, vazhdoi t’u fliste fëmijëve për Shqipërinë.


Kur thoshte «vendi ynë», edhe ata fëmijë ishin brenda atij «ynë».


Sa i detyrohemi asaj gruaje për mënyrën si e shqiptoi një fjalë aq të vogël.


Fëmijët mund të kenë harruar shumë nga ato që u tha e ëma.


U mbeti e drejta për ta quajtur të vetin vendin ku ende s’u lejohej të ktheheshin në shtëpi.


Çfarë bëjmë ne sot me këtë amanet?


Nëpër fshatra ka dhoma që hapen vetëm kur kthehen fëmijët nga mërgimi.


Nëpër shkolla ka banka të zbrazura.


Diku një i ri, ende pa e provuar zotësinë e vet, e ka dëgjuar aq shpesh pyetjen «Kë ke ti?», sa nis ta marrë vetminë e tij për paaftësi.


Herën e parë ia mbyllën derën.


Herën tjetër mund të mos trokasë më, i bindur se e ka njohur më në fund vlerën e vet.


Deri aty mbërrin korrupsioni, edhe kur i riu s’i ka më përpara syve njerëzit që ia mbyllën derën.


Në çdo shtëpi ku lind një fëmijë ngrihet një flamur i padukshëm.


Atje fillon ajo që do ta quaja Pavarësia e dytë, pavarësia e brendshme.


Ndoshta fillon ditën kur njeriu pas sportelit më njeh dhe më bën shenjë të kaloj.


Po të pres radhën, im bir do të ketë kohë të vërë re gruan që pret para nesh.


Pak më parë as unë s’e kisha vënë re.


Edhe asaj i duhet të mbërrijë diku.


Po sikur unë ta pranoj ftesën?


Gruaja e kishte radhën edhe përpara se ta vija re.


Ia kemi besuar atë sportel një njeriu që duhet të mund të më thotë «Prit pak, e ka zonja radhën».


Duhet të mund t’ia thotë këtë edhe atij që e ka emëruar dhe të vijë i qetë të nesërmen në punë.


Ndoshta gruaja s’do ta marrë vesh kurrë se kujt i tha «prit» nëpunësi atë mëngjes.


Zonja do të mbarojë punë pa i mbetur borxh askujt.


Edhe kaq i uroj vendit tim.


Në klasë, mësuesi e lë nxënësin të mbarojë përgjigjen, edhe kur mbiemri i tij i kujton një njeri me të cilin ka vite që s’flet.


Në spital, mjekja i rri pranë të sëmurit që s’ka njeri te dera për të pyetur për të.


Ai që vendos për paratë e barnave mban një përgjegjësi që mjekja s’e merr dot mbi vete, sado gjatë t’i qëndrojë te kryet.


Në sallën e gjyqit, një njeri ngrihet të flasë.


Provat e rëndojnë.


Në mes të fjalisë i humbet filli.


Kur e gjen përsëri, gjyqtari ende po e dëgjon.


Ndoshta ajo fjali s’do të ndryshojë asgjë në vendim.


Njeriut që do të jetojë me atë vendim i takon ta mbarojë fjalinë.


Dinjitetin e kishte përpara se të hynte në atë sallë dhe do ta marrë me vete kur të dalë.


Edhe shpresa do një vend ku të punojë.


E gjen në një punishte ku i riu mëson zanatin dhe paguhet në ditën e premtuar.


Pas disa vjetësh, ndoshta do të hapë punishten e vet.


Kur të marrë vajzën a djalin e parë në punë, do ta dijë nga përvoja ç’do të thotë për një familje të mund t’i bëjë hesapet duke i zënë besë fjalës së dikujt.


Kështu një e mirë mbërrin edhe te njerëz që s’do t’ia dinë kurrë emrin atij që e nisi.


Po kaq larg mund të mbërrijë edhe një poshtërim.


Sot të njëjtin flamur e nxjerrin në dritare në Vlorë e në Prishtinë, në Shkodër e në Tetovë, në Shkup, në Ulqin e në Preshevë.


E ruan një familje që mban gjallë kujtimin e Çamërisë.


E shpalos një shqiptar larg atdheut, në një rrugë ku fqinjët ende e pyesin se i cilit vend është ai flamur.


Kur ai përgjigjet, edhe në atë rrugë dëgjohet emri i Shqipërisë.


I uroj çdo të riu shqiptar ta ketë të lirë udhën për të dalë në botë.


Dhe i uroj Shqipërisë të bëhet një vend ku ai të ketë aq shumë arsye për të jetuar, sa edhe qëndrimi të ketë bukurinë e një zgjedhjeje të lirë.


Flamuri është i lodhur nga fjalët tona të bukura.


Le të përfytyrojmë një burrë që mban prej vitesh në një kuti kopjen e një dëshmie.


Një fjali aty është e rreme.


E shkroi vetë, nga frika, dhe një njeri tjetër ka jetuar me pasojën e saj.


Sot ai e nxjerr letrën mbi tryezë.


Ulet dhe shkruan çfarë ka ndodhur.


Poshtë vë emrin.


Nesër do t’ia çojë vetë njeriut që ka dëmtuar.


Ai njeri ka të drejtë edhe të mos ia falë.


Të vërtetën e dinte prej vitesh.


Tani do ta ketë në dorë edhe me firmën e atij që dikur e mohoi.


Edhe kështu nderohet firma e Vlorës.


Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë, shqiptarë të dashur, kudo që ju gjen kjo ditë!


Zoti e bekoftë kombin tonë.


U lënçim fëmijëve një Shqipëri ku të mund t’i dalin zot një njeriu pa pasur frikë dhe ku të gjejnë dikë përkrah kur të kenë frikë vetë.


E kur ai fëmijë te dritarja të mund ta mbajë vetë flamurin, paçim bërë pjesën tonë.


Paçim edhe gëzimin ta lëshojmë cepin.


Arian Galdini 🇦🇱

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page