Miq,
- Arian Galdini

- Jan 29
- 3 min read
Unë jam Arian Galdini. Më njihni nga veprat e mia dhe nga fjala ime, nga vendimet që kam marrë në dritë, edhe nga heshtjet e mia kur heshtja ka qenë mënyra më e ndershme për të mos e shpërdoruar fjalën.
Rruga ime shihet.
Ajo që kam qenë, me të mirat e me të metat e mia, mbetet toka prej nga dal edhe sot.
Nga 24 tetori 2020 deri më 19 shtator 2025 provova ta sfidoj realitetin politik shqiptar si themelues dhe kryetar i LRE-së.
E provova me vullnet e sakrificë, dështova.
Pranimi i kësaj nuk vjen si dramë dhe as si alibi, vjen si kthjelltësi.
Midis atyre dy datave u bë e qartë sa fort tërheq gara për pushtet dhe sa lehtë ideali rrëshqet në një lojë ku fjala kthehet në monedhë, ndërsa pasoja shtyhet si “më vonë”.
Mësimi i asaj periudhe ishte i thjeshtë, kur forma prishet, edhe njeriu me qëllim të mirë rrezikon të bëhet i përdorshëm.
E pranoj mosarritjen time dhe e marr mbi vete pa ia faturuar askujt.
Dështimi im mbetet mësim i ndershëm, Atdheu bëhet më i drejtë kur qytetari mban peshë, jo kur kërkon fitore të shpejtë.
Kjo peshë është e vështirë, por është e vetmja që prodhon besim.
Prej kësaj përvoje del vendimi im.
Jeta ime publike rri jashtë çdo gare politike dhe elektorale, sot e nesër (së paku deri në një të nesërme jo të afërt).
Këtej e tutje unë e vendos veten vetëm në shërbim të Paktit Kombëtar të Urtisë, në shërbesë.
Ky kalim s’është kapitull i ri për t’u treguar, është mënyra e vetme që më duket e ndershme për ta kthyer humbjen në dobi.
Edhe vetë kjo nismë rri jashtë partive dhe jashtë garave, pa kandidime, pa lista, pa marrëveshje zgjedhore.
Ajo nuk synon pushtet, synon kulturë përgjegjësie, që fjala të ketë çmim dhe të mos ikë nga çmimi i saj.
Pakti Kombëtar i Urtisë përmblidhet në këtë masë, fjala del vetëm kur mban përgjegjësi të verifikueshme.
Kjo masë nuk është slogan, është mekanizëm.
Kur fjala del pa përgjegjësi, shtyrja bëhet mburojë dhe shoqëria paguan me shtyrje të llogarisë, gabimi humb çmimin, vendimi mbetet rrëfim, besimi tretet pa u thënë kurrë se po tretet.
Kur fjala del me përgjegjësi, shtyrja humb strehën, pyetja merr vend, kontrolli bëhet i pranueshëm, barazia para ligjit fillon të ketë formë të njëjtë për secilin.
Nëse fjala ime nuk provohet në sjellje, ajo s’ka pse të kërkojë besim.
Kombëtarizmi që unë besoj nuk është retorikë flamujsh, është kujdestari e së përbashkëtës.
Kombi, për mua, matet te përgjegjësia, te barazia para ligjit, te nderi që provohet, te rregulli që s’pranon dy porta për askënd.
Shqiptarizmi, në variantin tim, është dinjitet qytetar, besa që përmbushet, mikpritja që s’poshtëron, puna që s’futet në hije, familja si qelizë kufiri e lirie, pa u kthyer në vegël fjalimesh.
Edhe properëndimorizmi, për mua, është metër shteti dhe standard i barazisë para ligjit, shteti mbahet aq sa mban barazinë e vet.
Barazia, kur lihet në mëshirë të shtyrjes, humb pa shpallje, kur barazia mbahet, demokracia dhe liria marrin formë, jo vetëm tingull.
Prandaj rruga që më rri e drejtë është rruga e tryezave, takimeve, bashkëbisedim me qytetarë të thjeshtë e të ndershëm, në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo qytet të Shqipërisë, dhe në Diasporë.
Unë vij si qytetar dhe si autor, për të folur për Paktin e Urtisë, për Shqipërinë Mendonjëse, për një shqiptarizëm që kërkon barazi, dhe për një properëndimorizëm që kërkon standard.
Mjafton një ftesë e ndershme.
Kaq kam për të thënë sot, pjesa tjetër matet në tryeza, takime e bashkëbisedime..
Më shkruani:
📩 Inbox në Facebook
📱 WhatsApp: ✅ +355 68 406 0131 | ✅ +355 67 205 1564
.png)




















Comments