A i shërben Meta përdoruesve të saj, apo regjimeve skuthokratike, autokratike dhe të korruptuara?
- Arian Galdini

- Aug 4, 2025
- 5 min read
Nga Arian Galdini
Gjatë gjashtë ditëve të fundit, kam marrë njëzet e katër përgjigje nga njëzet e katër “përfaqësues” të ndryshëm të Meta-s.
Secila letër mbante një emër tjetër.
Asnjë nuk iu kthye fakteve që unë paraqita.
Asnjë nuk njohu apo u referua në mesazhin paraardhës.
Të gjitha ishin të sjellshme, të pangjyrë, të formuluara me modelin e zakonshëm, dhe plotësisht të shkëputura nga përmbajtja reale.
Kjo nisi si një çështje teknike.
Por ajo që u shfaq, është diçka shumë më e thellë, më e rëndë dhe më tronditëse: një indiferencë sistemike që, në demokraci të brishta si e jona, merr përmasa të rënda politike.
Unë jetoj dhe punoj në Shqipëri.
Jam themelues dhe drejtues politik i LRE – Rinisja, një lëvizje qytetare dhe politike e lindur tërësisht nëpërmjet Facebook-ut.
Ne nuk kemi mekanizma partie.
Nuk kemi qasje në mediat tradicionale.
Nuk kemi donatorë as vendas e as të huaj.
I vetmi burim komunikimi ka qenë dhe ende mbetet faqja ime, dhe besimi se idetë mund të udhëtojnë më larg se paratë.
Për vite të tëra, kjo funksionoi.
Zëri im arrinte çdo ditë te dhjetëra mijëra njerëz.
Flisja për dinjitet, sundim të ligjit, integritet kombëtar dhe drejtësi ekonomike.
Propozoja alternativa.
Kritikoja pushtetin pa dhunë, me maturi, me arsyetim, jo me sharje, mallkime e ulërima.
Dhe pak nga pak, ndërtuam diçka.
Pastaj, gjithçka u përmbys.
Pikërisht në të njëjtën ditë kur nisi fushata elektorale në Shqipëri këtë vit, prania ime dixhitale u shemb.
Fjalë për fjalë, brenda natës.
Postimet që më parë arrinin qindra mijëra njerëz, u shfaqën për disa qindra vetë.
Videot live, dikur të ndjekura gjerësisht, u zhdukën në heshtje.
Reklamat nuk mund të promovoheshin më. Mundësitë për shpërndarje u bllokuan.
Asnjë shkelje politike. Asnjë paralajmërim. Asnjë sinjal. Vetëm heshtje.
Dhe pastaj, papritur, vendndodhja e faqes sime, që gjithnjë kishte operuar/vepruar nga Tirana, u zhvendos në mes të Oqeanit Atlantik të Jugut.
Pa ndryshim fjalëkalimi. Pa asnjë alarm sigurie.
Pa asnjë veprim të gjurmueshëm nga ana ime.
Vetëm një lëvizje e beftë, sikur zëri im ishte dëbuar dixhitalisht në ujëra të hapura.
Kontaktova për ndihmë. Hapja një rast.
Ajo që pasoi nuk ishte ndihmë, ishte një rreth vicioz.
Që prej 28 korrikut, kam marrë njëzet e katër përgjigje nga njëzet e katër emra të ndryshëm, Cedius, Gina, Albert, James, Bruce, Maximus, Catherine, Aahna, Alex, Addy, Kaif, Fateen, Sam, Gaurav, Leo, Roy, Sunny, Sara, David, Jack, një tjetër Sara, Ted dhe Guy.
Të gjithë me të njëjtin mesazh: “Ju falënderojmë për kontaktimin me Meta Pro Team.
E kuptojmë shqetësimin tuaj.”
Askush nuk lexoi çfarë u tha më parë.
Askush nuk iu kthye thelbit.
Askush nuk mori përgjegjësi.
Kjo nuk është mbështetje.
Është shpërndarje.
Kjo nuk është komunikim. Është fshehje.
Ajo që po ndodh nuk është një defekt i përkohshëm.
Nuk është as një dështim i rastësishëm i shërbimit ndaj klientit.
Është një model qëndrese sistemike.
Një arkitekturë e parezistueshme e mospërgjigjes.
Një sistem i ndërtuar jo për të ndihmuar, por për të devijuar. Për të shpërbërë.
Për të lodhur.
Meta, përmes rotacionit të emrave dhe përgjigjeve të copëzuara, ka krijuar një imitim perfekt të autoritarizmit burokratik.
Një mur që nuk jep asnjë përgjigje, që vonon çdo gjë, dhe që shpërndan të gjithë përgjegjësinë në një oqean emrash dhe frazash të zbrazëta.
Kjo është zgjedhje, jo defekt.
Unë nuk jam i vetmi që e pësoj kështu.
Në mbarë botën, regjimet që mbytin kundërshtimin, lulëzojnë në këtë heshtje.
Nga skuthokratët e Tiranës, tek regjimet e Caracas-it dhe Moskës, një autokraci digjitale po shtrihet me shpejtësi kudo e ngado.
Zërat e pavarur, sidomos ata që kritikojnë pushtetin, po zhduken në heshtje.
Jo me ndalim. Jo me censurë të hapur.
Por me diçka më të pabesë: errësim algoritmik.
Postimet fshihen pa u fshirë.
Dukshmëria u ndërpritet.
Ndërveprimi vdes qetë.
Ti ende ekziston, por vetëm teknikisht.
Zëri yt është ende atje, por tingëllon vetëm për veten tënde.
Algoritmet e Meta-s, dikur të ndërtuara për të optimizuar angazhimin, tani shërbejnë si hidra teknologjike që përpinin çdo zë kritik dhe i shumëzojnë heshtjet.
Rënie me 90% në shtrirje pa asnjë njoftim. Angazhimi i zhdukur.
Zëra politikë të ulur me saktësi kirurgjikale.
Dhe sërish, asnjë shpjegim.
Asnjë proces. Asnjë përgjigje.
Sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Evropian (DSA), Meta është e detyruar të japë transparencë kur kufizon dukshmërinë.
Në rastin tim, kjo transparencë është zëvendësuar me një labirint heshtjeje.
Meta, përmes mospërgjigjes, ka shkelur jo vetëm përgjegjësitë e saj ligjore, por edhe detyrimet e saj morale.
Le ta themi qartë, në një botë ku regjime si ai i Edi Ramës në Shqipëri, Putinit në Rusi dhe Maduro-s në Venezuelë përdorin platformat digjitale për të shtypur opozitën, Meta është shndërruar në fronin e heshtur të bashkëfajësisë globale.
Edi Rama, një monark absolut i epokës moderne me kostum “demokratik”, ka kapur median shqiptare dhe ka mbytur hapësirën qytetare.
Kur heshtja e Meta-s pasqyron censurën e tij, ajo kryen një tradhti, jo vetëm ndaj meje, por ndaj çdo qytetari që i mohohet fjala publike.
Kjo nuk është një tradhti digjitale, është tradhti etike.
Një korruptim i ndërgjegjes nën maskën e neutralitetit.
Kjo nuk është një çështje personale.
Është një alarm kolektiv.
Kush përfiton kur mospajtimi zhduket nga algoritmi?
Në Shqipëri, përgjigjja është e qartë: Edi Rama dhe rrethi i tij.
I njëjti regjim që kontrollon televizionin, manipulon zgjedhjet dhe ndëshkon të vërtetën me padukshmëri.
Tani edhe Meta i bashkohet kësaj fshirjeje, me ose pa vetëdije, duke u kthyer në bot-in në shërbim të skuthokratëve.
Dhe të jemi të sinqertë: këto nuk janë defekte. Janë zgjedhje.
Arkitektura e “mos-përgjigjes” së Meta-s nuk është e dëmtuar. Ajo nuk është ndërtuar kurrë për të komunikuar.
Ajo është ndërtuar për të shmangur.
Kjo heshtje nuk është pasive. Është politikë.
Dhe kjo është ajo që vihet në lojë:
• Kur përmbajtja politike fshihet pa proces dhe pa politikë të qartë;
• Kur mjetet e reklamimit bllokohen pa shkak;
• Kur prezenca qytetare fshihet pa njoftim;
• Kur njëzet e katër emra përgjigjen pa lexuar;
• Atëherë demokracia nuk është thyer. Ajo po shpërbëhet.
Platforma e Meta-s ishte djepi i lëvizjes sime.
Tani ajo rrezikon të bëhet varri i saj.
Dhe unë pyes:
A mund të fshihet një zë demokratik, globalisht, pa u ngritur askush?
Meta duhet të përgjigjet. Jo ndaj meje. Por ndaj njerëzimit.
Sepse sapo një platformë zgjedh të mos përballet me shqetësime qytetare legjitime, ajo bëhet më shumë se neglizhente.
Bëhet politike.
Jo përmes ideologjisë, por përmes mungesës.
Jo përmes kundërshtimit, por përmes shpërfilljes.
Heshtja bëhet strukturë.
Dhe struktura bëhet tradhti.
Meta duhet të zgjedhë.
T’i shërbejë përdoruesve, atyre që mbajnë shpresën për lirinë e shprehjes, apo t’u shërbejë autokratëve dhe skuthokratëve që ushqehen me heshtje.
Meta duhet të respektojë ligjin.
Ndërgjegjen.
Shpirtin e botës demokratike.
Në një epokë kur Rusia dhe Kina armatojnë të dhënat dhe propagandën, Meta nuk mund të jetë neutrale.
Duhet të jetë e drejtë.
Zëri i ndërgjegjes qytetare duhet të ringrihet.
Jo vetëm.
Por me dritën e çdo populli të lirë që ende beson se e vërteta meriton të shihet.
Nëse Meta dështon, nuk do të jetë për shkak të gabimit.
Do të jetë për shkak të zgjedhjes.
Arian Galdini
Themelues i LRE – Rinisja
Tiranë, Shqipëri
#MarkZuckerberg #Meta #Facebook #Instagram #LiriaeShprehjes #MetaKrizë #DemokraciaNënRrezik #AlgoritmivsiDemokracia #SilencingVoices #Shqipëria #LRE #Rinisja
.png)















Comments