A ishe ti a?
- Arian Galdini

- Apr 12
- 4 min read

Nga Arian Galdini
Një popull nuk e humb çastin e vet më të madh vetëm kur nuk e dëshiron kthesën.
Më shpesh e humb kur e dëshiron vetëm në atë trajtë që nuk i kërkon të japë llogari për veten.
E do si zë që ndez gjakun, si zemërim që i jep gojës zjarr, si dritë të largët që e ngroh pa i hyrë ende në shpirt.
Për sa kohë mbetet larg, ajo është e dashur. Mund të brohoritet.
Mund të vishet me fjalë të mëdha.
Mund të quhet shpresë pa i kushtuar askujt asgjë.
Gjithçka ndryshon kur del përpara si prani, si fytyrë, si ecje, si çmim.
Pikërisht aty nis lëkundja.
Dhe lëkundja, sapo gjen gjuhën e arsyes së ftohtë, bëhet mizore.
Vishet si pjekuri, paraqitet si kujdes, quhet mençuri, ndërsa në të vërtetë mbetet po ajo dorë e vjetër, dora që e shtyn te pragu atë që do t’i kërkonte bashkësisë më shumë sesa duartrokitje.
Lodhja nga rendi i kalbur nuk lind vetvetiu burrëri.
Njerëzit lodhen nga fytyrat e njohura, nga zërat që ndërrojnë stinët dhe ruajnë të njëjtin shpirt, nga mashtrimi që ndërron petkun dhe mban po të njëjtin helm.
Megjithatë lodhja është vetëm gjendje, jo provë.
Prova fillon kur para tyre qëndron diçka që nuk ka as shkëlqimin e reklamës, as hijen e makinerive që blejnë pëlqim, as bekimin e studios, as vulën e tregut.
Atëherë lind pyetja që ndan fatin nga komedia, a do të pranohet ajo që vjen kur nuk vjen e parfumosur, por e rritur në dhe, me plagë, me përbuzje, me sakrifica, me fytyrën e atij që ka paguar shumë vetëm për të mos u bërë si të tjerët?
Këtu del në dritë dobësia e vërtetë e bashkësive. Jo mungesa e syrit.
Mungesa e burrërisë. Gënjeshtra njihet. Njihet mirë. E megjithatë durohet.
Jo sepse është më e fortë se e vërteta, por sepse është më e butë me dobësinë e atyre që e pranojnë.
Nuk i fut në pasqyrë.
Nuk i pyet se ku janë përkulur.
Nuk u kërkon të japin llogari për ato dorëzime të vogla që i kanë quajtur urti vetëm sepse u ruajtën lëkurën.
I lë të qetë, mjafton që edhe ata ta lënë të qetë. Kjo është mëshira e saj e ndyrë.
Dhe pikërisht prej kësaj mëshire bashkësitë e lodhura e durojnë më lehtë edhe të rremen. Ajo vjen me ngjyrë të re, por me palcë të vjetër.
Ka pamjen e lindjes, por jo rrezikun e saj. Nuk kërkon shpirt të ri.
Nuk prek plagën qendrore.
Nuk e vë njeriun në gjyq për jetën që ka pranuar të jetojë.
Rendet e sëmura nuk i tremben.
E ushqejnë. E rrisin. E shfaqin. Jo nga padija.
Nga llogaria.
E rremja është mënyra me të cilën sëmundja ndërron maskë dhe ruan frymën.
Prandaj kjo nuk është vetëm çështje politike. Është pyetje antropologjike.
Çfarë lloj njeriu mund të durojë pranë vetes një bashkësi?
Atë që i ngjan plagës së saj dhe ia bën të durueshme?
Apo atë që, vetëm duke qenë, e detyron ta gjykojë veten?
Bashkësitë e sëmura nuk e duan të dytin.
E shohin si kërcënim jo sepse u merr një send të jashtëm, por sepse u prish rendin e brendshëm të gënjeshtrës.
Dhe rendi i gënjeshtrës, kur ka zënë vend për vite, mbrohet me mëri më të madhe sesa mbrohen pronat, karriget, përfitimet dhe kështjellat e vogla të vetëdashurisë.
Njeriu i pandotur nuk duket i rrezikshëm sepse bërtet.
Duket i rrezikshëm sepse nuk negocion me atë që e ul. Prania e tij mjafton.
Mjafton të rrijë aty dhe justifikimet nisin të vyshken.
Kjo ka edhe fytyrën tonë shqiptare.
Jo si stoli kombëtare.
Jo si slogan identitar. Si pyetje nderi.
A dimë ende të dallojmë midis atij që del nga karakteri dhe atij që del nga regjia?
Midis atij që kërkon t’i shërbejë së vërtetës dhe atij që i shërben mekanizmit që prodhon iluzione të reja me emra të rinj?
Shqiptaria, sa herë ka qenë denjë për emrin e vet, nuk ka qenë zbukurim.
Ka qenë fytyrë nën peshë.
Ka qenë mosulje.
Ka qenë refuzim për t’u bërë më e vogël se plaga.
Kur ky instinkt mpihet, humbja nuk është vetëm politike.
Është humbje e një shqise të ndërgjegjes.
Për vite me radhë u godit jo mashtrimi, por ai që nuk i bindej mashtrimit.
U nënçmua jo kopja, por ai që nuk pranonte të bëhej kopje.
U përbuz jo zëri i prodhuar, por zëri që erdhi pa tutor, pa megafon, pa aparat.
Kjo nuk ishte rastësi. Ishte provë.
Dhe prova nuk zbulon vetëm karakterin e atij që goditet.
Zbulon edhe karakterin e atyre që godasin, të atyre që heshtin, të atyre që e dinë dhe bëjnë sikur nuk e dinë, të atyre që e këmbejnë gjykimin me një rehati të shkurtër.
Pastaj vjen ora që askush nuk e ndal dot.
Ora kur çdo gjë zbret në një gjyq të vetëm. Jo kush brohoriti më fort.
Jo kush u duk më bukur.
Jo kush u shit më shtrenjtë.
Por kush mbeti i vërtetë pa e shitur veten. Atëherë njeriu mbetet vetëm përballë ndërgjegjes së vet dhe pyet, kë mohova kur ai doli para meje?
Kë përqesha sepse nuk kishte kostumin që unë doja?
Kë shtyva në skaj sepse prania e tij do të më detyronte të mos isha më ai që isha?
Në atë çast bëhet e qartë se problemi nuk ishte mungesa e shpëtimit.
Problemi ishte mungesa e burrërisë për ta njohur kur ai vinte pa lejen e tregut, pa bekimin e studios, pa dekorin e oborrit.
Prandaj pyetja më e rëndë nuk është nëse ardhja erdhi.
Pyetja është nëse, kur ajo doli përpara nesh, ne e pamë.
Dhe, pasi e pamë, a patëm burrërinë ta pranonim.
Apo e vramë me dyshimin tonë, e mbuluam me ironi, dhe pastaj vajtuam mbi mungesën e asaj që vetë kishim flijuar.
Ardhja e vërtetë nuk vjen për të na ledhatuar. Vjen për të na gjykuar.
Dhe vetëm ajo bashkësi që e duron këtë gjyq pa u fshehur pas të rremes, e meriton lirinë që thotë se kërkon.
Arian Galdini
.png)



Comments