top of page

Dita e parë pa leje!

Jul 20
7 min read

Nga Arian Galdini


Pushteti i vjetër nuk e lufton gjithmonë të ardhmen.


Kur ka ende forcë, e përjashton.


Kur është bërë më i zgjuar se i fortë, e afron pranë vetes, i jep funksion, emër dhe dukshmëri, derisa brezi që duhej ta përfundonte të ketë aq shumë për të humbur, sa vazhdimi t’i duket më i sigurt se liria.


Partia Demokratike e kreu këtë veprim në dy kohë.


Më 23 maj, Sali Berisha ishte kandidati i vetëm për kryetar.


Më 15 korrik u zhvillua konkurrim për funksionet e tjera, pati kandidatura, vota të numëruara, fitues dhe humbës.


Flamur Noka u rikonfirmua sekretar i përgjithshëm me 184 vota kundrejt 84 votave të Saimir Korreshit.


Zgjedhja ishte reale brenda kufirit të asaj që lejohej të vihej në votë.


Jashtë saj kishte mbetur pyetja prej së cilës varej kuptimi i të gjitha posteve të tjera, nëse epoka e Berishës duhej të vazhdonte.


Kështu, anëtarësia mund të përcaktonte cilët njerëz do të administronin fazën pasuese, por jo nëse ajo fazë do të ishte përsëri vazhdimi i të njëjtit autoritet.


Konkurrimi preku personelin.


Qendra që caktonte kohën politike mbeti e pacenuar.


Në një vështrim të cekët, kjo mund të duket vetëm si çështje organizative.


Në të vërtetë, këtu shfaqet një nga trajtat më të përpunuara të sundimit.


Pushteti jetëgjatë e kupton se përjashtimi prodhon armiq, ndërsa ngritja prodhon njerëz me karrierë.


I pari mund të flasë sepse nuk ka post për të humbur.


I dyti duhet të masë çdo fjalë me funksionin, mbrojtjen, statusin dhe rrugën që sapo i është hapur.


Prandaj e vjetra nuk e mban domosdoshmërisht brezin pasues jashtë.


E thërret brenda, merr prej tij dijen, energjinë, gjuhën e kohës dhe pamjen e ripërtëritjes, por ruan pushtetin që i ka dhënë vetes për të caktuar fundin.


E ardhmja mbahet e punësuar që të mos bëhet kohë.


Në këtë marrëdhënie, rinia është vetëm moshë.


Diploma dëshmon formim, jo pavarësi.


Përvoja perëndimore mund ta zgjerojë dijen e një drejtuesi dhe të mos i ndryshojë asgjë qëndrimit të tij përballë autoritetit.


Njeriu mund të ketë parë se si institucionet e mbijetojnë udhëheqësin dhe, sapo të hyjë në politikën shqiptare, ta lërë gjykimin e vetë te pragu i atij që e emëroi.


Ndryshimi nuk provohet nga fjalori me të cilin përshkruhet politika.


Provohet nga çmimi që njeriu pranon të paguajë për një vendim të vetin.


Pranimi i funksionit ka peshë morale, sepse hyrja në një strukturë të kapur nuk është veprim pa pasojë.


Gjykimi i plotë, megjithatë, nis te ajo që njeriu pranon të bëhet për ta ruajtur.


Kur posti e bind të heshtë për burimin e tij, titulli nuk e bën pasardhës.


E mban personel.


Kur aftësia përdoret për t’i dhënë pamje të re një marrëdhënieje të konsumuar, brezi i ri nuk po hap një etapë tjetër, po zgjat jetën e asaj që duhej të kishte përfunduar.


Njerëzit që u ngritën në korrik nuk do të provohen nga një rebelim i kontrolluar, nga një fraksion që pret radhën apo nga deklaratat se përfaqësojnë fytyrën e së nesërmes.


Prova e tyre është më e rëndë, a janë të gatshëm të pranojnë se Partia Demokratike mund të mos meritojë të vazhdojë?


Partitë nuk trashëgojnë nga historia një titull të përjetshëm mbi shoqërinë.


Ato ekzistojnë për të organizuar ide, për të prodhuar përfaqësim, për të hapur konkurrencën dhe për t’i krijuar qytetarit mundësinë ta zëvendësojë pushtetin.


Kur organizata përdor anëtarin për të mbrojtur drejtuesin, kur brezin pasues e pranon vetëm me kushtin që ai të mos mbyllë të shkuarën dhe kur mbijetesa e vetë bëhet qëllimi kryesor, ajo konsumon të drejtën morale për të kërkuar besnikëri.


Atëherë çështja nuk është si shpëtohet partia.


Çështja është nëse ka mbetur ndonjë arsye publike për ta mbajtur.


Partia Demokratike nuk është pengu i pafajshëm i Sali Berishës.


Pas kaq dekadash, ajo është bashkëprodhuesja e berishizmit.


Berisha ngriti autoritetin personal, partia e shndërroi atë në kulturë.


Drejtuesit pranuan kufizimin e pavarësisë së tyre.


Intelektualët i dhanë vartësisë një gjuhë morale.


Militantët përdorën fjalën liri për të mbrojtur marrëdhënien që i mbante të nënshtruar.


Humbja u paraqit si arsye për më shumë bindje, përçarja si dëshmi se organizata mund të mbahej vetëm nga një njeri, ndërsa kundërshtimi si sulm ndaj vetë qenies së saj.


Berishizmi nuk është më vetëm jetëgjatësia politike e Berishës.


Është mënyra se si PD-ja ka mësuar të kuptojë veten.


Për këtë arsye, as përplasja me kryetarin nuk mjafton.


Kundërshtari i zotëruesit të sotëm mund të jetë pretendenti për të trashëguar pushtetin e tij mbi organizatën.


Ai mund të kërkojë demokraci derisa të marrë komandën dhe, pasi ta ketë marrë, të presë prej të tjerëve të njëjtën bindje, të njëjtën paprekshmëri dhe të njëjtin nënshtrim të institucionit ndaj biografisë së vetë.


Në atë rast, ndryshon emri, vartësia ka gjetur vetëm një trashëgimtar të ri.


PD-ja nuk çlirohet duke gjetur një Berishë më të ri, më të moderuar ose më të pranueshëm për partnerët ndërkombëtarë.


Ndryshimi fillon vetëm kur askujt nuk i njihet më pushteti për ta trajtuar opozitën si zotërim personal.


Këtu partia përgënjeshtron edhe doktrinën që pretendon se përfaqëson.


Një forcë e djathtë që kërkon kufij mbi shtetin, por e përjashton kryetarin nga çdo kufizim, shkel themelin e konservatorizmit kushtetues.


Institucioni nuk ndërtohet për t’ia zgjatur njeriut pushtetin përtej kohës së vet.


Ndërtohet që bashkësia të vazhdojë pasi biografia e drejtuesit të ketë mbaruar.


Trashëgimia politike nuk është pushteti i brezit të vjetër mbi atë që vjen pas.


Është dorëzimi i institucionit bashkë me lirinë për ta ndryshuar.


Kur e reja merr detyrimin për të vazhduar, ndërsa paraardhësi ruan autoritetin për të përcaktuar fundin, nga një brez te tjetri kalon vartësia.


Dhe një parti që e trajton anëtarin si energji të drejtimit, jo si autor të institucionit, priret ta shohë po kështu edhe qytetarin jashtë saj.


PD-ja i është afruar Revolucionit të Flamingove pa e marrë formalisht drejtimin dhe pa e mbuluar me simbolet e veta.


Vetë Berisha e ka paraqitur këtë si zgjedhje të vetëdijshme të partisë, demokratët marrin pjesë “si qytetarë”, pa shenja partiake.


Ky pozicion i jep opozitës së vjetër përfitimin e presionit që prodhon sheshi, së bashku me mundësinë për t’i qëndruar jashtë gjykimit të plotë të tij.


PD-ja ka të drejtë të marrë pjesë, të thërrasë anëtarët e saj dhe të mbështesë kërkesa që i çmon të drejta.


Prania, megjithatë, nuk prodhon mandat. Kundërshtimi i Ramës nuk jep titull mbi opozitën.


Prova demokratike nis kur partia pranon se protestuesit mund të mos e njohin si përfaqësuese dhe se aktakuza ndaj sistemit të vjetër mund të përfshijë edhe Berishën.


Të hysh mes tyre kërkon prani, të pranosh vendimin e tyre për të mos të deleguar zërin kërkon një marrëdhënie krejt tjetër me lirinë.


As Revolucioni i Flamingove nuk fiton autoritet nga emri, turma apo qëllimi antiqeveritar.


Një lëvizje hyn në demokraci kur organizatori mund të kundërshtohet, përfaqësuesi mund të hiqet dhe zëri i pjesëmarrësit nuk merret si prokurë.


Protestat kanë lindur nga kundërshtimi i zhvillimeve në zonën e Zvërnecit dhe janë zgjeruar në një revoltë më të gjerë ndaj qeverisjes, pikërisht për këtë arsye, forca e tyre nuk mund të shndërrohet në pronësi të askujt.


Zemërimi është forcë njerëzore, mandati është marrëdhënie përgjegjësie.


Numri shton presionin mbi pushtetin, por nuk prodhon vetvetiu të drejtën për të folur në emër të secilit.


Vetëemërtimi qytetar nuk është dëshmi pafajësie.


Edhe aktori i ri mund ta shohë turmën si kapital, pakënaqësinë si pronë dhe shpresën si hyrje në karrierën e vetë.


Revolta që rrëzon pretendimin e zotit të sotëm dhe ia dorëzon zërin publik një zotëruesi të ri ka ndërruar fytyrën e marrëdhënies, jo natyrën e saj.


Protesta është pasuri publike.


Qytetari që hyn në shesh me zërin e vetë nuk i jep PD-së, organizatorit, folësit, financuesit apo medias të drejtën ta regjistrojë në inventarin e tyre politik.


Prania e tij nuk është prokurë.


Përplasja vendimtare nuk zhvillohet ndërmjet opozitës së vjetër dhe lëvizjes së re për të trashëguar pakënaqësinë.


Ajo zhvillohet brenda vetë kuptimit të qytetarisë, a do të mbetet njeriu autor i kundërshtimit të vetë, apo do të pranojë që zemërimi i tij të bëhet lëndë për pushtetin e dikujt tjetër?


Ndërsa i afrohet sheshit, PD-ja vazhdon marrëdhënien institucionale me Partinë Socialiste mbi rregullat e sistemit.


Më 16 korrik, Kuvendi e zgjati deri më 30 nëntor mandatin e Komisionit të Reformës Zgjedhore.


Ky vendim nuk provon ndonjë pakt të fshehtë Rama–Berisha.


Ai tregon një realitet që nuk ka nevojë për konspiracion, dy forcat që kanë dominuar jetën politike vazhdojnë të negociojnë kushtet sipas të cilave do të sfidohen.


Negocimi është pjesë e demokracisë.


Marrëveshja humbet drejtësinë e vetë kur nuk zgjeron fuqinë e zgjedhësit, por ruan kontrollin e aparateve mbi kandidaturën, listën dhe hyrjen në konkurrim.


Të dyja forcat përfitojnë nga një sistem ku kandidati mbetet i varur nga drejtimi, kryetari ruan ndikimin mbi listën dhe organizatat e mëdha përcaktojnë cilat alternativa mbërrijnë përpara votuesit.


Në një skemë të tillë, zgjedhësi voton, por oferta politike është filtruar përpara se ai të marrë fletën.


Reforma mund të sjellë teknologji më të mirë, rregulla më të hollësishme dhe gjuhë europiane, ndërsa burimi i kandidaturës mbetet privat.


Lista mund të hapet në paraqitje dhe të mbyllet aty ku lind karriera politike.


Ligji mund të miratohet rregullisht dhe Republika të dalë më e mbyllur.


E njëjta çështje shfaqet në Reformën Administrativo-Territoriale.


Komisioni kishte mandat deri në korrik dhe opozita kërkoi zgjatjen e punës deri në tetor.


Këtu nuk diskutohen vetëm vijat e një harte.


Kufijtë përcaktojnë ku përqendrohen kompetencat, administrata dhe burimet, cilat bashkësi fitojnë peshë dhe sa hapësirë mbetet për krijimin e një kundërpeshe vendore.


Njëra reformë prek mënyrën si vota kthehet në mandat.


Tjetra vendin ku pushteti vendor bëhet i mundur.


Në të dyja, pyetja është nëse konkurrenca po hapet për qytetarin apo kontrolli po riorganizohet për ata që tashmë dominojnë qeverisjen dhe opozitën.


Brenda PD-së, e vjetra merr shërbimin e së ardhmes pa i dorëzuar kohën.


Jashtë saj, aparatet ndikojnë mbi kushtet e hyrjes, ndërsa qytetari mbetet përballë një oferte të hartuar përpara se t’i kërkohet zgjedhja.


Prandaj çështja shkon shumë më larg se emri që mund të vijë pas Berishës.


Ajo prek pretendimin e çdo kryetari, partie, lëvizjeje apo aparati për të caktuar paraprakisht kufirin brenda të cilit njeriu lejohet të kundërshtojë.


Opozita nuk është pronë private e partisë më të madhe kundër qeverisë.


Është funksion publik i demokracisë, mundësia që pushteti të kundërshtohet, të kufizohet dhe të zëvendësohet.


Partia mund ta ushtrojë këtë funksion, nuk mund ta përvetësojë.


Një opozitë e mbyllur është regjimi që pret radhën.


Brezi i ri i PD-së nuk ka për detyrë ta shpëtojë partinë.


Duhet të vendosë nëse funksionin do ta përdorë për të zgjatur berishizmin apo do ta rrezikojë për t’i dhënë fund.


Në rastin e parë, do të mbetet personeli më i ri i një kohe të vjetër.


Në të dytin, do të ketë hyrë për herë të parë në politikë.


Dita e parë pa leje vjen kur e ardhmja pranon se mund të humbasë postin, mbrojtjen, radhën dhe gjithçka që pushteti jetëgjatë i premtoi, por përsëri merr vendimin që ai nuk e lejoi kurrë.


Atë ditë, e vjetra do të zbulojë se njeriu që emëroi për ta vazhduar ishte bërë, më në fund, i aftë t’i jepte fund.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page