top of page

Alfabeti i verbërisë!

Apr 21
5 min read


Nga Arian Galdini


Gishti ende i njomë nga boja e votimit, telefoni i ndezur në dorën tjetër, fleta e palosur keq si një copë letër që ka kaluar nëpër trup pa lënë gjurmë, kjo pamje mjafton për ta kuptuar një sëmundje të tërë.


Një djalë tetëmbëdhjetëvjeçar sapo ka dalë nga qendra e votimit.


Ligji e njeh si qytetar.


Çasti tjetër e nxjerr para ekranit.


Ai përpin dy rreshta, nuk e mbaron as fjalinë e tretë, nuk e di kush flet, nuk e di ç’vlerë ka fjala, nuk e di ç’do të thotë të gjykosh, dhe megjithatë lëshon me ngut një sharje, një damkë, një tallje që e ul tjetrin në baltë.


Pastaj largohet i qetë, sikur sapo ka kryer dy akte të zakonshme të së njëjtës ditë.


Në të vërtetë ka bërë dy gjëra që burojnë nga e njëjta mungesë, ka votuar pa hyrë ende në qytetari dhe ka folur pa hyrë ende në gjuhë.


Aty fillon drama jonë.

Jo te vota si e drejtë.

Jo te liria si parim.


Por te çarja midis së drejtës që i jepet njeriut dhe trajtës së brendshme me të cilën ai do ta mbajë atë të drejtë.


Vota, në një rend të qytetëruar, nuk është thjesht leje për të marrë pjesë.


Është shenjë se bashkësia të njeh si qenie të aftë për të dalluar, për të peshuar, për të mbajtur mbi ndërgjegje një grimë të fatit të përbashkët.


Kur kjo shenjë i jepet një njeriu që ende nuk e ka formuar veten për peshën e saj, demokracia nuk shembet me bujë.


Ajo zbrazet nga brenda.


Procedura mbetet.


Fryma mungon.


Numri rri në këmbë.


Njeriu brenda tij zvogëlohet.


Pikërisht këtu hyn alfabeti.


Jo si tabelë. Jo si ushtrim klase.


Jo si mekanikë e shqiptimeve.


Alfabeti është kocka e mendimit.


Është ura nga instinkti te përgjegjësia.


Është ai vijëzim i padukshëm me të cilin njeriu e dallon fjalën nga britma, kundërshtimin nga përdhosja, gjykimin nga helmimi.


Një shoqëri që e ka humbur këtë vijëzim mund të vazhdojë të shkruajë, të komentojë, të postojë, të bërtasë, të votojë.


Por ajo nuk mendon më me të gjithë trupin e gjuhës së vet.


Mendon me gjuhë të cunguar nga ngutja, nga klani, nga mllefi, nga shija e menjëhershme e poshtërimit.


Atje shkronjat nuk ndërtojnë më mendim, bëhen mjete goditjeje.


Shqipëria jonë e njeh mirë këtë sëmundje.


Kemi hyrë në një kohë ku kartoni i votës peshon më pak se telefoni që e shoqëron.


Një shoqëri e tërë është futur në iluzionin se barazia politike do të thotë barazi mendimi, se pjesëmarrja do të thotë pjekuri, se të kesh zë do të thotë të kesh ide.


Kështu është prodhuar një jetë publike ku vendos jo mendimi më i drejtë, por ulërima më e shpejtë, jo karakteri më i formuar, por nervi më i gatshëm, jo argumenti më i ndërtuar, por tallja më e shpërndarë.


Kemi hyrë në një rend ku njeriu që ka lexuar pak, por sharë shumë, ndien se peshon njësoj me atë që ka menduar gjatë, ka shkruar me kosto dhe ka mbajtur mbi vete barrën e një ideje.


Kjo nuk është drejtësi.


Është farsë e barazisë.


Barazia morale e njeriut është e shenjtë.


Por barazia e padijes me mendimin nuk është vlerë, është rrënim i vlerës.


Qytetërimi nuk ndërtohet mbi mohimin e rangut të brendshëm.


Ai jeton prej atij dallimi të hollë, por vendimtar, mes atij që flet sepse ka duruar të mendojë dhe atij që flet sepse nuk duron dot të mos shpërthejë.


Kur një shoqëri i ngatërron këto dy zëra, ajo nuk bëhet më demokratike.


Bëhet e verbër.


Dhe verbëria moderne nuk i ngjan errësirës së dikurshme, ku njeriu e dinte se nuk shihte.


I ngjan dritës së tepërt, ekranit që vezullon, zhurmës që e bind njeriun se po merr pjesë ndërsa, në të vërtetë, vetëm po përsërit.


Kështu lind figura e re e epokës sonë, gjykatësi pa formim.


Nuk i duhet tribunë, as togë, as vulë.


I mjafton një profil, një grup, një shenjë partie, një meme, një nxitje e çastit.


Ai nuk heton, por shpall.


Nuk arsyeton, por etiketon.


Nuk peshon, por ngjit mbi tjetrin emrin që turma do të dëgjojë.


Të tillë njerëz nuk janë domosdoshmërisht të këqij në kuptimin klasik.


Shpesh janë thjesht të pashqetësuar nga padija e vet.


Pikërisht kjo i bën më të rrezikshëm.


Nuk ndalen para kufirit, sepse nuk e shohin.


Nuk e kuptojnë vlerën e fjalës, sepse nuk e kanë jetuar kurrë si barrë.


Nuk e ndjejnë shenjtërinë e nderit, sepse janë rritur në një klimë ku përdhosja është bërë zbavitje publike.


Aty fjala nuk hyn më në botë si urë, por si gur.


Megjithatë, prova e kundërt ekziston, e vogël dhe e pastër, siç ekzistojnë të gjitha gjërat që mbajnë botën nga rrënimi i plotë.


Në një klasë fillore, një vajzë ndalon para se të lexojë me zë të lartë një fjali të shkruar në dërrasë.


E sheh, kthehet nga mësuesja dhe thotë: “Kjo fjalë dhemb.”


Nuk ka teori. Nuk ka tribunë. Nuk ka tezë.


Ka vetëm një ndalim të brendshëm që po lind.


Pikërisht aty fillon qytetaria.


Jo te kutia e votimit.


Jo te mosha.


Atje ku njeriu kupton se fjala mund të plagosë, pra se fjala duhet mbajtur.


Dhe pak më vonë, në një mbrëmje të zakonshme shtëpie, një djalë tjetër lëshon nga goja një sharje të mësuar prej ekranit.


E ëma nuk e qorton me zë të lartë.


Nuk e tremb. Nuk i mban ligjëratë.


Vetëm ngre kokën nga puna që ka në duar, e sheh drejt, dhe para se të flasë, krijon atë heshtje të shkurtër që i vë turpit fytyrë.


Pastaj i thotë: “Mos e nxirr nga goja një gjë që s’do ta mbaje dot në sy po t’ia thoje njeriut përballë.” Kaq.


Një fjali e vetme, e ulët në tingull, por e rëndë në themel.


Aty gjuha nuk mësohet si tabelë, por si kufi i fytyrës. Aty nis shërimi i republikës.


Kush kërkon ta lexojë fatin e një vendi, nuk duhet të shohë vetëm parlamentin, sondazhet, ekranet, listat, partitë.


Duhet të shohë se si flet fëmija.


Si e ndal veten i riu përpara se të shajë.


Si e mbron nëna gojën e djalit nga turpi që ende nuk duket.


Sepse aty rritet ose rrënohet qytetaria.


Republikat nuk bien vetëm kur u merren institucionet.


Bien edhe kur u prishet gjuha nga brenda, kur fjalët humbin turpin, kur mendimi humbet kockën, kur vota humbet lidhjen me pjekurinë.


Një komb nuk shërohet duke i përçmuar plagët e veta.


Shërohet duke formuar njeriun përpara se t’i japë pushtet mbi fatin e përbashkët.


Qytetari nuk lind ditën kur mbush tetëmbëdhjetë vjeç.


Ai fillon në familje, në klasë, në gjuhën që dëgjon, në mënyrën si i mësohet dallimi mes kundërshtimit dhe poshtërimit, mes humorit dhe përdhosjes, mes lirisë dhe shfrenimit.


Arsimi që prodhon vetëm diploma është fabrikë letrash.


Arsimi që prodhon ndërgjegje është themeli i republikës.


Fleta e votimit e palosur keq në dorën e djalit, fjalia në dërrasë para syve të vajzës dhe ajo pauzë e shkurtër e nënës para gojës së djalit të saj janë tri pamje të së njëjtës pyetje.


Njëra tregon çfarë ndodh kur pushteti i jepet përpara se të formohet rendi i brendshëm.


Tjetra tregon ku mund të nisë shërimi.


E treta i jep atij shërimi trajtë. jo britmë, jo slogan, por kufi i mbajtur.


Dhe kur një popull nuk di më ta mbajë atë kufi në gojë, në sy, në dorë, atëherë edhe fleta e votimit mbetet vetëm ajo që ishte në dorën e atij djali, një copë letër e palosur keq.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page