Asnjë ligj nuk e ndërton shpirtin e një kombi. Dhe asnjë sistem nuk e shpëton një popull që ka harruar të mendojë
- Arian Galdini

- Oct 24
- 2 min read

Asnjë ligj nuk e ndërton shpirtin e një kombi. Dhe asnjë sistem nuk e shpëton një popull që ka harruar të mendojë.
Prandaj, rrugëtimi i vërtetë fillon jo me numra dhe fjalë të mëdha, por me një ripërtëritje morale e intelektuale, që nuk kërkon vetëm reformë të institucioneve, por ndriçim të vetëdijes.
Shqipëria nuk është dështuar nga mungesa e planeve, por nga mungesa e mendimit, nga shuarja e virtytit si udhërrëfyes në jetën publike.
Në LRE - Lëvizjen Rinisje, ne nuk besojmë se e ardhmja vjen nga pazaret e ditës.
Ne besojmë se e vetmja politikë që e nderon njeriun është ajo që niset nga thelbi i njeriut, jo nga etja për pushtet.
Që të ndërtojmë një Shqipëri të denjë, duhet të rikthejmë filozofinë si frymë, virtytin si rregull, dhe drejtësinë si themel. Pa drejtësi nuk ka besim. Pa besim nuk ka bashkëjetesë. Dhe pa bashkëjetesë, çdo shtet bëhet thjesht aparat force, jo vend i përbashkët.
LRE nuk është një mjet për të marrë vota. LRE është një shkollë doktrinare e të djathtës humane, një shteg i mendimit shqiptar të kthjellët, që nuk i jep zë klaneve, por ndërgjegjes.
Sot, më shumë se asnjëherë, Shqipërisë i duhet një brez që nuk kërkon të ngjitet duke imituar, por që qëndron i fortë duke menduar.
Një brez që nuk pranon të zëvendësojë të kaluarën me ndonjë përmirësim kozmetik, por që ndërton një moralitet të ri publik, ku respekti fitohet me karakter, jo me servilizëm.
Nuk ka më kohë për mballoma dhe maska. Ka ardhur ora e shpirtit.
Prandaj, kushdo që dëshiron një Shqipëri të ndritur, e ka vendin me ne, jo për të duartrokitur udhëheqës, por për të formuar ndershmërisht veten dhe komunitetin, ditë pas dite, pa hezitim, me dritën që buron nga lart, por që ndizet nga brenda.
Gëzuar 5 vjet LRE🇦🇱🙏🫶
24 tetor 2025
5 vjet LRE🇦🇱🙏🫶
.png)










Comments