“Ata” janë të gjithë bashkë…
- Arian Galdini

- 3 days ago
- 3 min read

Shqipëria sot është më e qartë e më e vërtetë se kurrë.
Pse?
Sepse, “Ata” janë të gjithë bashkë.
Po po, “Ata” janë të gjithë bashkë.
Madje nëse deri në fundmaj 2026, ne e dinim se janë bashkë por i shihnim “kundër” në fjalë e veprime dhe e kishim të vështirë imagjinatën dhe kuptimin e “Ata janë bashkë”, prej gati 1 muaji e gjysëm “Ata” janë “maskuar” dhe paradoksalisht janë edhe “lakuriq”.
Janë “maskuar” si “Flamingo”, si “Pelikanë Kaçurrelë”, si “Protestues”, si “Revolucionarë”, si “AntiSistemsa”, si “AntiBerishë e AntiRama”, e gjithëfarësoj “maske veneciane” në Ballon e Sheshit para Kryeministrisë apo Bulevardit, por në fakt çdo ditë që kalon, po vërteton atë që unë e kam shkruar dhe e kam thënë se ky është Revolucioni “Ata janë të gjithë bashkë”.
Edi Rama është aty përballë sheshit në mbrojtje të Pushtetit e Ligësive të tij.
Edi Rama dhe e gjithë ushtria e mercenarëve të tij, deputetë, socialistë, gazetarë, analistë, politikanë, intelektualë, të njohur e panjohur, janë aty si “AntiRevolucioni”.
“AntiRevolucioni” është kahja e mënyra natyrale e Edi Ramës dhe të tijve për të qenë në Shesh e Bulevard.
A nuk e kanë ndarë gjithmonë kështu Shqipërinë ata që pas 1990, PS dhe PD, Qeveri dhe Opozitë?
Kështu kanë ndarë Shqipërinë në 36 vite, në dy krahë që bëjnë sikur janë kundër, por që në fakt janë i njëjti trup Grabitqar.
Gjatë këtij 1 muaji e gjysëm po bëjnë të njëjtën gjë, por kanë vendosur ti ndryshojnë emrat e maskat.
Prej 29 majit e këndej po bëjnë Mashtrimin më të Madh në Historinë 36 vjeçare, e po bëjnë Maskimin më Hibrid e më të Sofistikuar, duke u ndarë në “AntiRevolucioni” dhe “Revolucioni”.
E aty janë bashkë i njëjti trup grabitqar.
Këtu nuk po flas as për mijëra qytetarë me plagë e të pafajshëm që kanë besuar e po besojnë e ndoshta do të vijojnë të besojnë ende se aty në Shesh e Bulevard ka “Revolucion”.
Jo.
Qytetarët e thjeshtë, me plagë, që besojnë e Protestojnë sinqerisht e vërtetësisht, kanë dashurinë, respektin, mirëkuptimin e nderimin tim plot përunjësi.
Po flas për “Ata” dhe vetëm “Ata”, të përhershmit që zotërojnë lojën, mjetet, logjistikën, financimet, organizimin, mikrofonat, megafonat, mediat, kamerat, fonitë, skenën, prapaskenën, dhe Konglomeratin që shfaqet me emra organizatorësh e ideologësh…
E kam vetëm me “Ata që janë bashkë”.
Qytetarët e thjeshtë të ndershëm e të sinqertë që besojnë e protestojnë me zemër e shpresa, janë në të drejtën e tyre absolute dhe bëjnë mirë që janë aty e Zoti i bekoftë.
“Ata që janë bashkë” janë matrapazët e zemëratës dhe Zoti i ndëshkoftë.
Kësisoj, “Ata që janë bashkë”, për herë të parë janë aty të gjithë bashkë me maska.
Edi Rama e të tijtë si “AntiRevolucioni”.
E të tjerët, si Revolucioni.
Kush janë të tjerët?
I dini.
Berishistë, antiberishistë, bashistë, antiBashishtë, alibeajistë, antialibeajistë, dashahehistë, antidashshehistë, salianjistë, antisalianjistë, pra e gjithë PD në të gjitha versionet e saj historike e emocionale dhe marrdhënieore, Parti të Vjetra, Parti të Reja, konservatorë të djathtë, arqiomarksistë, marsksistë, erdoganistë, iranianistë, ProAmerikanë, AntiAmerikanë, Europeistë, EuroSkeptikë, Soroistë, AntiSoroistë, Politikë, Partiakë, Civilë, Irfanistë, Oligarkë, AntiOligarkë, etj, etj, etj, të gjithë bashkë që urrejnë e shajnë e mallkojnë papushim çdo ditë njëri tjetrin, por prapë janë të gjithë bashkë si PsikoVampirë politikë e civilë që duan të bëhen “Pronarë, Përdorues, e Përfitues të Zemëratës Qytetare”…
Janë bashkë, jo prej idealeve, jo prej idealizmit, por sepse kanë qenë gjithmonë bashkë si “psikovampirë” që duan me çdo kusht të “përpijnë” diçka nga gjaku i shqiptarëve e Shqipërisë.
Të gjithë bashkë aty me kamera me video, me foto, e me mesazhe populiste sikur janë aty me popullin për popullin, por që në fakt janë “Piranja” e “Psikovampirë Politikë” që duan të shqyejnë shqiptarët e Shqipërinë, kush të mundet, si të mundet, e sa të mundet më shumë.
Këta janë “Revolucioni i Harmonisë së Hipokrizisë”, “Revolucioni Ata janë të gjithë bashkë”.
Andaj, detyra ime dhe detyra jonë qytetare e politike është që në këtë Shqipëri të Ndarë nga “Ata që janë bashkë”, të ndarë si “AntiRevolucioni” dhe “Revolucioni”, ne të jemi e vërteta, ne të jemi Rinisja.
Nuk ka mision më të shenjtë sesa në ndarjen “AntiRevolucioni” dhe “Revolucioni”, ne të jemi E vërteta, Rinisja.
E di që shpesh e ndoshta edhe gjithmonë E Vërteta, ngase është e hidhur dhe e fortë, është edhe e vetmuar.
Megjithatë misionet e shtegut të vetmisë janë ngahera edhe misionet e nderit dhe vlerave.
Ne nuk i trembemi vetmisë.
Ne zgjedhim të jemi E Vërteta.
Ne zgjedhim të jemi Rinisja.
Pikë
.png)


Comments