top of page

Barabai i përditshëm…

Sep 17
2 min read

Nga Arian Galdini


Përpara Pilatit ndodh diçka më e rëndë se një zgjedhje e gabuar.


Përpara se turma të zgjedhë Barabain, i pafajshmi është vendosur në garë për mëshirë.


Padrejtësia ka hyrë në pyetje përpara se njerëzit të japin përgjigjen.


Kështu vepron e keqja kur mëson të mos duket si dhunë.


Nuk na e heq zgjedhjen, na lë të zgjedhim pasi ka vendosur çfarë nuk duhet më të vihet në dyshim.


Njeriu ruan zërin dhe humbet pyetjen, pastaj e quan liri të drejtën për t’iu përgjigjur pyetjes së dikujt tjetër.


Barabai nuk mbetet në atë skenë.


Është ajo pjesë e vetes që duam ta përjashtojmë nga gjykimi pa pranuar ta ndryshojmë.


Sepse e vërteta rrallë kërkon vetëm ta njohim.


Kërkon të paguajmë diçka, një përfitim, një miqësi, një privilegj, një gënjeshtër që na mbron.


Barabai fillon kur kërkojmë që këtë çmim ta paguajë dikush tjetër, vetëm që ne të mbetemi të pandryshuar.


Turma nuk na duhet gjithmonë për të na urdhëruar.


Ndonjëherë na duhet për të na dhënë alibinë përpara fajit:


E bëjnë të gjithë.

Ata e meritojnë.

Pala tjetër ka bërë më keq.

Unë vetëm e përcolla.


Njeriu nuk kërkon gjithmonë falje.


Ndonjëherë kërkon një botë ku të mos ketë nevojë ta kërkojë.


Atëherë përfitimi mbetet imi, fajin e bëjmë tonin.


Mund të jem vetëm përpara një ekrani.


Gishti është imi.


Gënjeshtrën e kam dalluar.


Prapë e dërgoj, sepse më shërben.


Turma nuk është më rreth meje, e kam sjellë brenda vendimit si dëshmitare të pafajësisë sime.


Diku pranë qëndron Pilati.


Ai lan duart.


Edhe ne dimë t’i lajmë pa ujë, midis veprimit dhe ndërgjegjes fusim një turmë, një parti, një shef, një procedurë.


Secili merr aq pak nga e keqja, sa faji mund të duket i të gjithëve dhe, pikërisht për këtë, i askujt.


Dalja nga turma fillon kur e marr përsëri në njëjës atë që u përpoqa ta fsheh në shumës.


Edhe besimi mund të bëhet alibi.


Mund ta përdor Krishtin për të provuar pafajësinë time, t’ia jap vetes rolin e Tij dhe kundërshtarit rolin e Barabait.


Por Ungjilli nuk më është dhënë që të zgjedh rolin më të bukur për veten.


Mund të më zbulojë edhe mes atyre që thërrasin.


Atëherë mbeten dy pyetje, çfarë po shpëtoj te vetja nga gjykimi, dhe kush po paguan që unë të mbetem i pandryshuar?


U bëftë vullneti i Zotit.


Pas lutjes, duart mbeten të miat.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page