top of page

Barazia gjinore përtej së vërtetës dhe një kundërshti nga këndvështrimi neoshqiptarist!

ree

Nga Arian Galdini


Autor i librit Neoshiptarizmi


Një komb nuk mbahet gjallë vetëm nga kufijtë e tij gjeografikë apo nga institucionet që mbajnë pushtetin.

Një komb jeton përmes rendit të brendshëm që i jep kuptim çdo marrëdhënie njerëzore dhe çdo akt të përditshëm.

Familja është i pari dhe më i forti ndër këta themele, sepse aty ruhen besa, dashuria dhe trashëgimia shpirtërore.


Gjuha është tjetra, sepse ajo bart kujtesën kolektive, e kthen përvojën në përfytyrim dhe e bën shpirtin kombëtar të prekshëm. Ndërsa natyra njerëzore, e dukshme në dallimin e qartë mes burrit dhe gruas, është themeli i vetë jetës, jo si konstruksion, por si dhuratë e qenësisë.


Pa këto shtylla, çdo kulturë nis të lëkundet dhe çdo komb rrezikon të shndërrohet në një masë pa bosht.


Në këtë sfond të shenjtë vjen projektligji “Për Barazinë Gjinore”, i sjellë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe i mbështetur nga mazhoranca.


Ai paraqitet si një hap drejt mbrojtjes së të drejtave dhe si instrument për të luftuar diskriminimin, ndërsa para opinionit publikohet si domosdoshmëri për procesin e integrimit europian.


Por, përtej këtij diskursi, teksti i ligjit ka në zemër të tij një synim tjetër, të ndryshojë përkufizimin themelor të gjinisë, duke e shpallur atë “gjithëpërfshirëse” dhe duke shtrirë mbrojtjen jo më vetëm mbi burrin dhe gruan, por mbi çdo formë të vetëpërcaktimit.


Po kështu, ai imponon “gjuhën me ndjeshmëri gjinore” në administratë, shkolla, dokumente zyrtare, media e komunikim publik, duke detyruar qytetarin të flasë jo sipas natyrës së gjuhës shqipe, por sipas një formule ideologjike të përkthyer nga udhërrëfyes të huaj.


Ky nuk është më një ligj rregullator që ndreq padrejtësi, por një ndërhyrje që synon të rishkruajë vetë natyrën e njeriut dhe të kulturës shqiptare.


Ai prek shenjtërinë e familjes duke relativizuar rolin e burrit e të gruas, prek shenjtërinë e gjuhës duke e shndërruar në terren eksperimentesh ideologjike, prek shenjtërinë e kulturës duke tentuar ta shkëpusë nga binariteti natyror i krijimit.


Rruga e një shoqërie që zgjedh të rishkruajë vetveten përmes formulash të tilla nuk është reformë, por çrënjosje.


Nëse prishen shenjat e së shenjtës, nëse ndalet trashëgimia e natyrshme, atëherë aty shfaqet zbrazëtia dhe nis kriza që gërryen themelet e kombit.


Për këtë arsye, ky ligj nuk duhet parë si një dokument teknik, por si një projekt që prek vetë zemrën e jetës shoqërore.


Dhe pikërisht për këtë arsye, analiza e tij nuk është një debat terminologjik, por një akt mbrojtjeje të së vërtetës mbi të cilën ngrihet kombi shqiptar.


Rendi i natyrës dhe shenjtëria e zakonshmes.


Në zemër të çdo qytetërimi të qëndrueshëm qëndron aftësia për të njohur se e shenjta nuk gjendet vetëm në tempujt e largët apo në doktrinat e thella, por është e pranishme në gjërat më të përditshme, në tryezën e familjes, në gjuhën e thjeshtë të nënës, në dallimin e natyrshëm mes burrit dhe gruas. Pikërisht aty ku duket se jeta është e zakonshme, aty fshihet thesari i saj më i madh, sepse aty shfaqet rendi i natyrës si dhuratë dhe detyrim.


Të prekësh këto shtylla është të rrezikosh vetë simetrinë e jetës shoqërore.


Një shoqëri që harron këtë të vërtetë nis të shohë gjithçka si relativitet.


Gjinia nuk shihet më si fakt natyror, por si formë e zgjedhshme.


Gjuha nuk shihet më si pasuri e trashëguar, por si material i plastifikuar që mund të riprojektohet sipas modës ideologjike.


Familja nuk shihet më si shtrat i sakrificës dhe i vazhdimësisë, por si skemë e hapur ndaj çdo interpretimi.


Një rend i tillë nuk është shenjë lirie, por shenjë boshllëku, sepse aty ku gjithçka relativizohet, asgjë nuk ka më peshë.


Nëse binariteti mashkull-femër përjashtohet nga përkufizimi i njeriut, atëherë edhe virtytet që kanë lindur nga kjo ndarje natyrore humbasin kuptimin e tyre.


Burrëria si guxim e mbrojtje, mëmësia si kujdes e dhembshuri, etja për sakrificë që ndërton familjen dhe e mban shoqërinë të gjallë, të gjitha këto kthehen në fjalë bosh. Pa këtë arkitekturë të virtyteve, një shoqëri nuk ka më busull morale.


Në epokën moderne, përpjekja për ta shpikur veten pa kufij është kthyer në ideal. Por një shoqëri që mohon kufijtë e natyrës dhe rrënjët e saj kulturore, shpejt humb edhe aftësinë për të besuar tek vetja si bashkësi. Identiteti nuk është më dhuratë që trashëgohet dhe ruhet, por maskë që ndërrohet sipas rastit.

Në këtë pikë, njeriu nuk është më pjesë e një historie që e tejkalon, por konsumator i çasteve të tij.

Dhe një shoqëri e ndërtuar mbi çaste, jo mbi rrënjë, mbetet pa të ardhme.


Kuptimi i vërtetë i rendit shoqëror qëndron te respekti për natyrën e njeriut dhe për traditat që ia japin formën.


Kjo është arsyeja pse çdo përpjekje për të relativizuar gjininë, për të imponuar gjuhë artificiale, apo për të shndërruar institucionet në laboratorë të identiteteve, është një sulm ndaj vetë themelit të kulturës. Sepse aty ku e zakonshmja humbet shenjtërinë e saj, aty edhe njeriu humb vetveten.


Kushtetuta, familja dhe detyrimet europiane.


Sistemi juridik shqiptar ka një arkitekturë të qartë që e lidh ligjin me natyrën e familjes dhe të jetës shoqërore.


Kushtetuta, në nenin 53, shpall se martesa lidhet vetëm mes burrit dhe gruas, duke e vendosur këtë bashkim jo si konvencion, por si themel të rendit shoqëror.


Kodi i Familjes e ripohoi këtë parim, duke i dhënë atij statusin e një norme që nuk mund të relativizohet pa cenuar unitetin e ligjshmërisë.


Këto dy akte nuk janë vetëm ligje pozitive, por janë shprehje e një ligji natyror që i jep koherencë gjithë sistemit juridik.


Projektligji për barazinë gjinore, me përkufizimin e gjinisë si “nocion gjithëpërfshirës”, bie ndesh me këtë rend kushtetues.


Sepse një përkufizim fluid i gjinisë shtrihet përtej binaritetit të afirmuar nga Kushtetuta dhe, duke u bërë ligj, do të krijonte një konflikt normash të pazgjidhshëm, ose do të relativizohej Kushtetuta, ose do të prodhohej kaos juridik në interpretim.


Argumenti se ky hap është i domosdoshëm për shkak të procesit të integrimit europian është i pasaktë.


Direktivat e Bashkimit Europian, nga barazia e burrave dhe grave, tek balanca punë-jetë dhe mbrojtja nga dhuna, kërkojnë garantimin e trajtimit të barabartë dhe eliminimin e diskriminimit, por nuk kërkojnë shkatërrimin e binaritetit juridik mbi të cilin ngrihen institucionet familjare.


Faktet juridike janë të qarta, barazia e dinjitetit nuk përkthehet në mohim të natyrës.


Juristë të ndryshëm të së drejtës natyrore kanë paralajmëruar se kur ligji shkëputet nga morali dhe nga e vërteta e natyrës, ai prodhon arbitraritet.


Çdo institucion i ngarkuar me zbatim do të kishte lirinë ta interpretonte gjininë sipas agjendave ideologjike, duke e kthyer të drejtën në instrument relativ.


Dhe aty ku ligji bëhet i paqëndrueshëm, aty edhe vetë liria e qytetarit vihet në rrezik.


Rendi simbolik dhe binariteti kulturor.


Claude Lévi-Strauss ka treguar se çdo kulturë organizohet mbi kategori binare, mashkull-femër, natyrë-kulturë, dritë-errësirë.

Këto ndarje nuk janë thjesht figura intelektuale, por themeli mbi të cilin ngrihet çdo rend shoqëror.

Nëpërmjet tyre, njeriu e kupton botën dhe e orienton veten brenda saj.

Të heqësh këtë binaritet është të shkatërrosh strukturën simbolike të shoqërisë, sepse pa këtë arkitekturë mendore, çdo dallim humbet dhe çdo përkufizim shpërbëhet.

Një shoqëri pa kufij të tillë nuk ka më orientim, as të shenjtë, as të përditshëm.


Mary Douglas, në veprën Purity and Danger, na mëson se shoqëritë ruajnë rendin përmes kufijve të qartë.

Çdo kategori e pastër dhe çdo ndarje e prerë krijon siguri dhe kuptim. Në momentin kur këto kufij shkelen ose përzihen, shoqëria hyn në gjendje krize.


Ky projektligj, duke e shpallur gjininë “gjithëpërfshirëse” dhe duke imponuar gjuhë që relativizon burrin e gruan, është një akt i përzierjes së kategorive.


Ai prish kufijtë që e bëjnë kulturën shqiptare të kuptueshme dhe të qëndrueshme.


Dhe në vend të rendit, sjell mjegullë, në vend të pastërtisë së kuptimeve, sjell konfuzion.


Ky nuk është hap drejt barazisë, por drejt një kaosi simbolik që nuk do të mbetet vetëm në letra, por do të përshkojë jetën e përditshme të njerëzve.


René Girard e ka quajtur shoqërinë moderne një vend ku krizat lindin kur shembet rendi i shenjave.


Ai ka treguar se kur shenjat nuk mbrohen dhe kur rendi simbolik shpërbëhet, njerëzit humbin busullën dhe fillojnë të përplasen për identitetin e tyre.


Në këtë logjikë, kur mashkulli e femra nuk njihen më si kategori, atëherë çdo konflikt për vendin e secilit në shoqëri nuk do të zgjidhet me dialog, por do të shndërrohet në përplasje dhe dhunë.


Sepse aty ku nuk ka dallim të qartë, fillon lufta për të ndarë territore të mjegullta.


Nga kjo perspektivë antropologjike, projektligji nuk është një akt teknik, por një ndërhyrje në zemër të rendit kulturor.


Ai nuk flet vetëm për barazi, por prek mënyrën se si shoqëria shqiptare e kupton veten, familjen dhe marrëdhëniet.


Dhe aty ku rendi simbolik shkatërrohet, aty fillon shthurrja e vetë kulturës.


Peter Berger dhe Thomas Luckmann tregojnë se shoqëria është një konstruksion që bëhet i qëndrueshëm përmes institucionalizimit.


Njerëzit e kuptojnë realitetin përmes gjuhës dhe institucioneve që e riprodhojnë çdo ditë, familja, shkolla, kisha, shteti.


Kur këto institucione flasin me një zë të përbashkët, krijohet siguri dhe qëndrueshmëri, njeriu e di kush është dhe ku qëndron.

Por nëse institucionet e Shqipërisë fillojnë të përdorin një gjuhë të shpikur, një terminologji që nuk lind nga përvoja dhe nga tradita, atëherë realiteti shoqëror shpërbëhet. Ajo që deri dje ishte e qartë dhe e natyrshme, sot do të kthehej në formulë ideologjike që e humbet kuptimin sapo përkthehet në praktikë.


Zygmunt Bauman, me konceptin e “modernitetit të lëngët”, ka paralajmëruar se shoqëritë që braktisin format e qëndrueshme të identitetit mbeten pa bazë. Moderniteti i lëngët është gjendja ku gjithçka rrjedh pa kufij dhe njeriu nuk ka më struktura ku të mbështetet.

Ky ligj i shtyn shqiptarët pikërisht në këtë lëngëzim: gjinia nuk ka më kufi, familja nuk ka më formë, gjuha nuk ka më përkufizim të natyrshëm.

Në një modernitet të lëngët, njeriu nuk ka as strehë dhe as busull, por vetëm pasiguri. Dhe një komb që pranon këtë lëngëzim rrezikon të humbasë jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen.


Byung-Chul Han ka shkruar se shoqëritë moderne po vuajnë nga “lodhja e transparencës” dhe nga tirania e korrektësisë.


Kërkesa e ligjit për “gjuhë me ndjeshmëri gjinore” është një shembull i kësaj tiranie të fjalës.


Në vend që të ruajë lirinë e shprehjes dhe pasurinë natyrore të gjuhës shqipe, ai e detyron qytetarin të flasë sipas një formule të caktuar ideologjike.


Fjalët nuk janë më të lirshme, por të kodifikuara sipas një morali të importuar.


Ky është një shkelje e drejtpërdrejtë ndaj natyrës së gjuhës, e cila nuk është shpikje e burokracisë, por trashëgimi e popullit.


Nga kjo perspektivë sociologjike, projektligji nuk është thjesht një dokument teknik, por një mjet që ndryshon mënyrën se si shoqëria e ndërton vetveten.


Dhe kur shoqëria ndërtohet mbi lëngëzim, mbi gjuhë të shpikura dhe mbi kufij të shlyer, ajo humbet qëndrueshmërinë që i jep kuptim.


Një shoqëri e tillë nuk ka më rrënjë, as mbrojtje, dhe përfundon në boshllëk.


Krijimi, familja dhe natyra e njeriut


Joseph Ratzinger (Papa Benedikti XVI) ka thënë se kur njeriu shpik identitetin e tij jashtë rendit të krijimit, ai bie në një krizë ekzistenciale.


Ky paralajmërim është i drejtpërdrejtë për çdo epokë që përpiqet të rindërtojë njeriun sipas një projekti ideologjik, duke harruar se njeriu është krijesë, jo shpikje.


Projektligji për barazinë gjinore është shembulli i qartë i një teknologjie juridike që kërkon të ndërtojë një njeri të ri, të shkëputur nga krijimi i vet dhe nga ligji i natyrës.


Kur ligji nuk pasqyron më të vërtetën e krijimit, ai bëhet instrument i konfuzionit, jo i drejtësisë.


Timothy Keller ka treguar se familja është themeli i çdo qytetërimi të shëndetshëm, sepse aty mësohen dashuria, sakrifica dhe përgjegjësia.


Familja është vendi ku fëmija përjeton për herë të parë kujdesin e pakushtëzuar dhe mëson se jeta është dhuratë, jo kontratë.


Çdo ligj që relativizon gjininë relativizon edhe familjen, sepse nëse burri dhe gruaja nuk njihen më si kategori natyrore, atëherë edhe martesa, mëmësia dhe atësia humbasin kuptimin e tyre.


Familja nuk është një marrëveshje e lirë midis identiteteve fluide, por një institucion që pasqyron rendin e krijimit dhe e bën shoqërinë të qëndrueshme.


Tom Holland, në librin Dominion, ka treguar se vetë qytetërimi perëndimor është themeluar mbi antropologjinë kristiane të mashkullit dhe femrës.


E gjithë arkitektura morale e Perëndimit, nga e drejta natyrore te koncepti i dinjitetit njerëzor, buron nga kjo themelore, se njeriu është krijuar mashkull dhe femër, dhe se ky dallim është dhuratë, jo kufizim.


Të heqësh këtë bazë është të heqësh themelin e vetë Perëndimit, sepse mohohet burimi i çdo kuptimi të dinjitetit dhe të drejtës.


Pa këtë bazë, mbeten vetëm konstruksione artificiale që ndryshojnë sipas rrymave të kohës.


Nga kjo këndvështrim teologjik, projektligji nuk është thjesht një akt ligjor, por një përpjekje për të rishtypur antropologjinë e krijimit që ka ushqyer kombin tonë dhe gjithë qytetërimin europian.


Dhe kur njeriu e ndan veten nga krijimi, kur ligji e shkëput shoqërinë nga familja dhe nga natyra e saj, ajo që vjen nuk është liri, por krizë ekzistenciale.


Shqipëria është një komb i vogël, i rrethuar nga pushtime dhe stuhitë e historisë.

Në këtë vend ku kufijtë janë lëkundur shpesh dhe ku forcat e huaja kanë synuar ta shkrijnë identitetin, ka qenë një institucion që nuk është shembur kurrë: familja shqiptare.

Ajo ka qenë kështjella që e ka ruajtur gjuhën, besimin dhe traditën, edhe atëherë kur çdo institucion shtetëror është zhdukur.

Nga oda e burrave ku lindnin besëlidhjet, te këngët e nënave që ruanin gjallë kujtesën, te martesa e shenjtë që lidhte familje dhe fise, kombësia jonë ka jetuar dhe është përtërirë përmes binaritetit burrë-grua.


Ky binaritet nuk ka qenë thjesht ndarje biologjike, por arkitektura mbi të cilën është ngritur nderi, zakoni, besa dhe vazhdimësia e brezave.


Neoshqiptarizmi e sheh këtë realitet jo si kufizim, por si lartësi të kulturës shqiptare. Ai nuk mohon barazinë e dinjitetit, përkundrazi e afirmon atë si themel të jetës së përbashkët.

Burri dhe gruaja janë të ndryshëm, por të barabartë në dinjitet, dhe kjo barazi nuk shkatërron dallimin, përkundrazi e bën të shenjtë.


Sepse nga ky dallim lindi simetria që i dha kuptim çdo roli dhe çdo sakrifice.


Prandaj, çdo projekt që mohon këtë dallim, çdo ligj që e relativizon, është një sulm ndaj vetë qenësisë së kombit.


Ky projektligj është një “import kulturor” që nuk lind nga nevoja shqiptare, por nga laboratorët ideologjikë të huaj.


Ai përpiqet të imponojë modele të huaja mbi një shoqëri që ka mbijetuar për shekuj falë familjes dhe falë kufijve të qartë të natyrës së saj.


Nuk është Shqipëria që kërkon këtë ligj, por një agjendë ndërkombëtare që synon të shpërbëjë rendin simbolik të kulturave kombëtare dhe t’i zëvendësojë ato me identitete të paqëndrueshme e fluide.


Në këtë kuptim, ligji nuk është akt i emancipimit, por i kolonizimit kulturor.


Një komb që nuk mbron familjen nuk ka të ardhme.


Familja është vendi ku mësohet besa, ku transmetohet gjuha, ku kultivohet kujtesa. Të relativizosh familjen është të hapësh derën e shpërbërjes.

Dhe një komb i vogël si Shqipëria, nëse humbet këtë kështjellë, humbet edhe vetë shpirtin e tij.


Prandaj ky ligj duhet refuzuar, jo nga frika e ndryshimit, por nga dashuria për jetën, për familjen dhe për kombin.


Populli kundër elitave.


Në çdo shoqëri të trazuar, ekziston një vijë e padukshme që ndan ata që jetojnë realitetin nga ata që duan ta rishkruajnë.


Nga njëra anë është populli i thjeshtë, familjet që rrisin fëmijë, burrat e gratë që punojnë përditë, që mbajnë gjallë besën dhe gjuhën, që e përjetojnë jetën si dhuratë të natyrës.


Nga ana tjetër është elita burokratike, e zhveshur nga rrënjët dhe e lidhur me agjenda që nuk lindin nga nevoja e njerëzve, por nga laboratorë të huaj ideologjikë.


Ky ligj është fryt i kësaj elite, ai nuk është zë i popullit, por përpjekje për t’i imponuar popullit një identitet të shpikur, një gjuhë të huaj dhe një kulturë të çrënjosur.


E thënë thjesht, ky ligj nuk është për të mbrojtur gratë.


Nëse do të ishte për këtë, do të forconte mbrojtjen kundër dhunës, do të përmirësonte shërbimet për nënat, do të ofronte kushte reale pune për vajzat e reja.


Por teksti i tij synon diçka tjetër, imponimin e një ideologjie që relativizon vetë kuptimin e gjinisë dhe e kthen familjen nga institucion i natyrës në një formë të hapur për çdo shpikje.


Ky ligj nuk është për barazi.

Barazia e dinjitetit burrë-grua është e shenjtë dhe është themeli i çdo shoqërie të drejtë.


Por këtu nuk bëhet fjalë për barazi, por për relativizim të gjuhës dhe shpirtit.


Kur një shtet detyron qytetarin të flasë me një gjuhë artificiale dhe të mohojë dallimin e natyrshëm, nuk kemi më barazi, por dhunë ideologjike.


Ky është sulm ndaj fjalës së lirë dhe ndaj vetë natyrës së gjuhës shqipe, e cila nuk është krijim i burokracisë, por frymë e kombit.


Ky ligj nuk është për Shqipërinë.


Ai është një eksperiment i huaj, një përpjekje për të futur vendin në një laborator ku testohen teori që nuk kanë lidhje me traditën tonë, me historinë tonë, me antropologjinë tonë.


Shqipëria nuk ka kërkuar këtë ndryshim. Populli nuk e ka kërkuar.


Ky ligj është importuar nga një elitë që flet në emër të integrimit, por vepron në emër të një axhende që nuk e njeh shpirtin shqiptar.


Në këtë betejë, energjia e revoltës popullore nuk është mjaft.


Ajo duhet harmonizuar me arsyetim të kthjellët, me vizion të thellë, me një konservatorizëm që e mbron familjen si themel të shoqërisë, gjuhën si pasqyrë të realitetit dhe jetën si dhuratë të shenjtë.


Vetëm kështu populli e kthen zemërimin në forcë krijuese dhe refuzimin në afirmim të së vërtetës.


Dhe kështu një komb i vogël, i mbështetur mbi rrënjët e tij, i thotë jo elitës së shkëputur dhe po jetës së vet.


Barazi në dinjitet, jo në shkatërrim.


Shqipëria ka nevojë për një ligj që të jetë mjet i drejtësisë dhe jo instrument i konfuzionit.


Nevojitet një ligj që ta mbrojë gruan nga dhuna, sepse dhuna është plagë e shoqërisë dhe shkelje e dinjitetit njerëzor.


Duhet një ligj që t’u hapë grave dhe vajzave të njëjtat mundësi si burrave për punësim, për arsim, për karrierë dhe për jetesë të ndershme.


Nevojitet një ligj që ta mbështesë nënën, që t’i japë asaj siguri në punë, ndihmë ekonomike dhe përkujdesje shëndetësore.


Dhe mbi të gjitha, nevojitet një ligj që ta forcojë familjen, sepse aty ngrihet çdo shoqëri e shëndetshme.


Kjo është barazia e duhur, barazi që e afirmon jetën dhe që u jep të gjithëve dinjitet të njëjtë para ligjit e para shoqërisë.


Por Shqipëria nuk ka nevojë për një ligj që shpik gjini të paqena dhe që përpiqet të mohojë të vërtetën natyrore të krijimit.


Nuk ka nevojë për një ligj që e detyron gjuhën të tradhtojë natyrën e saj, duke imponuar forma artificiale që nuk burojnë nga shpirti i gjuhës shqipe, por nga formula të huaja të huazuara mekanikisht.


Nuk ka nevojë për një ligj që e përçan shoqërinë, duke vendosur qytetarët përballë njëri-tjetrit në emër të një ideologjie që nuk ka rrënjë në këtë tokë.


Barazia e vërtetë nuk është mohim i natyrës, por afirmim i saj.


Ajo është barazi në dinjitet, jo barazi në shpikje artificiale.


Liria e vërtetë nuk është detyrim për të folur sipas një formule ideologjike, por është liria për të qenë vetvetja dhe për të shprehur të vërtetën e gjuhës e të kulturës.


Familja e vërtetë nuk është një fantazi e laboratorëve të globalizmit, por është bashkimi i burrit dhe gruas, i cili ka mbajtur gjallë jetën dhe kombin për shekuj me radhë.


Sot si neoshqiptarist unë ngre zërin nga ky horizont.

Neoshqiptaristi nuk sheh asnjë arsye që Shqipëria të heqë dorë nga rrënjët e saj, nga traditat që i dhanë qëndrueshmëri, nga besa dhe nga familja, për të marrë hua iluzione të përkohshme që bien sapo përplasen me realitetin.


Një komb që braktis rrënjët e tij nuk fiton liri, por humbje.


Ndaj e djathta humane dhe autentike shqiptare zgjedh të mbrojë jetën, të mbrojë familjen dhe të mbrojë gjuhën, sepse këto janë thesaret më të shenjta të kombit.


Dhe pa to, asgjë nuk mbetet për t’u trashëguar.


Arian Galdini


Autor i librit Neoshqiptarizmi

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page