Besa mbi pushtetin!
- Arian Galdini

- 4 days ago
- 6 min read

Nga Arian Galdini
Një qytetar hyn në një zyrë me një vendim që i ka dëmtuar pronën, punën ose familjen.
Punonjësi e dëgjon, ankesa regjistrohet dhe në dorë i jepet një numër reference.
Më vonë, një drejtues partie mund t’i trokasë në derë, ta pyesë për hallin dhe t’i premtojë se askush nuk do të mbetet pa përgjigje.
Qytetari është dëgjuar dy herë.
Vendimi që e dëmtoi mbetet.
Ai hyri me një plagë dhe doli me një numër.
Administrata fitoi një të dhënë, partia krijoi një marrëdhënie, ndërsa njeriu ende nuk fitoi drejtësinë.
Këtu nis pyetja që çdo platformë dëgjimi përpiqet ta vonojë, por nuk mund ta shmangë:
Kush e zotëron pasojën?
Më 24 korrik, Edi Rama paraqiti “BESA”-n si metodën e një cikli të ri qeverisës.
Qytetari, sipas tij, nuk duhet ta besojë qeverinë me sy mbyllur, por ta masë me sy hapur, nuk duhet të jetë spektator, por bashkudhëtar dhe gjykatës.
Fjala politike duhej të bëhej e kontrollueshme institucionalisht, ndërsa “Rilindja 2.0” u shpall emri i ciklit të ri.
Gjashtë ditë më pas, “Prania Besnike” e zhvendosi të njëjtën gjuhë nga administrata te partia.
Dokumenti u paraqit si aneks i “BESA”-s, vetëm për PS-në dhe në funksion të mandatit të katërt.
Dëgjimi u shpall “teknologjia më e avancuar” e partisë, ndërsa kritika u pranua brenda skuadrës, përdorimit të saj publik iu caktuan kufij nga qendra.
Kështu mblidhen tri lëvizje të së njëjtës arkitekturë.
Me “BESA”-n, pushteti merr në dorë përkthimin e kritikës.
Me “Praninë Besnike”, partia hyn në marrëdhënien ndërmjet qytetarit dhe shtetit.
Duke e lidhur vazhdimësinë e drejtimit të vetë me çastin europian të Shqipërisë, Rama kërkon edhe të drejtën për ta interpretuar kohën kombëtare.
Gjuha e kritikës, dera e qytetarit dhe kuptimi i së ardhmes mblidhen përsëri në të njëjtën qendër.
Shtetëzimi i kritikës është procesi përmes të cilit pushteti përthith një akuzë të lindur jashtë tij, e shkëput nga kërkesa për zëvendësimin e qeverisë, e shndërron në informacion administrativ, riqendërzon interpretimin dhe korrigjimin e saj, pastaj e përdor këtë përthithje si provë se ende meriton të qeverisë.
Qytetari kërkon ndryshimin e sistemit, qeveria premton matjen e tij më të mirë.
Shoqëria kërkon autorësi mbi fatin e vetë, aparati i ofron pjesëmarrje në përmirësimin e të njëjtit mandat.
Pushteti bashkëkohor nuk e mbyt gjithmonë kritikën.
Shpesh e përkthen.
Zemërimin e fut në pyetësor, plagën në tregues dhe kërkesën për largim e shndërron në këshillë për një vazhdim më të mençur.
Kritika nuk zhduket.
Humb sovranitetin mbi pasojën e vetë.
Kjo është më e rëndë se debati nëse një fjali është marrë nga një autor tjetër.
Besa është pasuri shqiptare.
E megjithatë një gjuhë e lindur për ta kufizuar pushtetin po rikthehet si metodë për ripërtëritjen e legjitimitetit të të njëjtit pushtet.
Një koncept që duhej ta vendoste drejtuesin nën detyrim vendoset brenda organigramës së drejtuesit.
Rama nuk po hyn nën Besë.
Po përpiqet ta fusë Besën nën Kryeministrinë.
Mbrojtja më e fortë e tij duhet pranuar pa dredhi.
“BESA” mund të mos pretendojë të zëvendësojë gjykatat, Parlamentin, median apo zgjedhjet.
Çdo qeveri ka detyrë të dëgjojë qytetarët, të matë rezultatet dhe të krijojë mekanizma të brendshëm për një administratë më të përgjegjshme.
Nëse këto nisma prodhojnë përgjigje në afat dhe më pak arrogancë, qytetari përfiton.
Por edhe administrata më e mirë nuk është ende Republikë.
Nëse “BESA” është reformë e brendshme administrative, le të gjykohet mbi shërbimin, afatin dhe rezultatin.
Atëherë është shumë më e vogël se retorika e një kthese historike.
Nëse pretendon të rithemelojë marrëdhënien ndërmjet pushtetit dhe shoqërisë, arkitektura e vetë e përgënjeshtron, sepse dëgjimi, interpretimi, matja dhe korrigjimi mbeten nën të njëjtën qendër që kërkon të rifitojë besimin.
Qeveria mund ta masë veten.
Nuk mund të jetë masa e fundit e vetvetes.
Një pushtet nuk mund të jetë njëkohësisht borxhliu i fjalës, regjistruesi i saj, matësi i përmbushjes dhe gjykatësi përfundimtar i rezultatit.
Republika lind nga mosbesimi ndaj këtij përqendrimi rolesh.
Gjykata mund ta anulojë aktin, organet mbikëqyrëse mund të hetojnë dhe të vendosin sanksione, Parlamenti duhet të kontrollojë ekzekutivin, qytetarët, si trup politik sovran, mund ta zëvendësojnë qeverinë.
Këtu ndahet dëgjimi nga liria.
Dëgjimi i jep personit mundësinë ta shqiptojë cenin.
Kontrolli e përball pretendimin me dokumentin, ligjin, afatin, koston dhe rezultatin, ndërsa identifikon përfituesin dhe përgjegjësin.
Pasoja korrigjuese ekziston kur një autoritet jashtë qeverisë mund ta anulojë aktin dhe të riparojë dëmin, pasoja përgjegjësuese, kur përcaktohet përgjegjësia dhe vendoset sanksioni, pasoja politike, kur qytetarët mund ta largojnë qeverinë që ka humbur besimin e tyre.
Dëgjimi pa kontroll është mirësjellje administrative.
Kontrolli pa pasojë është matje.
Vetëm pasoja e bën sovranitetin veprues.
Qytetari nuk është bashkudhëtar i detyrueshëm i mandatit të katërt.
Është pjesë e sovranit që mund t’ia ndërpresë udhëtimin.
“Prania Besnike” e thellon konfliktin.
Një parti duhet të jetë pranë njerëzve dhe t’i dëgjojë edhe kur nuk ka fushatë.
Por partia qeverisëse nuk mund të bëhet ura e domosdoshme ndërmjet njeriut dhe së drejtës që shteti i detyrohet.
Qytetari nuk duhet t’ia hapë hallin PS-së që administrata të zbatojë ligjin, as të njohë drejtuesin e zonës për të marrë përgjigje.
E drejta që mbërrin përmes partisë fillon të ndihet si mirësi, mirësia e pushtetit, edhe kur nuk kërkon votën me zë, prodhon një borxh të heshtur.
Republika fillon kur qytetari nuk ka nevojë për partinë që të arrijë te shteti.
Prova është e thjeshtë, a mund ta kundërshtojë qytetari qeverinë, ta refuzojë PS-në dhe përsëri të marrë të njëjtën të drejtë sipas të njëjtit ligj, të njëjtave kritere dhe pa ndëshkim politik?
A mundet një institucion jashtë ekzekutivit ta anulojë vendimin dhe ta detyrojë qeverinë të bindet?
A do të mbijetonte mekanizmi pas ndërrimit të pushtetit dhe do të përdorej edhe kundër atyre që e krijuan?
Nëse po, kemi institucion.
Nëse jo, kemi një instrument për administrimin politik të marrëdhënies me qytetarin.
Edhe mbiemri “besnike” hap një gjyq, besnike ndaj kujt?
Besnikëria ndaj qytetarit do të thotë se ai mund ta refuzojë partinë pa humbur asnjë të drejtë.
Besnikëria ndaj organizatës e kthen empatinë në instrument afrimi.
Kur përfundon te drejtuesi, marrëdhënia e vjetër vetëm sa ka marrë një fjalor më njerëzor.
Një parti nuk prodhon drejtues të lirë kur kundërshtimin ua lejon vetëm brenda mureve dhe jashtë u kërkon një zë të vetëm.
Nuk shpërndan autorësi, shpërndan detyra.
Nuk decentralizon pushtetin, decentralizon dëgjimin.
Veshë të shpërndarë, sovranitet i përqendruar.
Një aparat mund të ketë zë të butë, formular të qartë dhe drejtues që të sheh në sy.
Por dinjiteti i njeriut i paraprin njohjes së shtetit, ndërsa liria nuk është mirësi që drejtuesi ia dhuron qytetarit.
Pushteti respekton njeriun vetëm kur personi përballë tij fiton të drejtën e pasojës.
Kjo kërkon institucione që funksionojnë edhe kur drejtuesi nuk ka virtyt.
Një nga themelet e Perëndimit politik është mosbesimi ndaj pushtetit, i kthyer në kushtetutë, mbështetja ndërkombëtare nuk duhet ta shpëtojë të fortin vendas nga ligji.
Në ekonomi, kapitali nuk duhet të konkurrojë me favorin, fjala e kontratës duhet të vlejë më shumë se telefonata e të fortit.
Dhe institucioni që mësohet t’i bindet një njeriu e humb kujtesën e ligjit edhe pasi ai largohet.
Kjo është Besa e kthyer nga stoli folklorike në kufi republikan.
Prandaj rasti Rama nuk është episod anësor.
Pas trembëdhjetë vjetësh në qeverisje dhe tashmë në mandatin e katërt, ai nuk vjen nga jashtë aparatit që premton të korrigjojë.
Vetë ai e ka quajtur legjitime pyetjen pse kërkon të qëndrojë ende dhe e ka lidhur vazhdimësinë me çastin vendimtar të integrimit europian.
Aparati që premton të reformojë mban firmën e pushtetit të tij.
Mandati i katërt kërkon të administrojë edhe gjykimin mbi tri mandatet që e prodhuan.
Çfarë e bën mandatin e katërt zgjidhjen e një mënyre qeverisjeje që tri mandatet e para e kishin nën autorësinë e tyre?
Europa nuk është certifikatë pazëvendësueshmërie për një kryeministër.
Është shteti që vazhdon rrugën edhe kur kryeministri largohet.
Projekti europian është i institucionalizuar vetëm kur ndërrimi demokratik i qeverisë nuk e vë në rrezik.
Kur vazhdimësia e drejtuesit paraqitet si garanci e misionit kombëtar, historia kthehet në alibi të pranisë së tij.
Udhëheqësi që e vendos veten në qendër të çdo korrigjimi nuk ndërton institucion.
I jep varësisë një cikël tjetër jete.
Në panel, ankesa e qytetarit mund të figurojë e trajtuar.
Në jetën e tij, vendimi vazhdon ta dëmtojë.
Përfaqësuesi i partisë mund ta ketë dëgjuar me kujdes, ndërsa udhëheqësi i ka shpjeguar vendit pse kërkon të vazhdojë.
Por qytetari nuk ka nevojë për më shumë interpretues të hallit të tij.
Ka nevojë për një rend ku padrejtësia mund të anulohet nga dikush që nuk varet prej autorit të saj.
Çdo pushtet që merr nën kontroll edhe rrugën përmes së cilës qytetari duhet ta kundërshtojë, fillon të administrojë kuptimin e lirisë.
Besa politike nuk është fjala që jep i fuqishmi.
Është e drejta që fiton ai të cilit fjala i është dhënë.
Ajo fillon kur ai që premton nuk zotëron më edhe verdiktin mbi mbajtjen e premtimit.
Shqipërisë nuk i duhet një fjalë e madhe për t’i zgjatur jetën mandatit të katërt.
I duhet një Besë që e bën të përkohshëm çdo mandat.
Arian Galdini
.png)



Comments