Rama ikën, 21 gushti dhe guximi për Shqipërinë pas tij!

Nga Arian Galdini
Duket qartë se nuk janë të paktë qytetarët që nuk e duan më Edi Ramën, por edhe që ende nuk janë të sigurtë se e duan ditën pas tij.
Një grua që punon prej vitesh në administratë mund të ketë votuar Partinë Socialiste, mund të jetë lodhur nga arroganca e qeverisjes dhe përsëri të mendojë për familjen e vetë përpara se të mendojë për sheshin, a do ta gjykojë qeveria e ardhshme për bindjen e djeshme, a do t’i kërkohet një besnikëri tjetër, a do të mbetet puna e saj e lidhur me ligjin apo do të kalojë nga duart e një partie në duart e tjetrës?
Një sipërmarrës mund ta dijë se konkurrenca është shtrembëruar nga afërsia politike, por druhet se largimi i një telefoni të fortë do të sjellë vetëm numrin e pasardhësit.
Një i ri mund ta dëshirojë ndryshimin me gjithë shpirt dhe, prapëseprapë, të mos shohë përpara një vend ku aftësia e tij vlen më shumë se mbiemri, lidhja ose flamuri partiak.
Këta njerëz nuk e mbajnë Edi Ramën në pushtet sepse e adhurojnë.
Shpesh e mbajnë sepse nuk u është dhënë ende një arsye e mjaftueshme për të mos iu trembur mungesës së tij.
Kjo është fortesa e padukshme e një qeverisjeje të tejzgjatur.
Nuk përbëhet vetëm nga votat, administrata, mediat e afërta, interesat ekonomike dhe shumica parlamentare.
Përbëhet edhe nga pyetja që pushteti ka mbjellë në mendjen e atyre që e kundërshtojnë, po pas meje, kush, po pas meje, çfarë, po pas meje, a do të mbetet vendi në këmbë?
Një qeveri fillon të bjerë kur kjo pyetje humbet fuqinë e frikësimit.
Jo kur zemërimi bëhet më i zhurmshëm, por kur e ardhmja pas saj bëhet më e banueshme se e tashmja nën të.
Jo kur një turmë mblidhet për një natë madje as për çdo natë, por kur qytetarë të ndryshëm kuptojnë se nuk janë më të dënuar të zgjedhin ndërmjet nënshtrimit dhe kaosit.
Jo kur del një njeri që premton t’i shpëtojë, por kur lind një bashkim që ua kthen atyre përgjegjësinë e vendimit.
Më 21 gusht unë dua të dal përpara pikërisht për këtë.
Jo sepse besoj se një njeri i vetëm mund ta largojë nga zyra një kryeministër që ka pas vetes një aparat shumëvjeçar, një shumicë parlamentare dhe një sistem interesash të ndërtuar gjatë.
Do të ishte mendjelehtësi ta premtoja dhe mashtrim ta shisja si siguri.
Dal sepse dikush duhet të pranojë i pari rrezikun e një thirrjeje që nuk ka garanci, t’u kërkojë shqiptarëve të njihen përtej kampeve dhe ta vendosë përpara vendit një mundësi që deri sot ka mbetur e copëzuar në pakënaqësi, parulla dhe protesta që mbarojnë bashkë me natën.
Unë po dal përpara sepse nuk pranoj që Shqipëria të mbetet peng i një zgjedhjeje të mbyllur ndërmjet vazhdimit të Edi Ramës dhe rikthimit të pronarit të radhës.
Ky nuk është neutralitet ndërmjet qeverisë dhe opozitës.
Unë kërkoj largimin e Edi Ramës.
E kërkoj sepse mandati i katërt nuk mund të sillet si ardhje e parë, sikur qeverisja e sotme të ishte trashëguar nga një autor tjetër dhe sikur Kryeministri të qëndronte jashtë aparatit që tani premton ta korrigjojë.
Pas më shumë se një dekade, ai mban përgjegjësinë politike për mënyrën si është përqendruar vendimmarrja, si është afruar partia me shtetin, si është dobësuar kufiri ndërmjet shërbimit publik dhe besnikërisë politike, si është mësuar shoqëria të kërkojë zgjidhje nga e njëjta qendër që ka prodhuar problemin.
“BESA” dhe “Prania Besnike” e bëjnë kundërthënien edhe më të dukshme.
Pakënaqësia pranohet, por futet përsëri brenda metodës së Ramës.
Qytetari dëgjohet, por dëgjimi administrohet nga po ajo qeverisje.
Kritika njihet, por shndërrohet në lëndë për një ripërtëritje tjetër të mandatit të katërt.
Pas kaq vitesh, Kryeministri kërkon të jetë njëherësh autori politik i gjendjes, dëgjuesi i zemërimit dhe zotëruesi i korrigjimit.
Vjen një çast kur vetëkorrigjimi nuk mjafton më.
Vjen një çast kur pranimi i cenit nuk i jep pushtetit një të drejtë tjetër mbi zgjidhjen, por i kujton se edhe largimi është një formë përgjegjësie.
Një qeverisje nuk mund ta përdorë çdo pasojë të vetën si arsye për t’i kërkuar vendit një cikël tjetër të së njëjtës dorë.
Prandaj “Rama ikën” nuk është mallkim ndaj një njeriu.
Është emri i një procesi përmes të cilit shqiptarët ia heqin pushtetit të drejtën për ta paraqitur vazhdimin e vetë si të vetmen rrugë të arsyeshme.
Ky proces nuk lind i gatshëm në shesh.
Në fillim ekziston vetëm pakënaqësia, shpesh e vetmuar, e thënë në tryezë, në rrjetet shoqërore, në zyrë ose në një protestë ku njerëzit ende nuk e dinë nëse po bëjnë histori apo thjesht po përsërisin zhgënjimin e tyre.
Ajo bëhet vendim politik kur qytetarë me prejardhje të ndryshme arrijnë te i njëjti përfundim, Shqipëria nuk ka më nevojë për një variant tjetër të Edi Ramës, por për mbylljen e ciklit të tij.
Atëherë antiramisti i kahershëm nuk është më i vetëm.
Pranë tij mund të qëndrojë socialisti i zhgënjyer, qytetari pa parti, demokrati që nuk pranon ta lidhë të djathtën përgjithmonë me Sali Berishën, profesionisti që kërkon shtet e jo mik, i riu që refuzon të emigrojë vetëm sepse vendi i tij është zënë nga rrjete besnikërish, shqiptari i diasporës që nuk dëshiron të mbetet dekor vere dhe votë ceremoniale.
Ata nuk kanë nevojë të ndajnë të njëjtën ide për çdo çështje.
Duhet të bien dakord se një qeverisje e zgjatur nuk mund të jetë edhe shkaku, edhe shpjegimi, edhe zgjidhja e çdo krize që ka ndodhur nën drejtimin e saj.
Por bashkimi nuk fiton vetëm sepse është numerik.
Ai bëhet i besueshëm kur mbron edhe njeriun që nuk vjen në shesh.
Kjo është arsyeja pse qytetari socialist është prova më e rëndë e kësaj lëvizjeje.
Ai duhet të mund ta ruajë bindjen, ta votojë përsëri Partinë Socialiste ose të mos i besojë askujt, pa pasur frikë se puna, prona, pensioni, shërbimi publik ose dinjiteti i tij do të trajtohen si plaçkë e fituesit të ri.
Nëse humbja e partisë e ekspozon qytetarin ndaj hakmarrjes administrative, atëherë shteti kishte qenë partiak shumë kohë përpara se qeveria të largohej.
Ndryshimi që kërkoj nuk vjen për t’u hakmarrë ndaj gjysmës së Shqipërisë.
Vjen për ta çliruar edhe atë nga detyrimi që ta lidhë sigurinë e vetë me jetëgjatësinë e një drejtuesi.
Po aq e domosdoshme është që opozita të pranojë një kufi mbi veten.
Sali Berisha dhe Partia Demokratike kanë të drejtë të marrin pjesë me gjithë peshën e tyre politike, me strukturat, historinë dhe mbështetësit që përfaqësojnë.
Pa Sali Berishën e pa PD-në, një bashkim opozitar do të ishte i cunguar, nën pronësinë e saj, do të ishte përsëritja e së njëjtës sëmundje.
Pjesëmarrja nuk është titull trashëgimie mbi sheshin, mikrofonin ose rezultatin.
Largimi i Ramës nuk është marrëveshje e heshtur për rikthimin automatik të Berishës.
I njëjti kusht vlen për partitë e reja, për LRE Rinisjen dhe për mua.
Unë mund të bëj thirrjen, të marr përgjegjësinë e nisjes, të mbledh njerëz që sot nuk flasin me njëri-tjetrin, ta mbroj objektivin nga pazaret dhe të qëndroj aty edhe pasi kamerat të jenë larguar.
Nuk mund ta prodhoj vetë legjitimitetin tim, ta shpall lëvizjen pronë të emrit tim ose ta përdor besimin e qytetarëve si një shkallë personale.
Mbështetja që kërkoj nuk është kurorë.
Është e drejta për të kryer një detyrë që mund të më hiqet po nga ata që ma japin.
Kjo është forma e lidershipit që dua të provoj më 21 gusht, të dal i pari pa pretenduar se jam i vetmi, të pranoj përgjegjësinë pa marrë në zotërim njerëzit dhe të udhëheq një fillim që duhet të vlejë edhe ditën kur nuk ka më nevojë për mua.
Nëse qytetarët dalin, 21 gushti nuk do ta rrëzojë Edi Ramën brenda mbrëmjes.
Por mund të bëjë diçka më vendimtare, mund t’ia heqë vazhdimit të tij pamjen e fatit të pashmangshëm.
Nëse opozita bashkohet rreth kërkesës pa e kthyer atë në pasuri të selive, qeveria do të përballet me një kundërshtim që nuk mund ta copëtojë lehtë.
Nëse qytetet vazhdojnë të mblidhen pasi skena çmontohet, nëse prania bëhet e qëndrueshme, nëse qytetari i moderuar sheh garanci dhe jo kërcënim, atëherë deputetët e shumicës do të duhet të peshojnë koston e mbajtjes së një qeverisjeje që nuk përfaqëson më normalitetin.
Institucionet do të përballen me një kërkesë që nuk synon t’i pushtojë, por t’i kthejë te funksioni i tyre.
Partnerët perëndimorë do të shohin një forcë që kërkon zgjedhje të lira, vazhdimësi euroatlantike dhe ndërrim kushtetues, jo një aventurë të maskuar si revoltë.
Prania qytetare nuk merr kompetencat e Kuvendit dhe nuk e zëvendëson votën.
Ajo ndryshon klimën morale e politike brenda së cilës Kuvendi, partitë dhe qeveria marrin vendime.
Mund ta bëjë dorëheqjen të pashmangshme, mund të prodhojë çarje në shumicë, mund t’i kthejë zgjedhjet e parakohshme në rrugëdaljen më të arsyeshme ose mund ta çojë vendin drejt një verdikti zgjedhor që nuk manipulohet më nga frika, administrata dhe pabarazia.
Kjo është mënyra se si një qytetar mund të nisë rrëzimin demokratik të një kryeministri, jo duke hyrë në zyrën e tij, por duke ndërtuar jashtë saj një vullnet shoqëror që ia heq qëndrimit të tij ligjshmërinë politike dhe ia dorëzon zgjidhjen institucioneve.
Më 21 gusht unë do të dal në shesh pa e ditur sa njerëz do të vijnë, sa parti do të kenë guximin të ecin pa kërkuar pronësinë dhe sa qytetarë do të vendosin se kjo përpjekje meriton rrezikun e tyre.
Mund të flas, të marr përgjegjësinë dhe të qëndroj aty.
Nuk mund të bëj në vend të shqiptarëve atë që vetëm ata mund ta bëjnë.
Atë mbrëmje, pyetja nuk do të jetë nëse Arian Galdini ka fuqinë personale për ta rrëzuar Edi Ramën.
Pyetja do të jetë nëse Shqipëria do ta lërë vetëm njeriun që doli përpara, apo do të njohë tek ai çast mundësinë për të dalë edhe vetë nga frika, nga përçarja dhe nga zgjedhja e përjetshme ndërmjet dy pronarëve.
Nëse qytetarët dhe opozita ngrihen bashkë, 21 gushti nuk do të jetë fundi i betejës.
Do të jetë dita kur Edi Rama fillon ta humbasë mbrojtjen e tij më të fortë, bindjen se shqiptarët nuk arrijnë ta përfytyrojnë vendin pa të.
Dhe kur një popull mund ta përfytyrojë të ardhmen pa sunduesin, rrëzimi i tij ka nisur.
Arian Galdini





Comments