top of page

Çdo ligj ka një trashëgimtar…

Sep 4
1 min read

Çdo ligj ka një trashëgimtar, edhe kur ai ende nuk ka lindur.


Politika numëron me kujdes mandatet.


Shumë më rrallë numëron pasojat që u mbijetojnë atyre.


Borxhi i marrë sot do të paguhet nesër.


Toka e dëmtuar nuk rikthehet me një konferencë shtypi.


Një shkollë e dobësuar vazhdon të humbasë njerëz shumë kohë pasi ministri ka ikur.


Një kontratë publike mund ta lidhë vendin më gjatë se emri i atij që e firmosi.


Prandaj çdo ligj, kontratë e madhe dhe vendim me pasoja afatgjata duhet të ketë Deklaratën e Trashëgimisë, çfarë i lë brezit pasardhës në borxh, pasuri, tokë, ujë, dije, aftësi prodhuese, siguri dhe institucione.


Por kjo nuk është vetëm çështje matjeje.


Është çështje e së drejtës.


Sepse ai që do ta trashëgojë vendimin tonë nuk mund ta kundërshtojë sot.


Nuk voton, nuk proteston, nuk paraqet ankim.


Pikërisht për këtë, sa më e pakthyeshme të jetë ajo që konsumojmë dhe sa më gjatë të zgjasë detyrimi që krijojmë, aq më shumë na takon neve të provojmë se po i lëmë së ardhmes më shumë mundësi sesa po i marrim.


Këtë kuptoj me Prindërim politik.


Jo shtetin që sillet si prind i qytetarit, por brezin që ka fuqinë sot dhe refuzon ta përdorë të nesërmen si pronë të vetë.


Një shumicë mund të ketë mandatin e sotëm. Nuk ka pronësi mbi të nesërmen.


Ne e mbajmë Shqipërinë vetëm për pak kohë.


Detyra është t’ua dorëzojmë atyre që vijnë pas me më shumë aftësi për të zgjedhur fatin e tyre, jo me më pak.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page