Çfarë do të thotë t’ia rinisësh?
- Arian Galdini

- 2 days ago
- 2 min read

Nga Arian Galdini
T’ia rinisësh nuk do të thotë të sillesh sikur dje nuk ka ndodhur.
Përkundrazi, njeriu mund t’ia nisë përsëri vetëm pasi e ka parë të shkuarën pa mashtruar veten për të.
Edhe një vend, nëse kërkon një fillim tjetër, nuk fiton asgjë duke grisur faqet që nuk i pëlqejnë.
Historia nuk zhbëhet.
Ajo ose kuptohet, ose përsëritet.
Kjo është arsyeja pse Rinisjen nuk e mendoj si një premtim se prej së premtes gjithçka do të jetë ndryshe.
Do të ishte e pavërtetë.
Shqipëria e 22 gushtit do të zgjohet me të njëjtat institucione, të njëjtat halle, të njëjtat interesa, të njëjtat mosbesime dhe me pothuajse të gjitha vështirësitë që kishte një ditë më parë.
Por një fillim i vërtetë nuk matet nga sa botë arrin të ndryshojë brenda një nate.
Matet nga ajo që një njeri vendos të mos e vazhdojë më në të njëjtën mënyrë.
Pikërisht këtu e gjej kuptimin politik të Rinisjes.
Mund t’ia rinisë demokrati pa hequr dorë nga bindjet e veta.
Mund t’ia rinisë socialisti që mendon se pushteti nuk duhet të bëhet pronë e askujt.
Mund t’ia rinisë ai që nuk ka qenë kurrë në një parti.
Mund t’ia rinisë një sipërmarrës që është lodhur duke kërkuar mik atje ku duhet t’i mjaftonte ligji, një prind që nuk pranon t’ia lërë fëmijës si trashëgimi borxhin moral të brezit të vet, një i larguar që ende e shqipton emrin Shqipëri si pjesë të jetës së tij, edhe një njeri që të premten vjen vetëm për të parë dhe largohet pa më premtuar asgjë.
Sepse të rinisësh nuk do të thotë të bëhesh i imi.
Do të thotë të rifitosh të drejtën për të mos qenë i askujt.
Kjo është edhe arsyeja pse nuk dua ta ngarkoj 21 gushtin me madhësi që ende nuk i ka.
Nuk e di sa njerëz do të vijnë.
Nuk do t’i numëroj përpara se të jenë aty dhe nuk do t’i shumëzoj pasi të jenë larguar.
Di vetëm përgjegjësinë time, të jem atje në orën që kam thënë, me fjalën që kam dhënë dhe pa i kërkuar realitetit të shtiret për të më bërë mua më të madh.
Në politikën tonë kemi harxhuar shumë vite duke pritur që fillimi të vinte nga maja.
Nga kryetari i ri.
Nga partia e re.
Nga marrëveshja e re.
Nga njeriu që premtonte se, po t’i jepej mjaftueshëm fuqi, do ta përdorte më mirë se ai përpara tij.
Unë dua të provoj një mendim tjetër.
Ndoshta një vend ia rinis pikërisht kur qytetari pushon së kërkuari një pronar më të mirë dhe fillon të kërkojë një Republikë ku pronari bëhet i panevojshëm.
Atëherë ndryshimi nuk është më ndërrimi i dorës që mban çelësin.
Është pyetja pse çelësi duhet të mbahet përgjithmonë nga një dorë.
Këtë dua të çoj me vete të premten, më 21 gusht, në orën 18:00, në Sheshin Skënderbej.
Jo pretendimin se po nis një epokë.
Vetëm përgjegjësinë për t’ia nisur aty ku jam, me aq sa kam, pa e zvogëluar atë që besoj dhe pa e zmadhuar atë që jam.
Sepse Rinisja, në fund, nuk është mosha e atyre që vijnë.
Është vendimi që e shkuara të mos fitojë të drejtën mbi të ardhmen vetëm ngaqë është përsëritur gjatë.
Arian Galdini




Comments