top of page

Çfarë ndodhi me mua dhe të djeshmen time?



Për hir të së vërtetës, ndodhi ajo që nuk e doje e nuk e prisja…


Ndodhi një tjetër rënie e dështim i imi..


Në shtator 2024 shpalla Shtegun e Vetmisë me shpresën e besimin, se ky vendim do të grishtte ndërgjegjet e atyre që ishin krah meje prej marsit 2020…


Nuk ia dola dot.


Më tej provova një mobilizim të mundshëm për të tentuar të rigjallëroheshim si Komunitet LRE për të hyrë në zgjedhjet e 11 majit 2025..


Nuk ia dola dot.


Vendosa të mos hynim në zgjedhjet e 11 majit e mora mbi supet e mia përgjegjësinë e dështimit tonë.


E megjithatë, asgjë nuk ndryshoi brenda nesh.


Mbetëm të vakët, ritualistë, e në grupet tona, vetëm bënin parada përshëndetjesh boshe çdo ditë nga ata që donin të dëshmonin se janë aty mes nesh e me ne, e heshtje guri nga ata që e kishin ndarë mendjen të parkonin emrin në grupet tona të punës e komunikimit.


Provova riorganizime e rishperndarje grupesh komunikimi, e prape njëlloj, ritual përshëndetjesh e vaktësi vrastare, boshësi e zbrazëti.


E kuptoj që dështimi im i vazhdueshëm si Kryetar i LRE ka lënë gjurmën e vetë tek secili nga anëtarët e Komunitetit LRE.


E kuptoj që gjithashtu gabimet e mia trashanike të vazhdueshme, shpesh me ngurrime, frikëra, mosbesime, dyshime, e paranoja çmendurake, na shkaktuan shumë plagë e ndarje e ligështi të brendshme.


Paskam qenë i papërgatitur e naiv e jo i duhuri e jo i drejtë, për të qenë Kryetar e Drejtues i një Partie apo Komuniteti Politik.


Përgjegjësia e faji janë krejt të miat.


Marr unë përgjegjësinë time të plotë e ju kërkoj të falur të gjithëve, të gjithë juve anëtarë e dashamirës të Komunitetit LRE e të grupeve të punës e komunikimit LRE…


Faji është i gjithi i imi.


Përgjegjësia është e gjitha e imja.


Dyshimet e mia, paranoja ime, mosbesimi im, dhimbjet e ngërçet e mia u kthyen në pengesë madhore për normalitetin tonë.


E ju të lënduar e të habitur e të pakuptuar, zgjodhët vaktësinë, ndërsa unë shihja veç vetminë.


Faji im solli vaktësinin tuaj dhe vetminë time.


Ju kërkoj të falur të gjithëve, por unë nuk mund ta përballoja dot më as vaktësinë tuaj të drejtë e as vetminë time të merituar.


Ndaj vendosa që më mirë të vijoj e bashkëjetoj me vetminë time të merituar, sesa të vuaj vetë e tju stresoj e mërzis e bezdis e lëndoj edhe juve duke ju përmendur çdo ditë “vaktësinë” tuaj.


Provova dorëheqjen.


Nuk funksionoi.


Ia dorëzova LRE, e drejtimin e LRE një Kryetari të ri.


Nuk funksionoi.


Provova Paktin e Urtisë, e përsëri nuk funksionoi.


Deklarova rikthimin tim para pak ditësh, e edhe kësaj radhe nuk dha ndonjë ndryshim.


Kjo do të thotë se faji e përgjegjësia qëndrojnë mbi mua ndaj duhej tju çliroja nga vetja ime të gjithëve.


Dola nga çdo grup komunikimi e pune LRE, e nuk do jem më me askënd në asnjë grup, sepse dua të duroj vetminë time.


Misionin tim me vetminë time, di e mundem ti mbaj.


Jeni të lirë të më shani, braktisni, gjykoni, zhgënjeheni.


Fajet janë të gjitha të miat, e po ashtu edhe përgjegjësitë.


Por vetmia është kostum që mua më duket i merituar tashmë.


Ju kërkoj të falur nëse ju kam bërë të ndiheni të lënduar, zhgënjyer e braktisur.


Ma lini mua fajin e përgjegjësinë.


I mbaj, e shkoj i qetë, e vijoj njëlloj atë që kam nisur i vetmuar.


Bekime e përqafime,


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page