Dalëzotësi
- Arian Galdini

- Apr 28
- 14 min read

Novelë
Nga Arian Galdini
I
Njeriu që nuk kishte vend
Pranë furrës, një arkë buke u ça te cepi kur djali e zbriti nga furgoni.
Disa thërrime ranë mbi trotuar dhe u përzien me pluhurin e mëngjesit.
Gruaja që po fshinte pragun e lokalit i shtyu me leckën e lagur pa i parë.
Uji ishte i ndenjur, pak i thinjur nga nata, dhe la pas një vijë të zbehtë mbi pllakat e krisura.
Më tutje, një qepen ngeci përgjysmë.
Burri brenda e tërhoqi zinxhirin dy herë, hekuri kërciti, u drodh, pastaj mbeti aty ku ishte.
Nga një dyqan tjetër doli vetëm një dorë me çelës, u fut sërish brenda, dhe drita u ndez pa e ndryshuar rrugën.
Autobusi ndaloi te stacioni me frymën e rëndë të një kafshe të vjetër.
Dera u hap.
Këmbët hynin vetë, duart kapnin shufrën, sytë mbeteshin jashtë për një çast dhe pastaj dorëzoheshin.
Mëngjesi nuk erdhi.
U hapën gjërat.
Ai zbriste rrugës së ngushtë mes pallateve të zverdhura, me pallton që e kishte nxjerrë nga stina dhe me një çantë lëkure të vjetër, të errësuar te doreza nga dora e viteve.
Brenda mbante një libër me faqe të palosura, një fletore të zezë, një stilolaps që herë linte bojë, herë gërvishtte faqen kot, një karikues të lidhur me shirit izolues, një faturë dritash të palosur më katërsh dhe një palë çelësa që tingëllonin thatë, sikur hapnin dyer ku hyhej nga nevoja, jo nga kthimi.
Telefoni kishte një krisje të hollë në ekran, sa herë ndizej, qelqi ia ndante fytyrën me një vijë të ftohtë.
Në kartën e identitetit kishte emër.
Emër të plotë, fotografi, datëlindje, numër personal.
Te sporteli ia thanë emrin pa gabim.
Në radhë, po ashtu.
Një mëngjes më parë kishte hyrë në një zyrë të vogël pranë njësisë, për një vërtetim që i duhej, më shumë për të mbyllur një punë sesa për të hapur një tjetër.
Në hyrje, aparati i numrave nxori një letër të shtrembër.
Ai e mori dhe priti.
Xhami i sportelit ishte plot me shenja gishtash të thata, një burrë para tij e fshiu me mëngë vendin ku do të mbështeste bërrylin, pastaj nuk e mbështeti.
Në mur, një orë plastike ecte me një vonesë të vogël. Askush nuk e rregullonte.
Kur i erdhi radha, sportelistja mori kartën, e futi në lexues dhe pa ekranin.
- Emri del, - tha.
Ai priti.
Ajo shtypi disa herë.
Lexuesi dha një tingull të hollë dhe pushoi. Printeri, pas saj, u zgjua për një çast, tërhoqi gjysmë gishti letër dhe ndali.
Ajo e pa ekranin më gjatë.
- Rubrika nuk hapet.
- Cila rubrikë?
- Ajo ku duhet të dilni.
Nuk kishte ashpërsi në të.
Nuk kishte as keqardhje.
Ajo thjesht uli sytë te numri tjetër.
Sportelistja ia shtyu kartën mbi xhamin e gërvishtur.
Nuk e përzunë. Askush nuk e ngriti zërin. Emri i tij mbeti në ekran. Pas tij, radha lëvizi.
Jashtë, zakonisht mjaftonte të ngrinin mjekrën drejt tij. “Ai”, thoshin. “Ky.”
“Ai që flet.” “Ai që nuk e ka kuptuar lojën.”
Pastaj edhe këto u kursyen.
Kur hynte diku, biseda vonohej pak.
Pastaj rifillonte, më e ulët.
Pranë një kafeneje të ngushtë, burrat e mëngjesit rrinin të përkulur mbi filxhanët e tyre.
Askush nuk dukej sikur po pinte vetëm kafe. Secili mbante diçka pezull mbi tavolinë, një lajm, një hamendje, një emër që mund të përdorej më vonë.
Aty ai pa një ish-shok universiteti.
Tjetri e njohu menjëherë.
Kjo u duk nga mënyra si nuk e pa.
Ktheu kokën drejt xhamit anësor pak më herët se ç’duhej, pastaj ngriti dorën për të rregulluar jakën, sikur kujtesa të ishte një njollë në këmishë.
Askushi vazhdoi.
Dikur ndalej, përshëndeste, i bënte gjërat më të lehta për ata që nuk kishin guxim ta mbanin shikimin.
Tani nuk i dilte më zemër.
Kishte mësuar se njeriu mund të poshtërohet edhe duke u kursyer.
Në cep të trotuarit, një grua shiste lule mbi një stol plastik.
Karafilat e bardhë rrinin në një kovë të kaltër, tulipanët më vete, trëndafilat pak të ngritur mbi letrën e lagësht të mëngjesit.
Gruaja e pa dhe e thirri me sy.
- Merre një, - i tha kur ai u afrua. - Sot kanë ardhur të mira.
Ai preku majën e një karafili.
Petalet ishin të freskëta, te kërcelli, gjethet kishin nisur të errësoheshin.
- S’kam ku ta çoj.
Gruaja nuk u habit.
Kishte parë burra që blinin lule dhe pastaj nuk dinin si t’i mbanin në dorë.
- Çoja vetes, atëherë.
Ai futi dorën në xhep.
Nuk i nxori të gjitha monedhat.
Njërën e kishte ndarë për autobus.
Tjetra nuk mjaftonte për karafilin.
Dy copa metali prekën njëra-tjetrën me zhurmë të vogël.
Në atë tingull nuk kishte varfëri të madhe. Vetëm turpin e hollë të një monedhe që duhej ruajtur për kthimin.
- Do kthehem, - tha.
Gruaja e kuptoi se nuk do të kthehej. Megjithatë nuk e demaskoi.
I ktheu sytë te kova e kaltër dhe rregulloi një karafil që s’kishte nevojë të rregullohej.
Në shtëpi kishte lënë nënën zgjuar.
Ajo nuk e pyeste më ku shkonte.
Pyetjet, në pleqëri, bëhen më të rralla jo nga ftohja e dashurisë, por nga frika se përgjigjja do të jetë më e rëndë se padija.
Atë mëngjes i kishte vënë mbi tavolinë një copë bukë të thekur, pak djathë dhe një gotë çaji që kishte ftohur.
Ai nuk kishte ngrënë.
- Merre të paktën bukën, - i kishte thënë ajo, pa e ngritur zërin.
- S’kam uri.
E tha pak më ashpër nga ç’duhej.
Fjalia doli e vogël, por la vend në dhomë. Nëna nuk u prek me fjalë.
Vetëm mori bukën, e mbështolli me një copë letër të hollë dhe e la pranë skajit të tavolinës, aty ku ai mund ta merrte pa e pranuar se po e merrte.
Ai kërkoi çelësat.
I gjeti nën gazetën e palosur.
- Biri im, - tha ajo, - mos u bëj aq i drejtë sa të mos të mbetet vend ku të rrish.
Ai ndali pranë derës.
Nuk donte të kthehej, sepse e dinte se në fytyrën e saj do të gjente atë lutje që nuk i kërkon njeriut të tradhtojë veten, vetëm të mos i japë botës arsye për ta shtypur.
- Nuk di ku të rri ndryshe, nënë, - tha më në fund. - Po atë që s’e shes dot, nuk dua të ma marrin.
Nëna uli sytë te duart e veta.
Ato duar kishin larë rroba, kishin arnuar mëngë, kishin mbyllur dritare para erërave të liga, kishin mbajtur ballin e tij kur ishte fëmijë me ethe.
Nuk u besonin më lehtë fjalëve, sado bukur të dilnin.
Pastaj mblodhi me majë të gishtave thërrimet e vogla pranë pjatës dhe i hodhi në pëllëmbë.
- Jeta nuk të merr gjithçka me dhunë, - tha.
U kthye te lavamani. E shpëlau gotën. Cipa e çajit u nda në ujë dhe u zhduk ngadalë.
- Shpesh të lutet pak nga pak.
Ai nuk gjeti kundërshtim.
Nëna nuk mbronte frikën, as rehatinë, as heshtjen e lagjes.
Mbronte diçka më të lashtë, mundësinë që njeriu të mbetet gjallë edhe kur nuk fiton dot.
Ai iu afrua, ia puthi dorën dhe doli pa e kthyer kokën.
Bukën nuk e mori.
Pas derës dëgjoi kollën e saj të shkurtër.
Ajo kollë i qëndroi në vesh gjatë gjithë rrugës.
Në një mur pranë kazanëve të plehrave, dikush kishte shkruar natën: “Mos na shpëtoni më.”
Shkronjat ishin të shtrembra, por jo të nxituara.
Ai ndali, e lexoi dy herë, pastaj vazhdoi.
Për herë të parë atë mëngjes ndjeu se nuk ishte vetëm ai që nuk dinte më si të lutej.
Hyri në lokalin e vogël ku shkonte rëndom. Nuk kishte muzikë të lartë, vetëm një televizor që rrinte ndezur, siç rrinë ndezur gjërat që askush s’i dëgjon më.
Banakieri, një burrë i hollë me sy të lodhur dhe mëngë të përveshura, i solli kafen pa e pyetur.
Filxhani kishte një të çarë pranë buzës.
Ai e rrotulloi pak, që të pinte nga ana tjetër.
- Sot do kesh prapë ndonjë mbledhje? - pyeti banakieri.
- Nuk është mbledhje.
- Po çfarë është?
Askushi hapi fletoren, pa faqen e zbrazët dhe e mbylli prapë.
- Nuk e di.
Banakieri priti.
- Ndoshta një gabim, - shtoi ai.
- Mirë, - tha banakieri. - Për gabim zakonisht s’të kërkojnë faturë.
Askushi buzëqeshi lehtë, sa për të mos e lënë fjalinë të rrinte vetëm mbi tavolinë.
Në televizor u shfaq një politikan i ri, me kostum të errët dhe flokë të rregulluar si për fotografi pasaporte, vetëm më të lumtur.
Pas tij lëvizte një sfond blu, me drita të bardha që jepnin përshtypjen e pastërtisë. Titulli poshtë ekranit fliste për ripërtëritje, pastërti publike, energji qytetare.
- Edhe ky paska pastërti, - tha banakieri.
- E kanë nxjerrë lirë këtë muaj.
Banakieri qeshi me hundë, pastaj u bë serioz.
- Mos fol shumë kështu.
- Pse?
- Ta marrin. Pastaj del sikur ti je i vonuari.
Askushi nuk tha asgjë. Nuk ishte paralajmërim i madh.
Ishte shënim i një njeriu që kishte parë shumë fytyra të hynin me emra të ndryshëm dhe të dilnin me të njëjtin ton. Mori filxhanin. Kafeja ishte e hidhur, e pakujdesshme, e ndershme në varfërinë e vet.
Në atë çast hyri Dritani.
Përpara se ta shihte plotësisht, ndjeu aromën e tij, një parfum i butë, i huaj, i zgjedhur me kujdes.
Dikur kishin kaluar net të gjata bashkë, me libra të hapur, me shishe të lira vere, me bindjen se vendi ishte ende një lëndë që mund të formohej nga duar të ndershme.
Pastaj Dritani kishte hyrë në parti, më vonë në një fondacion, më pas në një këshill ku fjalitë humbnin tehun përpara se të dilnin në publik. Tani dukej i qetë. Jo i lumtur. Qetësia e tij kishte kosto, por ai kishte vendosur ta quante pjekuri.
Ai u ul pa ftesë.
Mbi dorën e majtë mbante një unazë të hollë martese, pak më të shtrënguar seç duhej, poshtë saj lëkura dukej e bardhë, si vend që nuk e prekte dielli.
Para se të fliste, ktheu orën pak nga brenda, me një lëvizje të shpejtë që e kishte bërë ndoshta shumë herë në takime ku koha nuk duhej parë hapur.
- Sa kohë, - tha.
Askushi e pa. Në fytyrën e tjetrit nuk kishte armiqësi. Kjo e bëri më të vështirë.
- Koha ka kaluar, - tha. - Ne jemi munduar ta ndjekim me mënyra të ndryshme.
Dritani vendosi telefonin mbi tavolinë, me ekranin poshtë. Gjest i vogël, i stërvitur, kishte ardhur të dukej i sinqertë. Ekrani u ndez për një çast.
Askushi pa vetëm një rresht, para se Dritani ta kthente më shpejt:
Mos harro ilaçet.
Fjalia mbeti mes tyre më gjatë se telefoni.
- Të kam dëgjuar, - tha Dritani. - Ca gjëra i thua mirë.
Askushi priti.
- Por i thua sikur do që njerëzit të mos kenë ku të fshihen. Kjo nuk është politikë. Kjo është gjyq.
Askushi uli sytë te filxhani. E çara pranë buzës dukej më e gjatë nga afër.
- Ndoshta, - tha. - Nuk di ta bëj më ndryshe.
Dritani nuk u nxeh. Lodhja e tij ishte më bindëse se zemërimi.
- Po njerëzit nuk jetojnë dot përditë në majë të thikës. Kanë fëmijë, qira, kredi, prindër të sëmurë. Nuk mund t’u thuash çdo mëngjes, ose jini të pastër, ose jeni pjesë e ndyrësisë.
Askushi uli sytë. Kjo nuk ishte gënjeshtër. Aty qëndronte rreziku i Dritanit, nuk vinte me mashtrim të plotë.
Sillte një copë të së vërtetës, të prerë hollë, të gatshme për t’u përdorur si fashë mbi një plagë që ndoshta duhej lënë hapur.
- E di, - tha.
Dritani u befasua pak. Ndoshta kishte pritur kundërshtim.
- Atëherë pse vazhdon?
Askushi nuk gjeti përgjigje menjëherë.
Iu kujtua nëna, gota e çajit e ftohur, kolla pas derës, buka e mbështjellë pranë skajit të tavolinës.
Iu kujtua fatura e dritave që mbante në çantë, e palosur më katërsh, sikur palosja mund t’ia ulte peshën.
Mendoi se ndoshta Dritani kishte të drejtë për një pjesë të jetës, dhe kjo e mërziti më shumë se çdo sulm.
- Sepse nuk di të kthehem, - tha. - Jo pa u bërë dikush tjetër.
Dritani u zbut.
Në atë zbutje kishte edhe miqësi të mbetur, edhe një butësi të mësuar në shumë tavolina.
- Ka njerëz që duan të të japin hapësirë. Nuk po të them të shitesh. Mos e merr kështu. Po të them të mos e shpërdorosh veten. Ka një grup të ri. Më i hapur, më pak i kapur nga sa mendon. Mund të hysh pa u përlyer.
Askushi pa filxhanin e çarë. Ndoshta për herë të parë atë mëngjes deshi t’i thoshte po një gjëje të lehtë.
Jo Dritanit, jo grupit, jo ofertës.
Lehtësisë vetë.
Të mos ishte gjithmonë i ngrirë te dera.
Të hynte diku.
Të mos ia shpjegonte më nënës mungesën si zgjedhje.
Të mos numëronte monedha para karafilave.
- Ndoshta, - tha.
Dritani e dëgjoi fjalën dhe u përkul pak.
- E sheh?
Askushi ngriti sytë.
- Thashë ndoshta, jo po.
- Buka nuk paguhet me dallime.
Banakieri, nga larg, uli zërin e televizorit. Askushi ndjeu një therje poshtë brinjëve, jo nga fyerja, por nga saktësia.
Dritani e dinte ku vuante njeriu që flet për të pakthyeshmen dhe numëron monedha para luleve.
- E di, - tha përsëri.
- Atëherë pse më bën sikur jam unë tradhtari?
Askushi hapi gojën, por nuk i doli fjali.
U mbyll.
Në lokal hyri një fëmijë me çantë shkolle dhe bleu një briosh të mbështjellë.
I ra një monedhë poshtë tavolinës, u përkul, e ndoqi me gisht, e gjeti dhe iku me vrap.
Gjë e vogël, e papërshtatshme për parime të mëdha, por pa gjëra të tilla asnjë ditë nuk mbahet.
- Ndoshta s’di si ta them ndryshe, - tha më në fund. - Ndoshta kjo është pjesa ime e keqe.
Dritani u step. Kjo ishte përgjigjja e parë që nuk mund ta fuste menjëherë në ndonjë dosje.
- Do jesh sonte në atë sheshin e vogël?
- Po.
- Do vijnë pesë vetë.
- Ndoshta.
- Dhe çfarë do bësh me pesë vetë?
Askushi mori fletoren.
- Do përpiqem të mos i gënjej.
Dritani u ngrit.
Nga xhepi nxori një kartëvizitë dhe e la mbi tavolinë.
Ishte e bardhë, e trashë, me logo të hollë në cep, me emrin e tij dhe me një titull të gjatë që kërkonte më shumë hapësirë se njeriu që e mbante.
- Nesër mund të flasim prapë, - tha. - Jo për t’u dorëzuar. Për të mos u djegur kot.
Askushi e mori kartëvizitën vetëm pasi Dritani doli. E ktheu nga ana e pasme. Bardhësia aty ishte e pastër, pa shenjë, pothuajse fyese.
Iu duk se letra ishte më e sinqertë nga prapa sesa nga përpara.
E futi në fletore.
Pasdite shkoi te sheshi. Nuk ishte shesh i vërtetë, më shumë një zgjerim rruge ku dikur dikush kishte menduar të bënte një vend qëndrimi.
Kishte një pemë të vjetër, tre stola të shtrembër, një shitës misrash, një pllakë mermeri me emra që shiu dhe pluhuri i kishin zbehur.
Përballë, një farmaci ndizte kryqin jeshil edhe pse ende kishte dritë.
Te muri anësor, dy studentë ngjisnin një poster për një takim mbi rininë dhe kthesën qytetare, ngjitësi u rridhte në gishta.
Nuk erdhën shumë njerëz.
Një grua me dy qese ushqimesh.
Një burrë me këmishë të lirë.
Plaku me kapelë. Dy studentë.
Një djalë që rrinte larg, gati për t’u larguar. Një vajzë me flokë të lidhur, me një bllok të bardhë nën sqetull.
Ajo kishte punuar dikur për një fushatë që premtonte pastrim.
Në anën e pasme të faqes së parë, nën një vijë të zbehtë boje, dukej ende gjysma e një fjalie të vjetër: “Të rinjtë meritojnë…”
Ajo e hapi bllokun, pa atë mbetje dhe e mbuloi me pëllëmbë.
Askushi nuk u ngjit askund.
Nuk kishte tribunë. Poshtë, të paktën, fytyrat ishin afër. Kjo e bëri të ulë zërin.
Hapi fletoren, pa kartëvizitën e Dritanit të futur mes faqeve, pastaj e mbylli.
Ajo që kishte përgatitur iu duk tepër e rregullt.
Përballë nuk kishte turmë, vetëm pak njerëz të lodhur, të veçantë, të pambrojtur nga përgjithësimet.
- Nuk kam ardhur t’ju jap shpresë, - tha.
Gruaja me qese uli sytë te buka që i dilte nga letra. Ai e pa dhe u pendua.
Ndoshta kishte nisur keq.
Ndoshta Dritani kishte pasur të drejtë, jo çdo plagë duhet hapur me thikë.
- Jo kështu, - tha pas pak. - E nisa keq.
Pastaj nuk gjeti menjëherë fjalën tjetër.
Disa pritën. Një motor kaloi pranë rrugës dhe ia mori çastin. Ai e la të kalonte.
- Nuk kam sjellë gjë për t’jua dhënë, - tha më në fund. - As ngushëllim. As rrugë të shkurtër.
Zëri iu duk i huaj. Sikur e dëgjonte nga një burrë tjetër, më i rregullt se ai vetë.
Kjo nuk i pëlqeu.
- Dikur edhe unë kam dashur një karrige, - tha. - Njeriu lodhet duke folur nga toka.
Djali larg grupit lëvizi pak telefonin, por nuk e ngriti ende. Plaku me kapelë nuk ia ndau sytë.
Gruaja me qese i shtrëngoi dorezat më fort.
- Pastaj pashë çfarë bën karrigia me zërin, - shtoi.
Kjo ishte më shumë se ç’duhej.
E ndjeu vetë. U ndal.
Shitësi i misrave uli hekurin me të cilin rrotullonte prushin.
Një kalli ishte nxirë në njërën anë, ai e ktheu me shpejtësi, por era e djegies u përhap prapë.
Askushi heshti.
Era i preu atë që po kërkonte të thoshte. Njerëzit kthyen kokën nga prushi.
Për disa çaste, askush nuk e dëgjoi më.
Ai mund të vazhdonte, të ngrinte zërin, ta merrte përsëri vendin e vet para tyre.
Nuk e bëri.
Priti sa shitësi ta hiqte kallirin e djegur dhe ta linte mënjanë mbi një gazetë të vjetër.
Kalliri rrinte atje, me anën e zezë të kthyer lart. Askush nuk e kërkoi.
Shitësi e preku me majën e hekurit, sikur po provonte nëse mund të shpëtohej ende, pastaj e la prapë.
Askushi pa qesen e gruas, bukën që dilte pak nga letra, gishtat që e shtrëngonin te nyja.
- Prej kësaj, - tha.
Nuk shtoi menjëherë asgjë.
Ndoshta edhe kaq ishte shumë.
Vajza me bllokun e bardhë e hapi kapakun, por nuk shkroi.
Një faqe e zbrazët u duk për pak, pastaj era ia ktheu lehtë.
Ai deshi të thoshte: mos më ndiqni.
Fjalia i erdhi e plotë, e gatshme, pothuajse e pastër. Prandaj nuk ia besoi.
Pa gruan me qese, plakun me kapelë, djalin që mbante telefonin ulur, vajzën me bllokun e bardhë.
Nuk i njihte aq sa t’u bëhej vend.
- Jo tek unë, - tha më në fund.
Pastaj heshti, sepse e ndjeu se edhe kjo ishte pak më e rregullt nga ç’duhej.
Djali larg grupit ngriti telefonin për të filmuar. Askushi e pa dhe nuk e ndali.
Këtë herë nuk i tha asgjë.
Ndoshta kishte folur mjaft.
Ndoshta disa gjëra, po u mbrojtën tepër nga përdorimi, vdesin pa prekur askënd.
Fjalimi mbaroi pa duartrokitje. Kjo i pëlqeu. Pastaj nuk i pëlqeu.
Një pjesë e tij, më e vogël dhe më turpëruese, kishte pritur një shenjë.
Jo brohoritje, jo adhurim, vetëm një provë se nuk kishte folur kot.
Kur nuk erdhi, ndjeu një boshllëk të prerë.
U turpërua nga kjo nevojë e vetja. Edhe ai donte, pra, të shpërblehej.
Edhe ai, që fliste kundër tregut të shpirtit, priste të merrte diçka pas pagesës së vet.
Njerëzit u shpërndanë ngadalë.
Plaku me kapelë i kaloi pranë dhe tha vetëm:
- Të lodh kjo punë.
Askushi pohoi me kokë.
- Po.
Plaku pa nga vendi ku pak më parë kishin qenë të tjerët.
- E dëgjon veten kur flet?
Askushi nuk u përgjigj.
- Edhe e drejta lodhet nga i njëjti zë, - tha plaku dhe iku.
Askushi mbeti pranë pllakës së vjetër.
Emrat mbi mermer mezi lexoheshin.
Në njërin prej tyre kishte rënë një njollë nga misri i pjekur, a ndoshta nga ndonjë lëng tjetër.
Ai nxori shaminë nga xhepi dhe e fshiu.
Nuk e pa askush. Kjo e qetësoi.
Kur u kthye në shtëpi, nëna kishte lënë në sobë gjellën të mbuluar.
Nuk ishte në dhomë.
Ndoshta flinte, ndoshta bënte sikur flinte për të mos e pyetur.
Ai hëngri në këmbë dy lugë, pastaj e la.
Në tryezën e tij nxori fletoren dhe kartëvizitën.
Ana e bardhë i rrinte përballë, e kthjellët, e padëmshme, e rrezikshme pikërisht ngaqë nuk kërkonte asgjë.
Shkroi mbi të: “Dilni vetë zot.”
E pa gjatë.
Fjalia ishte më e shkurtër nga sa duhej dhe më e rëndë nga sa dukej.
Deshi ta fshinte, por kartoni nuk e pranonte gomën pa u çjerrë.
Vija e parë e fshirjes la një shenjë të turbullt, si plagë të hollë mbi lëkurë letre.
Ai nuk vazhdoi.
Nga dhoma tjetër erdhi kolla e nënës.
Pastaj heshtje.
Jashtë, një motor u ndez dhe u largua.
Diku poshtë, dy djem qeshën me zë të lartë. Qeshja u ngjit deri te xhami dhe u shua.
Ai e la kartëvizitën hapur mbi tryezë, fiku abazhurin dhe nuk u zhvesh.
U shtri mbi krevat me pallton ende në trup. Në errësirë, fjalia mbi letrën e bardhë nuk shihej më.
Vetëm krisja e telefonit, ku binte pak dritë nga rruga, ndante qelqin në dy pjesë.
Në mëngjes, para se të dilte për të blerë bukë, nëna hyri pa zhurmë në dhomë.
Pa kartëvizitën mbi tryezë, por nuk e mori.
U afrua vetëm sa të kuptonte se aty ishte shkruar diçka.
Pastaj vuri pranë saj karafilin e bardhë që ai nuk e kishte blerë.
Nuk i tha kurrë ku e kishte gjetur.
Fundi Pjesa 1
Vijon…
.png)



Comments