top of page

Dashuria për Shqipërinë duhet të bëhet e aftë!


Nga Arian Galdini


Një mjek mund ta dojë jetën njerëzore me gjithë shpirtin e vetë, po nuk e njeh trupin, dashuria e tij nuk shëron.


Një inxhinier mund ta dojë qytetin, po nuk di të llogarisë, ura e tij nuk mban.


Një mësues mund ta dojë fëmijën, po nuk zotëron dijen dhe artin e mësimdhënies, qëllimi i mirë nuk bëhet arsim.


Edhe dashuria për Shqipërinë i nënshtrohet të njëjtit gjykim.


Nuk mjafton ta duam.


Duhet të bëhemi të aftë t’i shërbejmë.


Më 21 gusht u takuam.


Njerëz që deri atëherë e njihnin njëri-tjetrin vetëm përmes ekranit dolën nga shtëpitë, erdhën në Shesh dhe vijuan më pas në Kuvendimin e LRE Rinisjes.


Ajo ditë nuk na dha të drejtën të shpallim veten më të mëdhenj nga sa jemi.


Na dha diçka shumë më të dobishme, mundësinë për të filluar një punë që tani duhet ta provojë vlerën e vet në dije, në program, në organizim dhe në shërbim të qytetarit.


Këtej e tutje, fjala jonë nuk mund të jetojë vetëm nga bukuria e parimit.


Duhet të hyjë në hollësitë ku vendoset jeta.


Te klasa ku një fëmijë kalon vite pa mësuar të mendojë.


Te familja që kursen jo për të ndërtuar këtu, por për të larguar fëmijën.


Te toka që mbetet djerrë ndërsa Shqipëria importon atë që mund të prodhonte.


Te sipërmarrësi që e njeh ligjin, por detyrohet të kërkojë njeriun që njeh zyrën.


Te qyteti që humbet njerëzit, shërbimet dhe të drejtën për të marrë vendime pranë vetes.


Te pacienti që nuk kërkon privilegj, por një sistem që e trajton sëmundjen pa e rrënuar familjen.


Te shqiptari në mërgatë që ka dije, përvojë dhe mundësi, por nuk gjen një derë serioze për t’i vënë ato në shërbim të vendit të vetë.


Pikërisht këtu fillon programi.


Programi nuk është një raft premtimesh që hapet përpara zgjedhjeve dhe harrohet pasi mbyllen kutitë.


Është mënyra si dashuria për vendin pranon të japë llogari.


Sa kushton propozimi?


Kush e zbaton?


Cili ligj duhet ndryshuar?


Brenda çfarë kohe?


Si e kupton qytetari se premtimi u mbajt?


Çfarë ndodh me zyrtarin që nuk e kryen detyrën?


Dhe mbi të gjitha, çfarë nuk duhet të bëjë as qeveria jonë, edhe kur do ta kishte fuqinë ta bënte?


Pa këto përgjigje, politika mund të jetë emocion, revoltë, ligjërim ose dëshirë e mirë. Nuk është ende aftësi për të qeverisur.


LRE Rinisja duhet të ndërtojë pikërisht këtë aftësi.


Do ta kundërshtojmë qeverinë Rama fort, qartë dhe pa ekuivok.


Mandati i katërt e ka konsumuar të drejtën për t’i paraqitur plagët e shtetit si trashëgimi të dikujt tjetër.


Administrata që nuk përgjigjet, prona që nuk ndihet e sigurt, privilegji që maskohet si investim, pushteti vendor që pret urdhër nga Tirana, media e varur nga interesat e pronarit dhe familja shqiptare që e mendon të ardhmen jashtë vendit janë pjesë e Shqipërisë që kjo qeveri ka pasur kohë të mjaftueshme ta ndryshojë.


Ne nuk do ta kundërshtojmë me sharje.


As me mallkimin që dështimi i shtetit të bëhet sukses i opozitës.


Do ta kundërshtojmë me çështje të identifikuara, me dokumente, me përgjegjës konkretë dhe me një alternativë që mund të gjykohet.


Kur qeveria propozon diçka të dobishme, do ta pranojmë pa kompleks.


Kur paraqet një fasadë si reformë, do ta zbërthejmë.


Kur cenon qytetarin, pronën, konkurrencën, bashkësinë vendore ose interesin kombëtar, do të përballet me kundërshtimin tonë të plotë.


Opozita nuk fiton besueshmëri duke e quajtur të zezë çdo gjë që vjen nga qeveria.


E fiton kur qytetari kupton se ajo di të dallojë, të gjykojë dhe të ofrojë më mirë.


Edhe doktrina jonë duhet të hyjë në jetë në këtë mënyrë.


E Djathta Humane do të provohet te buxheti, te taksa, te prona, te shkolla, te familja, te marrëdhënia e shtetit me ndërgjegjen dhe punën e njeriut.


Ajo nuk mund të mbrojë lirinë në fjalim dhe më pas të krijojë klientët e vet në qeverisje.


Shqiptarizmi duhet të kalojë nga ndjenja e përkatësisë te aftësia për të ruajtur gjuhën, kujtesën, trashëgiminë, lidhjen kombëtare me Kosovën dhe vazhdimësinë shqiptare kudo ku jetojnë njerëzit tanë.


Kombëtarizimi duhet ta bëjë shtetin të aftë të mendojë interesin shqiptar në ekonomi, demografi, siguri, prodhim, arsim dhe marrëdhënie ndërkombëtare, pa e përdorur Kombin për të heshtur kritikën ose për të fshehur paaftësinë.


Properëndimorizmi nuk do të matet me numrin e fotografive me të huajt.


Do të matet me standardin që vendosim këtu, ligj që zbatohet, kontratë që respektohet, drejtësi që nuk njeh mbiemër, administratë profesionale, zgjedhje të ndershme dhe aleanca që i mbijetojnë çdo kryeministri.


Prindërimi do të hyjë në çdo vendim që prek borxhin, shkollën, territorin, natyrën, kulturën dhe të ardhmen e familjes shqiptare.


Një qeveri nuk ka të drejtë ta blejë popullaritetin e sotëm duke ua dërguar faturën njerëzve që ende nuk votojnë.


Dalëzotësia do të fillojë aty ku një njeri pranon të lidhë emrin e vetë me një punë të përcaktuar dhe të rikthehet për të treguar çfarë bëri.


Jo të flasë në emër të gjithë vendit, por të mos lejojë që një çështje e njohur prej tij të mbetet pa kujdes.


Pakti Kombëtar i Urtisë duhet të na mësojë të bashkëpunojmë pa u shkrirë, të kundërshtojmë pa e bërë tjetrin të padenjë dhe të mbrojmë interesin e përbashkët edhe kur vazhdojmë të ndahemi në bindjet tona.


Këto nuk janë fjalë që duhen përsëritur derisa të humbin kuptimin.


Janë kritere me të cilat do të gjykojmë çdo propozim tonin.


Programi i LRE Rinisjes nuk duhet të shkruhet vetëm nga politikanët.


Juristi mund të sjellë një nen që prodhon padrejtësi.


Mësuesja mund të tregojë se çfarë po i ndodh klasës së saj.


Mjeku njeh humbjet që nuk duken në raportet zyrtare.


Ekonomisti mund të dallojë faturën e fshehur pas një premtimi të bukur.


Bujku e di se ku prishet udha nga toka te tregu.


Sipërmarrësi e njeh çmimin e arbitraritetit.


Prindi di çfarë e shtyn një familje të mendojë largimin.


Shqiptari në diasporë mund të sjellë përvojë që vendi ynë nuk ka pse ta zbulojë përsëri nga fillimi.


Një program kombëtar duhet të mbajë brenda vetes jetën e njerëzve që do të prekë.


Prandaj nuk po ju ftoj vetëm të lexoni atë që do të shkruajmë.


Ju ftoj të bëheni pjesë e ndërtimit të tij.


Na sillni përvojën që njihni më mirë se kushdo tjetër.


Një problem të dokumentuar.


Një ligj që nuk funksionon.


Një mundësi që po humbet në qytetin tuaj.


Një praktikë të mirë që e keni parë jashtë Shqipërisë.


Një propozim që mund t’i nënshtrohet pyetjeve, kostos dhe përgjegjësisë.


Unë do të shkruaj, do të flas dhe do të mbaj pjesën time.


Por nuk dua që programi i Rinisjes të jetë zgjerim i mendjes së një njeriu.


Duhet të jetë përqendrimi i dijes, përvojës dhe karakterit të shumë shqiptarëve që nuk pranojnë më të zgjedhin ndërmjet cinizmit të pushtetit dhe pafuqisë së kundërshtimit.


Edhe zgjedhjet vendore të vitit 2027 duhet të përgatiten kështu.


Jo duke mbushur hartën me emra vetëm që logoja të duket kudo.


Duhet të gjejmë njerëz të respektuar në bashkësinë e tyre, që njohin problemet e vendit, dinë të punojnë me të tjerët, pranojnë kontrollin publik dhe nuk e shohin bashkinë si shpërblim personal.


Një këshilltar bashkiak i ndershëm dhe i aftë mund të ndryshojë më shumë se një kandidat i madh vetëm në poster.


Tani na pret një kohë e bukur dhe kërkuese.


Do të mësojmë.


Do të gabojmë dhe do të korrigjohemi.


Do të hapim takime.


Do të dëgjojmë njerëz që nuk mendojnë si ne.


Do të ndërtojmë kapitujt e programit.


Do të formojmë njerëz që dinë të përfaqësojnë pa pushtuar, të udhëheqin pa përvetësuar dhe të kundërshtojnë pa e dëmtuar vendin që duan të përmirësojnë.


Nuk ju premtoj rrugë të lehtë.


Ju premtoj se nuk do ta zëvendësojmë vështirësinë me gënjeshtër.


Nuk ju premtoj se do të bëhemi shpejt shumë.


Ju premtoj se çdo njeri që vjen me dije, ndershmëri dhe gatishmëri për të punuar do të ketë një vend ku aftësia e tij mund të vlejë.


Nuk ju kërkoj të besoni në një program të përfunduar.


Ju kërkoj të ndihmoni që ai të meritojë besimin.


Sepse Shqipëria nuk do të ndryshojë ditën kur ne gjejmë fjalinë më të bukur.


Do të ndryshojë kur fjalia e drejtë të bëhet një ligj që funksionon, një shkollë që mëson, një ekonomi që nuk përzë, një bashki që përgjigjet, një drejtësi që nuk përkulet dhe një politikë që e lë njeriun më të lirë nga sa e gjeti.


Kjo është puna që na pret.


Dhe kjo është Rinisja që dua të ndërtojmë së bashku, dashuria për Shqipërinë që pranon të bëhet e aftë.


Arian Galdini

LRE Rinisja

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page