Porositë që nuk i dëgjuam…
- Arian Galdini

- 3 days ago
- 9 min read

Nga Arian Galdini
Më 29 mars 1930, nga Poradeci, Lasgush Poradeci i shkruante Dhimitër Paskos. Shqipëria ishte ende shtet i ri, i varfër, me analfabetizëm të gjerë, me shkolla e institucione që përpiqeshin të zinin rrënjë dhe me një jetë publike shumë më të brishtë se e sotmja, megjithatë, mes asaj varfërie që shihej me sy, Lasgushi dallonte një tjetër, më tinëzare, sepse mund të mbijetonte edhe pasi xhepi të mbushej, rruga të shtrohej dhe shtëpia të bëhej me tri kate: “një frymë e rëndë varfërie shpirtërore”.
Gati një shekull më pas, fjalia e tij sillet pahijshëm me ne, nuk pranon të rrijë në vitin 1930.
Vjen, ulet në tavolinën tonë, porosit kafenë dhe dëgjon profesorin që shpjegon pse ky vend nuk bëhet, politikanin që për të tridhjetegjashtin vit radhazi na premton “brezin e ri”, qytetarin që mallkon shtetin për dy orë dhe pastaj i telefonon një miku që ta nxjerrë nga radha, pas pak, ajo fjali ndihet sërish në shtëpi.
Dhe ky është turpi ynë, jo se Lasgushi paska qenë profet, por se ne i kemi dhënë për gati një shekull material që ai të vazhdojë të ketë të drejtë.
Do të ishte marrëzi të pretendonim se Shqipëria nuk ka ndryshuar.
Breza të tërë përjetuan diktaturën dhe izolimin, hapjen e kufijve dhe emigrimin, ngritën shtëpi e biznese, shkolla e institucione, u arsimuan, u kthyen, nisën nga e para dhe ia ndryshuan fytyrën vendit.
Ta barazosh Shqipërinë e sotme me atë të vitit 1930 do të ishte pabesi ndaj gjithë kësaj rruge.
Pikërisht madhësia e rrugës së bërë e rëndon atë që vazhdon të na ndjekë, sepse poeti mund ta ruajë rininë e vet prej gjenisë, plaga që emërtoi do të duhej të ishte plakur prej veprës sonë.
Në shqipen e përditshme kemi një shprehje të mrekullueshme në pafajësinë e saj, shtyjmë kohën.
E themi aq natyrshëm, sa goja e shqipton përpara se mendja ta dëgjojë.
Shtyjmë një takim, një vendim, një punë që kërkon mund, një të vërtetë që kushton, një kthim që dhemb, një protestë që na prish rehatinë, një dorëheqje që na heq privilegjin, një pajtim për të cilin krenaria jonë ende nuk është gati, të gjitha këto mund t’i zhvendosim në kalendar, por koha nuk zhvendoset bashkë me to.
Ne nuk e shtyjmë kohën.
I japim asaj ditët tona si ryshfet, me shpresën se do të na kursejë nga vendimi, ndërsa ajo, krejt e pakorruptueshme, i merr ditët dhe vazhdon rrugën.
Vendimi mund të mbetet në sirtar, ndërsa fëmija rritet dhe prindi plaket, puna mund të na presë, por ne nuk jemi më ata që e lanë.
Ky është mashtrimi më i hollë i shtyrjes, sendi të krijon përshtypjen se është ende aty, pra sikur asgjë nuk ka ndodhur, ndërsa ajo që ka ndryshuar pa kthim je ti.
Jeta që quajtëm “nesër” nuk na priti në dhomën tjetër, u bë dje.
Ne, ndërkaq, kemi zhvilluar deri në mjeshtëri një degë të veçantë të kulturës, heroizmin e mosveprimit.
Përpara se të bëjmë diçka, ndërtojmë një katedrale arsyesh përse nuk bëhet.
Profesori e di me saktësi pse brezi i ri është i humbur, edhe kur librin e fundit e ka hapur përpara se ai brez të lindte, politikani parashikon dështimin e çdo tjetri me sigurinë e një profeti që nuk mban përgjegjësi për asnjë profeci, qytetari e njeh korrupsionin deri në damarë, por po i doli kushëriri në zyrën e duhur, korrupsioni pushon për pak çaste së qenuri sistem dhe pagëzohet “zgjidhje”.
Telefoni, ai spiuni ynë më i ndershëm, na tregon çdo javë sa orë ua kemi dhënë të panjohurve duke soditur jetët e tyre në ekran, ndërsa vazhdojmë të ankohemi se dita nuk na mjaftoi për tonën.
As autori që shkruan këto rreshta nuk ka imunitet.
Edhe ai mund të kalojë vite duke e përshkruar me finesë plagën dhe, po të mos ketë kujdes, ta kthejë plagën në profesion, pa të i prishet tema.
Fjalia e bukur nuk e shlyen jetën e pabërë, ndonjëherë vetëm ia shkruan nekrologjinë me më shumë stil.
Kjo nuk do të thotë se halli shqiptar është i shpikur.
Familja që e mat muajin me pagën, prindi që e ka fëmijën përtej detit, i riu që sheh favorin të fitojë mbi zotësinë dhe qytetari që pret vite për një drejtësi që ligji ia premtoi kanë arsye të zemërohen.
Ankesa mund të jetë forma e parë e dinjitetit, sepse ai që emërton padrejtësinë dëshmon se ende nuk ka bërë paqe me të.
Varfëria shpirtërore fillon më vonë, kur halli, pasi na ka marrë shumë, merr edhe çelësat e së ardhmes, kur vuajtjes i japim të drejtën të hartojë kushtetutën e pjesës tjetër të jetës sonë.
Atëherë ankesa pushon së qenuri dëshmi dhe bëhet pronë.
Njeriu fillon ta mbrojë dështimin e vetë sikur t’ia cenonte dikush territorin, ndërsa suksesi i tjetrit e shqetëson më shumë se dështimi i tij, sepse dështimi ia vërteton teorinë, kurse suksesi ia heq alibinë.
Kështu lind ajo garë e zymtë ku fituesi nuk është ai që del nga balta, por ai që provon se balta e tij është më e thellë, pas një kohe, balta bëhet aq e njohur sa nuk është më vetëm burg, por kolltuk.
Mjafton, megjithatë, të shohësh shqiptarin jashtë Shqipërisë që metafizika e fatalizmit tonë të marrë një goditje të pakëndshme.
I njëjti njeri që këtu të shpjegon se “ky vend nuk bëhet”, atje çohet në pesë të mëngjesit, respekton afatin, paguan detyrimin, mëson gjuhën, hap biznes, bie dhe ringrihet.
Çuditërisht zbulojmë se fatalizmi nuk ishte në gjak.
Shumë prej atyre që këtu mësuan se lidhja mund të vlejë më shumë se përpjekja, ndryshojnë sapo hyjnë në një rend ku rregulli nuk negociohet me numrin e duhur të telefonit.
Brenda shtëpisë dimë të jemi të jashtëzakonshëm, punojmë dy punë, mbajmë prindërit, shkollojmë fëmijët, kursejmë, ngremë një biznes edhe në një gjuhë që dje nuk e flisnim dhe, po u rrëzuam, nisim sërish.
Përtej portës, ajo energji sikur humbet adresën.
Rrugën ia lëmë shtetit, shkollën ministrisë, lagjen bashkisë, kulturën artistëve, Republikën politikanëve dhe, pasi ua kemi dorëzuar, i mallkojmë se na i morën, sikur e përbashkëta të kishte lindur prej një nëne tjetër.
E duam ligjin kur kap kundërshtarin, për shkeljen tonë kërkojmë mirëkuptim.
Bërtasim kundër privilegjit, por po patëm një mik që mund të na hapë derën, privilegji merr papritur emrin e pafajshëm “njohje”.
Kërkojmë meritë për fëmijën tonë dhe telefonatën që ta fusë në punë, mallkojmë të fortin që kap shtetin dhe admirojmë veten kur arrijmë të kapim një copëz të tij.
Pushteti nuk banon vetëm në Kryeministri. Kopjet e tij të vogla i mbajmë shpesh në xhep dhe, kur dalim të protestojmë kundër sistemit, sistemi del në protestë bashkë me ne.
Komunizmi nuk e shpiku këtë prirje, por e kultivoi për dekada dhe i dha disiplinë shtetërore.
E tashmja duhej duruar për hir të së ardhmes së premtuar nga lart, bindja merrte emrin e virtytit, pritja shitej si pjesëmarrje dhe qytetari mësohej se zgjidhja e madhe do të vinte gjithmonë nga një qendër më e ditur se ai.
Regjimi ra, por zakonet nuk japin dorëheqje ditën kur bie pushteti që i ushqeu.
Mund të ndërrojmë emrin e shpëtimit dhe të ruajmë të njëjtën marrëdhënie me të, Europa do ta bëjë, reforma do ta bëjë, drejtësia do ta bëjë, Amerika do ta bëjë, qeveria tjetër do ta bëjë.
Europa, Amerika, drejtësia dhe reforma janë aleatë, synime dhe institucione që na duhen, nuk janë dado të përgjegjësisë sonë.
Ka edhe pritje me dinjitet.
Fara rri nën dhe, por nuk rri kot, brenda saj jeta punon.
Ka plagë që kërkojnë kohë, mendime që piqen dhe besnikëri që provohen në ditë të vështira.
Durimi ka nder vetëm kur nën të rritet diçka, përndryshe bëhet emri fisnik që frika i vë parkimit të vetë.
Përballë asaj “fryme të rëndë varfërie shpirtërore”, Lasgushi nuk hartoi teorinë madhështore të pamundësisë shqiptare.
I shkroi Paskos.
Një njeri iu drejtua një njeriu tjetër dhe, në fund të letrës, i tha: “Dhimiraq, eja të punojmë, të tretemi, të shuhemi, për të krijuar në mes të vdekjes, një jetë të re.”
Aty ndodhet një prej dallimeve më të mëdha ndërmjet tij dhe nesh, Lasgushi nuk na la vetëm emrin e vetë, na la një folje.
Të punojmë.
Samiu kërkoi dije, gjuhë, shkollë dhe shqiptarë të aftë ta mbajnë vetë vendin, Konica kërkoi bashkëpunëtorë dhe veprim në vend të dëshirës së marrë për realitet, Noli dhe shqiptarët që firmosën me të kërkuan një Shqipëri që të zhvillonte fuqinë e vetë dhe të jepte pjesën e saj në qytetërim.
Ata na lanë folje, ne u treguam shumë më të zotë me emrat, sepse emri gdhendet në mermer, vendoset mbi shkollë, përsëritet në përvjetor dhe rri urtë, ndërsa folja kërkon njeri, kohë dhe çmim.
Këtu nis edhe një tjetër turp i gjuhës sonë publike.
Shqipërinë e kemi vendosur për një kohë të gjatë në të ardhmen, do të bëhet, do të ndryshojë, do të pastrohet, do të vijë drejtësia, do të hapet dera, do të vijë njeriu i duhur, kurse sapo pyetet kush duhet ta bëjë, fjalia struket pas një “duhet” pa zot, duhet reformuar, duhet ndërtuar, duhet ndryshuar.
Veprimin e shtyjmë për më vonë dhe përgjegjësinë e lëmë pa njeri. Lasgushi e shkroi ndryshe: “eja të punojmë”. “Ne”-ja ishte aty, ajo që ka munguar shpesh jemi ne, njerëzit prej mishi që pranojmë ta bëjmë atë përemër përgjegjësi.
Dhe megjithatë kemi një marrëdhënie të mrekullueshme me njerëzit tanë të mëdhenj, na pëlqejnë jashtëzakonisht shumë pasi vdesin.
Të gjallë janë bezdi, sepse mendojnë, kërkojnë, përçmojnë gënjeshtrën, na nxjerrin nga rehatia dhe kanë zakonin e keq të mos marrin leje prej nesh për të pasur të drejtë.
Të vdekur bëhen shumë më praktikë.
Ua vëmë emrat shkollave e rrugëve, ua nxjerrim portretin në përvjetor, ua marrim nga një fjali për fjalimin e radhës dhe ngremë bustin, sepse busti ka një virtyt të madh që mendimtari nuk e kishte: është i bindur.
Harresa e zhduk mendimtarin, ceremonia mund të bëjë një punë edhe më të hollë, t’ia ruajë fytyrën dhe t’ia ndalë kërkesën.
Një kulturë mund ta çarmatosë kritikën e vetë jo vetëm duke e censuruar, por duke e nderuar aq mirë, sa ajo të pushojë së bezdisuri.
Monumenti, në atë çast, nuk është vazhdimi i mendimit, është mënyra më elegante për t’i siguruar vetes të drejtën të mbetemi po ata.
Prandaj “Samiu ynë”, “Konica ynë”, “Noli ynë”, “Lasgushi ynë” janë shprehje më të rrezikshme nga sa duken.
Përemri pronor na jep menjëherë pjesë në lavdinë e tyre, por nuk na kërkon asnjë provë se çfarë bëmë me kërkesën e tyre.
Ua kemi marrë emrat si trashëgimi kombëtare, ndërsa porositë ua kemi lënë në sirtar, dhe kështu kemi arritur një prej hileve më të hijshme të historisë sonë kulturore, t’i quajmë “tanët” njerëzit, ndërsa pyetjeve që ata na lanë ende nuk u kemi dhënë përgjigje me vepër.
Kështu një komb mund të prodhojë mendimtarë të jashtëzakonshëm dhe të mbetet borxhli ndaj mendimit të vetë.
Mund të ketë biblioteka plot dhe jetë publike të varfër, përvjetorë të shkëlqyer dhe zakone të pandryshuara, emra të mëdhenj mbi fasada dhe pyetje të vjetra brenda ndërtesave.
Ata na lanë folje, ne i kthyem në emra.
Dhe, më keq akoma, edhe foljet i shtyjmë në kohë.
Një brez merr një porosi, e admiron, e citon dhe ia lë brezit tjetër për ta bërë.
Tjetri bën të njëjtën gjë.
Në këtë mënyrë “shtyjmë kohën” pushon së qenuri vetëm ves privat dhe bëhet borxh historik, nuk shtyjmë vetëm punën që duhej të bënim vetë, por ia dërgojmë pasojën një njeriu që nuk ishte aty kur ne zgjodhëm të mos zgjedhim.
Një shkollë e lënë të kalbet ua përcjell fëmijëve dëmin shumë pasi ministri që e braktisi ka ikur, borxhi i firmosur sot rëndon mbi qytetarë që nuk morën pjesë në vendim, gjuha që varfërojmë, qyteti që shëmtojmë dhe institucionet që mësojmë t’i përkulen të fortit vazhdojnë të prodhojnë pasoja kur arsyetimet tona janë harruar.
Koha e një brezi nuk mbyllet te varri i brezit. Një pjesë e saj hyn në jetën e njerëzve që nuk qenë aty për të na ndaluar.
Një ditë, në vitin 2130, një shqiptar mund ta hapë përsëri letrën e Lasgushit.
Nuk do të na njohë personalisht, nuk do ta ketë jetuar lodhjen që na dukej aq bindëse dhe nuk do t’i dëgjojë arsyetimet me të cilat e falëm veten, do të zgjohet në qytetin që i lamë, do të mendojë me gjuhën që i dorëzuam, do të hyjë në shkollën që ndërtuam ose braktisëm, do t’u drejtohet institucioneve që lamë në shërbim të qytetarit ose të përkulura para të fortit dhe do ta marrë historinë tonë jo siç e treguam, por siç e bëmë.
Nëse atë mëngjes “eja të punojmë” vazhdon t’i tingëllojë si porosi që ende kërkon njerëzit e vetë, gjyqi mbi ne do të jetë dhënë pa pasur nevojë për gjykatës, jo sepse të parët tanë qenë tepër përpara kohës, por sepse ne mbetëm tepër gjatë pas saj.
Lasgushi do të mbetet i ri prej gjenisë së vetë, detyra jonë është që ai “ne” që poeti shkroi më 1930 të bëhet më në fund njerëz prej mishi, aq sa diagnoza e tij të humbasë të tashmen tonë dhe Lasgushi të fitojë të drejtën që ia kemi mohuar për gati një shekull, të bëhet i vjetër.
Arian Galdini




Comments