top of page

Shteti nuk ka të drejtë të ta shpenzojë jetën…


Nga Arian Galdini


Mirëmëngjesi.


Një nënë humbet një paradite për të marrë një vërtetim që administrata e ka prej kohësh në sistemin e vetë.


Një sipërmarrës pret me muaj një përgjigje, ndërsa punonjësit, qiraja dhe detyrimet nuk presin bashkë me të.


Një pensionist endet nga sporteli në sportel, sepse dy zyra publike nuk shkëmbejnë dot mes tyre një informacion që shteti ia ka kërkuar disa herë.


Një familje shtyn një vendim për shtëpinë, shkollën apo punën, jo sepse nuk di çfarë dëshiron, por sepse nuk di kur institucioni do të denjojë t’i përgjigjet.


Ne i quajmë këto vonesa.


Në të vërtetë, janë pjesë jete të marra pa leje.


Përpara pronës së tokës, shtëpisë apo sipërmarrjes, njeriu zotëron një pasuri edhe më të pakthyeshme, kohën e vetë.


Çdo orë e humbur në një korridor ku askush nuk përgjigjet, çdo muaj pritjeje pa shpjegim, çdo vit i bllokuar nga një vendim që nuk merret, është një lloj shpronësimi që nuk figuron në asnjë kadastër.


Paratë mund të rifitohen.


Një ditë e jetës nuk kthehet më.


Pikërisht këtu duhet të fillojë një prej kapitujve të Programit të LRE Rinisjes, e drejta e qytetarit mbi kohën e vetë.


Qeveria Rama e ka përdorur digjitalizimin si provë të modernizimit.


Por qytetari nuk jeton brenda numrit të portaleve, aplikacioneve apo shërbimeve të shpallura.


Ai e mat shtetin me një pyetje shumë më të thjeshtë:


Sa kohë më duhet për të marrë atë që ligji tashmë ma njeh?


Nëse dokumenti dërgohet elektronikisht, por përgjigjja vonon pa afat, nuk kemi modernizuar shërbimin. Kemi digjitalizuar pritjen.


Nëse kërkesa gjurmohet, por askush nuk mban përgjegjësi kur ajo mbetet pa zgjidhje, kemi krijuar një ekran të ri mbi të njëjtën pafuqishmëri.


Nëse qytetari vazhdon të telefonojë një mik për ta lëvizur dosjen, atëherë teknologjia nuk e ka mundur klientelizmin.


Vetëm i ka dhënë një pamje më bashkëkohore.


Pas kaq vitesh qeverisjeje, Edi Rama nuk mund ta paraqesë më shtetin që nuk përgjigjet si trashëgimi të një epoke tjetër.


Administrata që qytetari ka sot është administrata që kjo shumicë ka pasur kohë ta ndërtojë, ta korrigjojë, ta mbikëqyrë dhe ta bëjë përgjegjëse.


Prandaj nuk na mjafton një emër i ri platforme.


Na duhet një e drejtë e re, e shkruar qartë dhe e zbatueshme.


Çdo shërbim publik duhet të ketë afat të detyrueshëm.


Jo një afat të fshehur në udhëzime që askush nuk i lexon, por një datë që qytetari e sheh që në çastin kur dorëzon kërkesën.


Administrata nuk duhet t’i kërkojë njeriut një dokument që gjendet tashmë në një institucion tjetër publik.


Shteti nuk mund ta kthejë qytetarin në korrier të vetvetes.


Kur afati shkelet, nuk mjafton fjalia “kërkesa është në shqyrtim”.


Duhet të shfaqet emri i institucionit përgjegjës, arsyeja e vonesës, data e re dhe rruga e ankimit.


Në rastet ku nuk preken siguria, shëndeti, mjedisi ose një e drejtë e një pale tjetër, heshtja e pajustifikuar e administratës duhet të ketë pasojë në favor të qytetarit, jo të zyrës që nuk punoi.


Tarifa për një shërbim të vonuar pa shkak duhet të kthehet.


Kur neglizhenca publike i ka shkaktuar dëm të provueshëm njeriut ose biznesit, duhet të ekzistojë përgjegjësi reale, jo vetëm kërkim ndjese.


Çdo institucion duhet të publikojë sa kërkesa mori, sa zgjidhi, sa vonoi dhe sa ankesa humbi.


Jo për të prodhuar një tjetër tabelë, por që qytetari të mund të dallojë zyrën që shërben nga ajo që konsumon jetën e njerëzve.


Edhe nëpunësi duhet të mbrohet.


Administrata profesionale nuk mund të funksionojë nëse punonjësi i ndershëm jeton nën frikën e ndërhyrjes politike, ndërsa i paafti mbrohet nga lidhja me partinë.


Përgjegjësia dhe dinjiteti i nëpunësit nuk janë kundërshtarë.


Janë kushtet e të njëjtit shërbim.


Kjo është një çështje e thellë e së Djathtës Humane.


E djathta nuk mbron vetëm pronën e dukshme.


Mbron edhe të drejtën e njeriut për të përdorur jetën e vetë pa ia dorëzuar atë një administrate që nuk jep llogari.


Koha e një sipërmarrësi është kapital.


Koha e një prindi është familje.


Koha e një mësuesi është dije.


Koha e një mjeku është jetë njerëzore.


Koha e një bujku është stinë që nuk përsëritet sipas kalendarit të ministrisë.


Koha e një të riu është mundësi që, po u humb këtu, mund të ndërtohet përgjithmonë diku tjetër.


Prandaj kjo është edhe çështje kombëtare.


Një vend nuk varfërohet vetëm kur humbet para.


Varfërohet kur miliona orë pune, kujdesi, krijimi dhe mendimi treten në pritje të panevojshme.


Një komb që nuk respekton kohën e njerëzve të vetë shpërdoron çdo ditë një pjesë të fuqisë së tij prodhuese.


Properëndimorizmi ynë duhet të provohet pikërisht në këtë nivel.


Jo me fotografi solemne dhe as me emra projektesh në anglisht.


Me afate që respektohen.


Me kontrata që zbatohen.


Me institucione që përgjigjen.


Me shtet që nuk e detyron njeriun të lutet për atë që i takon.


Ky është qytetërimi institucional që kemi zgjedhur kur kemi zgjedhur Europën dhe aleancën tonë me Perëndimin.


Edhe Prindërimi hyn këtu.


Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për atë që u blejmë.


Kanë nevojë për kohën tonë.


Çdo pasdite që një prind e humbet duke kërkuar një dokument të zakonshëm, çdo muaj ankthi për një leje, çdo vit i ngrirë nga pasiguria institucionale është diçka që familjes i merret dhe nuk i kthehet.


Nuk mund t’u lëmë fëmijëve një shtet ku mbijetesa kërkon të njohësh njerëzit e duhur dhe durimi ndaj paaftësisë paraqitet si virtyt qytetar.


Duhet t’u lëmë një administratë që ua kursen jetën për gjërat që kanë vërtet vlerë.


Këtë kapitull nuk dua ta shkruajmë vetëm nga tavolina.


Na duhen juristë që njohin afatet dhe boshllëqet e ligjit.


Nëpunës që e dinë ku bllokohet procedura.


Sipërmarrës që mund të tregojnë sa kushton një muaj vonesë.


Inxhinierë dhe specialistë të teknologjisë që dinë si shkëmbehen të dhënat pa cenuar privatësinë.


Prindër, pensionistë, fermerë, mësues, mjekë dhe qytetarë që kanë përjetuar mbi vete kohën e marrë nga një institucion pa përgjegjësi.


Na shkruani.


Na tregoni shërbimin, afatin që u shkel, pasojën që pati dhe mënyrën si mendoni se mund të ndreqet.


Jo për të mbledhur një katalog ankesash.


Për të ndërtuar një propozim të plotë, me ligj, afat, përgjegjës dhe matje publike.


Kështu duhet të shkruhet Programi i Rinisjes, jo duke u premtuar shqiptarëve një shtet të përsosur, por duke marrë një padrejtësi të njohur, duke e kuptuar deri në rrënjë dhe duke paraqitur një mënyrë të zbatueshme për ta përfunduar.


Ne nuk do ta kundërshtojmë qeverinë Rama vetëm sepse ka qëndruar gjatë.


Do ta kundërshtojmë sepse pas gjithë kësaj kohe qytetari ende paguan me jetën e vetë për paaftësinë, vonesën dhe papërgjegjshmërinë e institucioneve që kjo qeveri drejton.


Dhe nuk do t’i kërkojmë Shqipërisë të na besojë vetëm sepse e themi këtë më bukur.


Do t’i paraqesim një standard më të mirë.


Sot e hapim këtë punë me një bindje të thjeshtë, shteti mund të kërkojë nga qytetari ligjshmëri, detyrim dhe përgjegjësi, nuk mund t’i kërkojë t’i falë pafund pjesë nga jeta e vet.


Koha e shqiptarit nuk është mbetje administrative.


Është pasuri njerëzore, familjare dhe kombëtare.


Dhe një qeverisje që nuk di ta respektojë, nuk është ende e denjë ta drejtojë.


Arian Galdini

LRE Rinisja

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page