top of page

Poezi: E vërteta!


Nga Arian Galdini


Nëpër ne ecën e vërteta.

Nuk na pret në fund të një udhe,

merr frymë me ne,

edhe kur fryma jonë e mohon.


Nuk vjen. Nuk ikën.


Ne largohemi.


Sa më larg vetes shkojmë,

aq më larg e vendosim shpëtimin,

në një qiell ku të na presë

ajo që lamë pajetuar këtu.


I japim emër galaktikës

dhe mezi durojmë emrin

e atij që nuk na ngjan.


E duam njerëzimin

sa kohë nuk ka fytyrë.


Kur vjen tjetri,

me gjuhën dhe kujtesën e vetë,

dashuria jonë për botën

papritur kërkon kufi.


Armikun e zgjedhim para shkakut,

fajin ia shpikim pas dënimit.


E vërteta,

jo në anën tonë,

jo në anën e tyre,

më e rëndë se të dyja.


Nuk i kalon fitimtarit

bashkë me fitoren.


Mund ta fshehim faktin,

të blejmë dëshmitarë,

të sundojmë një epokë,

nuk kemi pushtet

mbi atë që ka ndodhur.


Ajo s’ka nevojë për pranimin tonë.

Ne kemi nevojë për të.


Mund të kalojmë dete,

të kërkojmë një qiell tjetër,

një Itakë që të na falë udhëtimin,


por Itaka nuk shpëton askënd

nga njeriu që mbërrin në të.


Kur mashtrimi udhëton me ne,

edhe kthimi bëhet ikje.


Na mungon guximi për të qenë

aty ku tashmë jemi.


Ne lindim pa teori për veten.


Pastaj harxhojmë vite

duke ndërtuar një emër

dhe një fytyrë

që të tjerët ta besojnë.


Po sikur të mos jesh ai

që ke harxhuar jetën duke mbrojtur?


Erdhi pa ardhur.


Ishte aty,

para rolit dhe duartrokitjes,

para frikës nga ajo që mbetet

kur të gjitha bien.


Nuk mbetet zbrazëtia.


Mbetet njeriu,

jo ai që kishe shpikur,

ai që ishe.


Ta kesh të vërtetën aq pranë

sa të mos mund ta humbasësh kurrë,


dhe të jesh aq i lirë

sa të mund të kalosh gjithë jetën

duke ikur prej saj.


Derisa një ditë

të mos kërkosh më Itakë,

as qiell tjetër,

as emër tjetër për shpëtimin.


Të ndalesh.


Të njohësh veten

pa mbrojtjen e gënjeshtrës.


Dhe për herë të parë

të mos thuash:


“E gjeta të vërtetën.”


Të thuash:


“Nuk po iki më prej saj.”


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page