top of page

Dinjitarët dhe kaqolat, kufiri i fundit i politikës!



Nga Arian Galdini


Gota e ujit ftohej pranë telefonit.

Ftohja ecte vetiu, e kthjellët, e padukshme, si puna e kohës që kryhet larg syve.


Ekrani u ndez, drita mblodhi shikimin dhe i dha dorës hovin e vjetër të trupit.


Në kornizë doli një emër i palës tjetër si shënjestër.

Thoi rrëshqiti përpara mendjes.

Gjaku kërkoi uljen e tjetrit.

Mendja i veshi uljes një emër të bardhë, “drejtësi”, si sapun mbi helm, dhe shkëlqimi i ekranit ia dha sapunit pamjen e pastërtisë, derisa edhe gishti që nisej të gjykonte ngjante i larë.


Shënjestër. Thua. Shtëpi.


Një urtësi e vjetër e shkretëtirës e njeh këtë peshë dhe e vendos si kufi.


Dinjitarët ruhen edhe kur qëndrojnë përballë, kaqolat mbahen larg edhe kur brohorasin emrin tënd.


Jeta e përbashkët mbahet nga masa dhe kujtesa, nga frika e shëndetshme prej rrëzimit të brendshëm, nga pinguli që lexohet veçse në pasojë.


Gota ftohet. Ekrani nxehet.


Nxehtësia e një gjesti merr shpejt formën e klimës.


Në politikë, përpara partisë rri gjoksi, përpara programit rri ajo vijë e hollë që rrallë bëhet titull, ndërsa vendos gjithçka.


Fjala gjen dy rrugë të kthjellta.


Fjala shërben. Fjala shitet.


Gjurmët dalin më vonë, si rrathët e ftohtë të gotës në tryezë, kur drita shuhet dhe mbetet vetëm ajo që s’e zbut dot askush.


Dinjitari rri drejt edhe kur i tundet fitorja e lehtë, sepse në çastin kur pushteti e fton ta këmbejë dinjitetin me privilegj zgjohet pesha e fjalës së dhënë, sytë e familjes, historia e brezave, dhe vjen vendimi, ai vendim që turmës i duket i huaj, ndërsa brezave u bëhet shenjë.


Kaqoli vrapon pas së sotmes si i varur pas njoftimit të radhës.


Pushtetin e sheh si skenë.


Shërbimin e sheh si dekor.


Amanetin e sheh si send të tepërt.


Ai rrëshqet nga një duartrokitje te tjetra, sepse ethet kërkojnë trup tjetër ku të përhapen.


Në mes del njeriu i përzier, ai që mban dy fytyra brenda dhe e njeh tundimin si nxehtësi në dorë.


Fjala bëhet e bardhë në sipërfaqe.


Qymyri punon poshtë.


Vendimi i shpejtë e gjen vendin e vet te thoi, te ajo prekje e vogël që shënon, zgjedh, dënon, ndërsa gishti mban erën e sapunit si kujtesë që kërkon të ngjajë me pastërti.


Aty shfaqet skuthi.


Skuthi bën një gjë, thotë një tjetër, mendon një të tretë.


Skuthi lëviz me buzëqeshje në sy dhe me hijen pas shpine.


Skutheria lind kur kjo sjellje pushon së qenuri rast dhe kthehet në mënyrë.


Skuthokracia lind kur skutheria bëhet sistem, kulturë partie, psikologji qytetare, standard i pashkruar që thotë se ecja përpara blihet me rrëzimin e tjetrit prapa.


Rrëshqitja nis e vogël.


Vish rrobë të larë. Shitet si realizëm.


Një “vetëm këtë herë” vjen si pëshpëritje.


Pastaj kthehet. Pastaj mësohet.


Pastaj quhet karakter.


Dhe karakteri fillon të ngjajë me “pjekuri” vetëm sepse zbret një hap më poshtë çdo ditë.


Një mbledhje, pesë karrige, një gotë ujë e paprekur.


Në sy buzëqeshje.


Në fund të korridorit një telefonatë e shkurtër, me zë të ulët, me fjalë të pakta.


Në drekë bie firma.


Në mbrëmje, poshtë fotos vjen “shëndet”.


Të nesërmen, emri yt del nga lista. Rendi ecën pa flamur, sepse i mjafton një rrëshqitje.


Thua. Zakon. Prag.


Pragu e njeh peshën e hapit para se ta njohin fjalët.


Dhe në anën tjetër rri pingulësia.


Pingulësia mësohet me kthime të vogla dhe me prova që duken si sende.


Karta jep bipin e thatë dhe hesht.

Dera vonon.


Lugëza prek xhamin dhe ndalet.


Dora shkon te butoni i shpërndarjes dhe kthehet.


Në gotë mbetet ftohtësia.


Në ekran mbetet shënjestra.


Në trup mbetet ai kthim i vogël që mban njeriun drejt, pa dekor, pa sallë, pa zhurmë.


Dhe kostoja shfaqet si send që bie.


Një kartë. Një derë. Një zë fëmije.


Një njeri del nga zyra me një fletë që mbetet pa firmë.


Çelësi kërcet në korridor si dëshmi.


Dera vonon. Heshtja zgjatet.


Aty gjykimi nis si peshë.


Oraret vendosen në kujtesë si akull i rregullt mbi një ditë.


08:41, mesazhi mbërrin: “Liro zyrën.”

09:03, karta e hyrjes jep një bip të thatë dhe hesht.

11:12, emri kthehet në shaka.

19:27, pyetja bie në kuzhinë: “Pse qeshja u fik?”

22:10, dokumenti mbetet pa firmë.


Në sy rri ende ai “po” i brendshëm ndaj pingulit.


Në raft bie letra e pashkruar.


Në dhomë mbetet heshtja jashtë blerjes.


Dhe pragu e njeh peshën e hapit para se ta lehtësojnë fjalët.


Emër. Thua. Derë.


Edhe mendjelehtësia ka mekanikën e vet, aq të thjeshtë sa ngjan e pafajshme, aq e përsëritur sa kthehet në zakon.


E pashë një herë.


Të nesërmen m’u kthye tri herë.


Javën tjetër m’u kthye me emra dhe me fytyra, me të njëjtin poshtërim të prerë në kornizë dhe me tituj të ndryshëm.


Një video zgjat dymbëdhjetë sekonda.


Syri ndalet.


Pas dyzet minutash kthehet me titull tjetër.


Pas një ore vjen sërish, me një fytyrë tjetër të vënë në radhë, derisa duart mësohen të mos dridhen.


Pastaj shfaqet patrulla. Tri profile.


I njëjti koment i kopjuar fjalë për fjalë.


I njëjti vrer si ritual.


Një emoji qesh përpara teje.


Një turmë e vogël përsërit të njëjtën fjali, si ushtarë pa uniformë.


Pastaj një njeri i vërtetë mbetet vetëm me fytyrën e vet, ndërsa turma e quan “përmbajtje”.


Ky është trollitantizmi.


Milici virtuale e baltës dhe e vrerit, që e kthen turpin në normë dhe e sheh të diturin si shënjestër, të zotin si armik, të mirin si gabim.


Helmi shitet si lojë.


Loja kërkon dorë.


Dora mësohet.


Dhe mendjelehti gjen një alibi të butë: “Kam kredi, prandaj i fal vetes çdo fyerje.”


E quan realizëm.


E quan mbijetesë.


E lan gojën me fjalën “virtyt”.


Drejtësia rri në këmbë mbi një fjali që vjen si parabolë gjykate: “Këtu ndëshkohet padrejtësia.”


Kur fjalia del, salla drejtësohet, dhe thonjtë tërhiqen për një çast, si të ishte kthyer fryma në vend.


Pastaj vjen nyja që s’fal. Një ekran i dërguar në bisedë. Një kërkesë e thënë lehtë: “ta shpërndajmë.”

Dora u nxeh.

Mendja kërkoi justifikimin e butë.

Gota rri e ftohtë pranë telefonit.


E shtypa.


Pas pak minutash, dritarja e bisedës u mbyll. Emri im mbeti pa përgjigje.

Një përshëndetje e zakonshme s’u kthye më. Dhe shkumë mbeti sipër.


Poshtë u njoh helmi si njollë që e njeh vetëm pasqyra.


Pastaj vjen përkthimi publik i së njëjtës rrëshqitje, aty ku liturgjia bëhet video dhe fjala bëhet procedurë.


Në ekran betimi mbetet si dritë në arkiv. Në tryezë zbret një faqe me datë dhe firmë.


Poshtë firmës rri një fjali e ftohtë: “bazuar në… vendoset…”, dhe askush s’e lexon me zë. Fjala përmbyset si procedurë.


Procedura bëhet justifikim i qetë.


Emër. Derë. Pasqyrë.


Në fund mbetet sendi që s’flet, dhe pikërisht për këtë flet më fort se gjithçka.

Një gotë uji rri e paprekur mbi tavolinë.

Lugëza prek xhamin një herë.

Pastaj ndalet.

Dora shkon drejt ujit dhe kthehet mbrapsht.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page