top of page

Dora e Tretë!

10 hours ago
4 min read

Nga Arian Galdini


Një pankartë mbahet me dy duar.


E treta nuk duket në fotografi.


Ajo shfaqet kur njeriu që e mban përpiqet të ndryshojë një fjalë dhe dëgjon nga pas: «Mos e prek.»

Nuk ka nevojë që dikush t’ia marrë pankartën nga duart.


Mjafton t’i marrë të drejtën për të vendosur çfarë shkruhet mbi të.


Ne nuk lindim me fjalët tona.


Të parat na i jep nëna, të tjerat i marrim nga mësuesit, librat, miqtë, edhe nga kundërshtarët.


Askush nuk bëhet autor i vetëm i mendimit të vetë.


Por ka një dallim që përcakton lirinë e tij, ai që të mëson një fjalë të lë të drejtën ta kundërshtosh, ai që kërkon të të sundojë ta jep fjalën me kushtin që të mos e ndryshosh.


Dora e tretë fillon pikërisht te ky kusht.


Një armik i përbashkët mund të mbledhë brenda një ore njerëz që nuk do të arrinin të binin dakord për të ardhmen as brenda një viti.


Eric Hofferi e kuptoi forcën e këtij bashkimi.


Por të dish kë do të rrëzosh nuk do të thotë të dish çfarë do të ngresh në vend të tij.


Kur urrejtja është i vetmi themel, fitorja mund të zbulojë zbrazëtinë që armiku e mbante të fshehur.


Njerëzit nuk kanë më një qëllim që i bashkon, kanë vetëm zakonin e të qenurit kundër.


Atëherë kërkohet një armik tjetër.


Në mungesë të tij, gjendet një tradhtar mes të vetëve.


E ardhmja shndërrohet në gjyq ku seanca nuk mbaron kurrë.


Shqipëria e vitit 2026 ka arsye të forta e reale për zemërim.


Unë kërkoj e punoj çdo ditë në mënyrën, mendimin e mundësitë e mia për fundin demokratik të qeverisjes së Edi Ramës dhe thyerjen e oligopolit PS–PD, që jeta politike t’u hapet njerëzve dhe forcave që mbahen jashtë saj.


Nuk e fsheh këtë qëndrim.


Por edhe zemërimi i drejtë mund të bëhet pronë e atij që premton ta drejtojë.


Kush merr pronësinë e protestës, mund të pretendojë nesër edhe pronësinë e fitores.


Qytetari atëherë zbulon se ka ndërruar zotëri, jo marrëdhënie me pushtetin.


Prandaj nuk më mahnit fjala «rini».


Mosha e re nuk është virtyt i fituar.


Një brez që mban bibliotekën e botës në xhep mund të jetojë vetëm me titujt e saj.


Ekrani shpërblen shpejtësinë e reagimit, jo durimin për të kërkuar prova, brohoritja mësohet më lehtë se përgjegjësia për atë që vjen pas saj.


Kjo kulturë mund të nxjerrë në shesh njerëz që e dinë përmendësh emrin e kundërshtarit, por jo programin e atij që pretendojnë të sjellin në pushtet.


Politika e njeh vlerën e kësaj padijeje.


Kur i kërkohet të tregojë çfarë do të ndërtojë, mund të nxjerrë përpara kamerës fytyra të reja, sikur mosha e tyre të ishte përgjigje.


Fotografia nuk ka program.


Por mund të përdoret për t’ia kursyer dikujt detyrimin që ta ketë një të tillë.


Një mendësi e vjetër nuk ka nevojë për një komplot që të mbijetojë.


Ndonjëherë mjafton një pyetje që nuk dërgohet.


Dikush shkruan në bisedën e grupit: «Kush e mori këtë vendim?»


Para se të shtypë «Dërgo», përfytyron fjalën që do t’i vënë në ballë: tradhtar.


E fshin. Në bisedë nuk mbetet as gjurmë e pyetjes, as gjurmë e ndalimit.


Dora e tretë është bërë zakon.


Unë jam antikomunist.


Shqiptarët e kanë njohur rendin ku Partia përcaktonte të vërtetën, armikun dhe gjuhën me të cilën duhej të flisje për të dy.


Marksizëm - Leninizmin e shoh si paralajmërim për organizatën që kërkon më shumë besnikëri sesa ndërgjegje.


Kjo mendësi nuk ka nevojë të kthehet me yll të kuq.


Mund të shfaqet edhe mes kamerave të reja, në një shesh që kërkon liri, në çastin kur njeriut i lejohet të bërtasë «jo» kundër qeverisë, por jo t’ia thotë të njëjtën fjalë drejtuesit të vetë.


Këtë rrezik e quaj Katovica e Re.


Nuk është e nevojshme që pushteti i vjetër të mbijetojë me të njëjtët emra, mjafton t’i mbijetojë mënyra e tij e të kërkuarit bindje.


Ndryshon fotografia e fituesve, por mbetet radha e njerëzve që duhet të heshtin.


Një revolucion që mbërrin në zyrë me të njëjtin urdhër që kishte dënuar në shesh, e ka tradhtuar fitoren para se të ulet në karrige.


E Djathta e Dinjitetit nuk matet me numrin e duarve që ngrihen në shesh, por me lirinë e njeriut për ta ulur dorën pa humbur vendin mes të vetëve.


Familja duhet t’i japë një prag ku të kthehet edhe pas mospajtimit, shkolla, guximin të kërkojë prova, puna dhe prona e ndershme, bukën që nuk ia mban peng partia.


Besimi i kujton se asnjë udhëheqës, sado të adhurohet, nuk është Zot.


Shqiptarizmi ynë nuk mund ta quajë të lirë një atdhe ku njerëzit duhet të marrin leje për të menduar.


Përfytyroj një djalë që kthehet nga protesta me pankartën e palosur nën krah.


Motra e vogël e ka parë duke brohoritur në ekran.


Ajo nuk e pyet sa njerëz ishin në shesh, as kë kishin kundër.


I kërkon të shkruajë diçka në anën e bardhë të kartonit.


Ai ia jep shënuesin.


Vajza ngurron dhe e pyet:


«Po sikur të shkruaj diçka me të cilën ti nuk je dakord?»


Djali ka kaluar gjithë ditën duke kërkuar lirinë e vetë.


Tani ajo qëndron përpara tij, në dorën e motrës.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page