Para se koha të flasë…

Nga Arian Galdini
Më 28 nëntor 1934, Winston Churchill nuk i kërkoi Dhomës së Komuneve të besonte se lufta ishte pranë.
Përkundrazi, tha se nuk e shihte as të afërt, as të pashmangshme.
Pikërisht për këtë kërkonte që Britania të përgatitej.
Po të mbërrinte lufta te dera, për mbrojtjen do të ishte tepër vonë.
Ai po kërkonte të mbrohej koha kur e ardhmja ende mund të ndryshohej.
Gjermania naziste po riarmatosej, fabrikat e municioneve, sipas të dhënave që sillte Churchill, punonin thuajse në kushte lufte, ndërsa fuqia ajrore gjermane po rritej.
Ai premtoi të mos ekzagjeronte e të qëndronte brenda asaj që ishte e njohur dhe e provuar.
Madje i ftoi ministrat t’i vërtetonin, t’i korrigjonin ose t’i kundërshtonin pohimet e tij.
Nuk po kërkonte që fjala e vetë të përjashtohej nga gjykimi.
Kërkonte që gjykimi të merrej me atë që fjala sillte.
Më 19 mars 1935, ai foli për Dessau-n, qytetin gjerman ku ndodheshin fabrikat Junkers.
Tha se rreth trembëdhjetë mijë njerëz kishin ardhur në qytet, por nuk pretendoi se ishin të gjithë punëtorë.
Përshkroi një prodhim avionësh të shpërndarë në punishte të vogla, prej nga pjesët dërgoheshin për montim në fabrikat qendrore.
Përmendi vidat dhe bulonat.
Në një Parlament që diskutonte sigurinë e vendit, Churchill fliste për pjesë të vogla të një makinerie që po ndryshonte ekuilibrin e Europës.
Asnjë bulon nuk provonte se do të shpërthente lufta.
Por mijëra pjesë të tilla, të lidhura nga një program riarmatimi dhe nga synimet e një regjimi, tregonin se po ndërtoheshin mjetet për ta bërë atë.
Ky është mundimi i njeriut që paralajmëron, duhet të tregojë lidhjen ndërmjet fakteve në një kohë kur pasojën nuk mund ta vendosë mbi tryezë.
Historia ende nuk kishte rrënoja për t’u treguar.
Kishte punishte.
Churchill nuk fliste krejt i padëgjuar.
Në maj 1935, një deputet tha se vendi i detyrohej mirënjohje atij dhe disa zërave të tjerë për alarmin mbi fuqinë ajrore gjermane.
Britania kishte nisur gjithashtu masa për t’u përgatitur.
Por të njohësh një rrezik nuk do të thotë ende të kesh bërë gjithçka që njohja kërkon.
Midis pranimit të një paralajmërimi dhe vendimeve të mjaftueshme për t’iu përgjigjur atij, mund të humbasë pikërisht ajo që paralajmëruesi kërkon të shpëtojë, koha.
Dhe koha nuk rrinte në vend derisa ata të binin dakord.
Më 10 mars 1936, Herbert Morrison, gjatë një debati për mbrojtjen, foli për një përshtypje që vetë e quajti të padrejtë, sikur Churchill dëshironte të ndodhte diçka dramatike, që idetë e tij të viheshin në provë.
Morrison sqaroi se nuk po thoshte që ai dëshironte luftë.
Megjithatë, për një çast, Parlamenti po shqyrtonte çfarë mund të dëshironte folësi, jo çfarë po përgatitej jashtë Britanisë.
Po atë ditë Churchill kishte folur për dëshirën për t’ia kursyer njerëzimit tmerret e luftës.
Një dyshim i tillë i vë paralajmëruesit një barrë të çuditshme.
Ai duhet të provojë se nuk e do fatkeqësinë që po përpiqet të shmangë.
Nëse këmbëngul, mund të quhet i etur për ngjarjen, nëse hesht, rreziku mbetet pa një zë që ta emërtojë.
Teksa kërkohet të zbulohet ç’ka ai në zemër, faktet që solli mund të mbeten pa u shqyrtuar.
Dhe rreziku, nëse është i vërtetë, nuk e ndal punën për të pritur vendimin mbi karakterin e tij.
Më 5 tetor 1938, pas Marrëveshjes së Mynihut, Churchill u ngrit përsëri në Dhomën e Komuneve.
Britania po merrte frymë e lehtësuar.
Lufta dukej e shmangur.
Ai paralajmëroi se do të thoshte diçka fort të papëlqyer, vendi kishte pësuar një humbje të plotë.
Nancy Astor e ndërpreu: «Marrëzi.»
Pak më vonë, kur ai po shpjegonte çfarë kishte arritur qeveria, nga bankat e deputetëve u dëgjua: «Paqen.»
Kush kishte humbur një bir në luftën e mëparshme nuk kishte nevojë t’i mësohej vlera e paqes.
Në Britani kishte prindër që donin t’i shihnin fëmijët të rriteshin, të punonin, të ktheheshin në mbrëmje në shtëpi.
Por një dëshirë kaq e drejtë nuk mund t’i mbante në këmbë fortifikimet që Çekosllovakia po humbiste.
Nuk mund t’ia zvogëlonte Hitlerit fuqinë që po fitonte.
Churchill nuk po kundërshtonte paqen që njerëzit dëshironin.
Po kundërshtonte bindjen se ajo ishte siguruar, pa u matur ajo që i ishte dorëzuar kërcënimit.
Më vonë Astor e ndërpreu sërish: «I pasjellshëm.»
Kjo fjalë, bashkë me «Marrëzi» dhe «Paqen», mbeti në regjistrin parlamentar.
Në vitin 1934 Churchill i kishte ftuar ministrat t’i kundërshtonin të dhënat.
Tani fjalët me të cilat ndërpritej nuk kundërshtonin asnjë prej tyre.
Një debat mbi mbrojtjen e shteteve gjente kohë të ndalej te sjellja e njeriut që ngrinte alarmin.
I duhej të rifitonte vendin e fjalisë, ndërsa Europa nuk mund të rifitonte aq lehtë atë që po humbiste.
Edhe në Shqipëri ka debate që përfundojnë pa filluar.
Dikush sjell një fakt që kërkon verifikim ose një rrezik që kërkon vendim.
Emri i tij shqiptohet me përbuzje, dikush kujton një gabim të vjetër, një tjetër zbulon një miqësi të papëlqyer, dhe biseda ndizet.
Deri në mbrëmje, secili mund ta dijë saktësisht në cilën anë të rreshtohet, pa ditur ende nëse faktet që u sollën ishin të vërteta.
Fyerja ka një lehtësi mashtruese, të jep ndjenjën se ke gjykuar, pa të kërkuar mundimin e gjykimit.
Besueshmëria e folësit ka vendin e vetë në shqyrtim, por nuk mund ta zëvendësojë atë.
Njeriu që ka gabuar dje mund të ketë parë drejt sot.
Ai që është fyer padrejtësisht mund të jetë përsëri gabim.
Prandaj as njolla, as plaga nuk janë provë.
Por kur përbuzja zë vendin e argumentit, dëmi i parë i bëhet dinjitetit të njeriut, ndërsa dëmi tjetër mund t’u bjerë njerëzve që as e njohin, as e kanë fyer.
Ata trashëgojnë pasojat e një çështjeje që të tjerët e lanë pa shqyrtuar në kohën e duhur.
Më 15 mars 1939, trupat gjermane pushtuan Boheminë dhe Moravinë.
Hitleri kishte shkuar përtej asaj që kishte marrë në Mynih.
Paralajmërimi për pavarësinë e Çekosllovakisë nuk kishte më përballë vetëm kundërshtime parlamentare.
Kishte përballë ngjarjen.
Më 13 maj 1940, Churchill foli në të njëjtën Dhomë, tashmë si kryeministër i një Britanie në luftë.
Nuk kishte ç’të ofronte, tha, veç «gjakut, mundimit, lotëve dhe djersës».
Në vitin 1935 ai u kishte treguar deputetëve vidat e bulonat me të cilat po ndërtohej një fuqi ushtarake.
Pesë vjet më vonë duhej të fliste për gjakun që do të kushtonte qëndresa ndaj saj.
Folësi ishte i njëjti.
Por fjala e tij nuk mund të bënte më të njëjtën punë.
Më 1938 kërkonte vendime përpara se kërcënimi të fitonte fuqi të tjera.
Më 1940 kërkonte qëndresë brenda luftës.
Churchill-it po i shtoheshin dëgjuesit, atyre po u pakësoheshin zgjedhjet.
Më 5 mars 1946, pasi lufta kishte mbaruar, ai u kthye te vitet e paralajmërimeve.
Tha se e kishte parë çfarë po vinte, kishte ngritur zërin përpara bashkatdhetarëve dhe botës, por nuk i ishte kushtuar vëmendje.
Ai besonte se veprimi i hershëm mund ta kishte parandaluar katastrofën.
Ishte gjykimi i tij mbi një histori që nuk ndodhi dhe që nuk mund të provohet me siguri.
Por historia që ndodhi kishte treguar se rreziku për të cilin fliste nuk ishte një trillim.
Koha mund ta nxjerrë të drejtë njeriun e përqeshur, por nuk e bën të drejtë për shkak të përqeshjes.
Faktet që më vonë u bënë të pamohueshme kishin qenë më herët arsye për të vepruar.
Kur ngjarjet ua vërtetojnë kuptimin, ato nuk sjellin bashkë me vete kohën e humbur.
Një emri mund t’i kthehet nderi.
Një vendimi të pamarrë nuk mund t’i kthehet dita kur ende mund të ndryshonte diçka.
Njeriu që paralajmëroi mund ta mbajë mend ende ndërprerjen, të qeshurën, atë çast kur iu desh të mbronte të drejtën për të folur, ndërsa arsyeja e fjalës së tij priste.
Mund të vijë dita kur ta nderojnë dhe ai të mos ndjejë fitore.
Sepse, nëse foli për të shpëtuar jetë, nuk mund ta quajë shpërblim fatkeqësinë që i dha të drejtë.
Dhe ka një padrejtësi të fundit, më të heshtur se të tjerat.
Nëse paralajmërimi dëgjohet, nëse njerëzit veprojnë dhe e keqja shmanget, mund të mos vijë kurrë dëshmia që do t’ua mbyllte gojën përbuzësve.
Nuk ka fotografi të qytetit që nuk u dogj.
Nuk ka regjistër të njerëzve që nuk vdiqën.
Madje dikush mund të vazhdojë ta quajë alarmist atë që foli, pikërisht sepse jeta vazhdoi pa katastrofë.
Por një paralajmërim i thënë për të mbrojtur jetën nuk mund ta kërkojë vdekjen si dëshmitare.
Në regjistrin e 5 tetorit 1938 mbetën «Marrëzi» dhe «Paqen».
Më vonë erdhën datat që askush nuk mund t’i ndërpriste.
Ne i shohim të renditura në një faqe, sikur vitet ndërmjet tyre të mos kishin qenë ditë pune, fëmijë që rriteshin, tryeza që shtroheshin dhe vendime që ende mund të merreshin.
Sepse fitorja më e madhe e një paralajmërimi mund të mos jetë dita kur të gjithë pranojnë se ai ishte i drejtë.
Mund të jetë një mbrëmje pa lajm të jashtëzakonshëm, kur një derë hapet dhe dikush që pritej, kthehet në shtëpi.
Arian Galdini





Comments