top of page

Dorëzohem…



Po po, dorëzohem…


E tërheq Ide - Propozimin tim të djeshëm për Revolucionin e FlaBingove…


Ju kërkoj ndjesë që më shkoi ndërmend të bëj një Ide - Propozim në Facebook, me shkrim e me video.


Nuk e dija që Shqipërisë i vikan të gjitha të këqijat nga Postimet e mia në Facebook e Rrjete Sociale…


Kisha menduar deri dje, se Shqipërisë i vijnë të këqijat nga ata që e Qeverisin, e grabisin, e plaçkisin, e gllabërojnë, e shuajnë, e grijnë e masakrojnë, duke qenë në Pushtet, Parlament, Bashki, Gjykata, Prokurori, Polici, etj, etj…


Dje e kuptova.


Shqipëria qenka shumë e kënaqur me Qeverinë, Opozitën, Pushtetin, Pushtetet, Bashkitë, Gjykatat, Prokurorinë, Policinë…


Të gjitha fajet i paska Arian Galdini që shkruan e flet me shkrim e video në Facebook e Rrjete sociale.


Ju kërkoj ndjesë o njerëz të mirë.


Sinqerisht ju kërkoj ndjesë.


Në dy postimet e mia dje, njëri me shkrim e tjetri me video, ku jepja Ide - Propozimin tim për Revolucionin e FlaBingove dhe Sali Berishën për të rrëzuar Edi Ramën, kam parë mbi 400 komente, në këtë Faqe dhe në Faqen e LRE.


Prej këtyre mbi 400 komente, 190 e paskan kuptuar Ide - Propozimin tim si kundër Sali Berishës, dhe më kanë sharë mua si: Soroist, Patronazhist, Maskara, Qelbësirë, Budalla, Legen, të shitur tek Edi Rama, më i keq se Ramoviçi, shërbëtor i Ramoviçit, këlysh i Ramës, të shitur tek Rama, Rilindist, Socialist, Komunist, shpirt shitur, dhe si për lezet sharje pa hesap për mua, për familjen time e çdo njeri të familjes sime.


Po ashtu, në të njëjtat postime, në bashkëjetesë gati gati epike, të habitshme, harmonike totale, 190 e paskan kuptuar Ide - Propozimin tim si kundër Edi Ramës, dhe më kanë sharë mua si: I hëngsh m.. Edi Ramës, kush je ti more lopcar i pashkolluar, Maskara, Qelbësirë, Budalla, Legen, sorrë e Saliut, më i keq se Sali Serbi, shërbëtor i Sali Kriminelit, këlysh i Berishës, i shitur tek UDB dhe Greku, Rilindist, FredBelerist, Iranian, terrorist, shpirt shitur, dhe si për lezet sharje pa hesap për mua, për familjen time e çdo njeri të familjes sime.


Në 400 komente, vetëm 20 ishin, ose të tipit: Propozim interesant, ose që e kishin kuptuar se Ide - Propozimi im ishte një sarkazëm e thjeshtë dhe vazhdimësi e një komunikimi intensiv e me logjikën e kontekstin e çdo fjale që unë kam shkruar e kam thënë çdo ditë së paku në 6 vitet e fundit…


Vetëm 20 veta mund ta kenë kuptuar ose e kanë kuptuar se ishte sarkazëm, sarkazëm, sarkazëm, për të ekspozuar Harmoninë e Hipokrizisë së Rama - Berisha dhe FlaBingove të tyre.


Ishte sarkazëm, sarkazëm.


Filozofi me Helmetë Edmond Xhindi, besoj se duhet të punojë më shumë me popullin tonë të nderuar për ti shpjeguar se çfarë është sarkazma…


Kam shumë vërejtje dhe pakënaqësi me Filozofin me Helmetë Edmond Xhindi.


Sepse në Shqipëri fajet i paskam unë që shkruaj e postoj e bëj video e live në Facebook dhe Rrjete Sociale, dhe Filozofi me Helmetë Edmond Xhindi që nuk ia sqaron popullit tonë heroik dhe të zgjuar e ndriçuar nga Revolucioni i FlaBingove, se çfarë është sarkazma.


Më falni o njerëz, më falni.


Nuk e dija, që pronat jua vjedhin Postimet e mia në rrjetet sociale.


Nuk e dija që Shqipërinë e shkatërrokan, vidhkan, shiskan, grabiskan, rrënokan, Postimet e mia në Rrjetet Sociale.


Më falni që ju kam shkaktuar kaq shumë fatkeqësi.


Më falni.


Ju lutem, mos thërrisni më në Revolucion: Rama n’Burg, Berisha n’Burg…


Ju lutem.


E meritoj të thërrisni: Galdini në litar…


Më falni o njerëz.


Thjesht po mendoja, nëse në 400 komente, 380 janë për Rama - Berisha si heronj kombëtarë, dhe në 20 vetëm 3 a 4 ishin ndryshe, dhe 15 janë anëtarë të LRE, ore po FlaBingo kush janë?


Apa këta që janë për Rama - Berisha si heronj kombëtarë, bëhen edhe FlaBingo po deshën udhëheqjet?


Revolucioni paska bërë zgjim të madh dhe liria paska vërshuar…


Të gjithë njëzëri: Galdini në litar…


Sharjet mos i harroni…


Ah, kur më shani e mallkoni mua dhe anëtarët e familjes sime, listën e dasmës dhe pragun e shtëpisë sime, ju lutem mos ma harroni edhe peshkun..


Ju lutem, se kemi blerë edhe një peshk të vogël akuariumi me kujtesë 3 sekonda..


Mos e harroni ta shani edhe atë se e kemi si pjesë të familjes dhe na duket sikur e lini pas liste.


Më falni e ma bëni hallall.


Edhe ju intelektualët e nderuar që keni komentuar me këshilla e vërejtje rigoroze e skrupuloze për ide - propozimin tim, ju lutem flisni me Filozofin me Helmetë Edmond Xhindi që tju shpjegojë se çfarë është sarkazma, e gjithashtu tju shpjegojë se unë kam lindur në 11 dhjetor 1974, dhe ndoshta ekziston mundësia të kem shkruar dhe folur edhe para “statusit” ku rastisni të më pikasni e “qortoni” ju… Po ta kuptoni që unë nuk lind në momentin që lexoni ju një status, ndoshta do ta kuptoni edhe se një status nuk jam unë, nuk është i gjithë mendimi im, e mund të jetë vazhdimësi e shumë statuseve e komunikimeve të tjera, e për rrjedhojë mos më përkufizoni e gjykoni e fusni në kutinë e një statusi, se ndoshta mund të ketë edhe shumë e shumë të tjera..


Ma bëni hallall se u zgjata..


Ah, ky status nuk lindi sot.


Është vazhdimësi e statuseve të djeshme, pardjeshme, e me radhë.


Mos më gjykoni, përkufizoni, etiketoni, këshilloni a shani nga ky status.


Imagjinoni, që mund të ketë edhe të tjerë, nëse mundeni.


Faleminderit.

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page