top of page

Dy udhët



Në ekran, Shqipëria duket sikur jeton më shpejt, se vetja, një lajm që të godet pa të pyetur, një pamje që shpërthen e tretet, një thirrje që të kërkon përgjigje përpara se arsyeja të zgjohet.


Në këtë vrull, fjala del në çast dhe e humb peshën e vet, pasojat rrinë gjatë dhe njeriun e gjejnë atje ku s’e pret.


Ato i gjejnë fëmijët te dera e shkollës, familjet te tryeza e bukës, qytetarët në radhë, në fund e gjejnë vendin te besimi i ndërsjellë që e mban në këmbë, aty ku gjithçka mbahet ose rrëzohet, shpesh në heshtje.


Në sekondën para se gishti të shtypë “Post”, tundimi është të shkruash një fjali poshtëruese a një akuzë pa provë, vetëm që zemra të marrë frymë një çast, po s’e mbajte atë sekondë, dita të ikën nga dora pa u ndjerë.


Sot unë shoh dy udhë, dhe i them me emër e pa stoli.


E para është Shqipëria e Mundimeve, me Heronjtë e saj të Mundimeve e Sakrificave, dhe Sheshi i Zhurmës, thirrje pa mbarim, varg protestash, temperaturë e lartë e drejtim i turbullt, ku sakrifica kthehet në program, ndërsa rregulli s’lind.


Njerëzit numërohen në shesh, por pastaj s’matet asnjë ndreqje, as në punë, as në shkollë, as në gjykim.


Unë nuk e përqesh dhimbjen që i nxjerr njerëzit në shesh, sepse plagët janë të prekshme dhe padrejtësitë nuk janë trill, por e shoh grackën kur dhimbja kthehet në skenë, e skena bëhet bukë për parti të vjetra e të reja, secila me thirrjen e vet, me uri për kamerën.


Në atë rreth, vendi lodhet, besimi plaket, dhe e drejta humb gjuhën e vet.


Atëherë pyetja kthehet prapë, çfarë u ndreq pas gjithë kësaj?


Udha e dytë është Shqipëria Mendonjëse, ashtu siç e deshën Sami Frashëri dhe Branko Merxhani, Kris Maloku, Faik Konica, Gjergj Fishta, etj, Shqipëria e arsyes që kërkon provë, e masës që ruan nderin, e dinjitetit që nuk lihet në mëshirë të çastit.


Përballë Shqipërisë së zhurmës, unë zgjedh Shqipërinë Mendonjëse, sepse besoj se një vend nuk shërohet vetëm me shpërthime, shërohet kur mëson të mendojë së bashku dhe ta kthejë fjalën në mjet ndreqjeje, jo në lodër zemërimi.


Prej këtej lind nisma ime si qytetar, Pakti Kombëtar i Urtisë dhe rruga drejt Kuvendimit Kombëtar të Urtisë, si kthjellim përballë dhimbjes, jo si thirrje për rreshtim a garë, por si bisedë qytetare për fjalën dhe pasojën e saj.


Këtu fjala duhet të ketë dorë, që të mos mbetet hije në ekran, Pakti është marrëveshja jonë, fjala me provë, vendimi me pasojë, dhe nderi që nuk shkelet, edhe kur zemra vlon.


Nuk e fsheh kush jam.


Jam themeluesi dhe ish-Kryetari i LRE - Rinisja, sot anëtar i thjeshtë dhe shtyllë doktrinore e shpresoj morale e saj.


Por kjo nismë nuk buron nga asnjë parti dhe nuk shërben për synime partiake a zgjedhore, unë nuk kërkoj poste dhe nuk kërkoj vota.


E them pa dykuptim, nuk synoj detyra publike dhe nuk do të garoj për asgjë, as sot, as nesër, as në një të ardhme.


Dua të jem thjesht qytetar i thjeshtë mes qytetarësh të thjeshtë, si autor i ‘Neoshqiptarizmi’, për të biseduar me nder e me mendim të pjekur mbi atë që na dhemb dhe mbi atë që mund të ndërtojmë.


Kjo rrugë merr trup vetëm po u bë takimi i vërtetë.


Ajo nis nga një tryezë e thjeshtë, me një pyetje të vetme që s’e lë askënd të fshihet pas fjalëve, prej asaj tryeze shtrihet kudo në Shqipëri dhe në diasporë, pa logo, pa foltore, pa bujë.


Kuvendimet e urtisë i shoh si punë të kthjellët, një pyetje e javës, e thjeshtë, na bashkon dhe na vë përballë njëri-tjetrit, një dëshmi nga jeta na mban te e vërteta, dhe një hap i vogël rri në dritë, që fjala të bëhet e dobishme, jo vetëm e pëlqyer.


Kështu bëhet Shqipëria Mendonjëse, jo me thirrje, por me prova, jo me përbuzje, por me masë, jo me shfaqje, por me përgjegjësi.


Sheshi ka vendin e vet dhe protesta paqësore meriton nder kur mbahet me dinjitet dhe me masë, por një vend nuk mund të jetojë vetëm me shpërthime, i duhet ritëm ndërtimi, gjuhë që nuk gënjen, rregull që nuk blihet.


Kush e ndjen të dobishme ecjen bashkë, mund të më shkruajë në mesazh privat qytetin ku është dhe pyetjen që e mban zgjuar, pjesën tjetër e kuptojmë në rrugë, në takim, sy më sy, me nder.


Kështu nis kjo udhë, me një fjalë që sot mban nderin dhe nesër mban pasojën. 🇦🇱


Nisim🇦🇱

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page