E djathta e papërfunduar…

Nga vazhdimësia e këputur te prova e lirisë
Nga Arian Galdini
Shqipërisë nuk i ka munguar vetëm alternimi politik.
I ka munguar vazhdimësia e së djathtës.
Regjimi komunist nuk zhduku vetëm konkurrencën mes partive.
Goditi shumë prej kushteve shoqërore prej të cilave mund të ushqehej një traditë e djathtë, pronën, sipërmarrjen, autonominë ekonomike të familjes, organizimin jashtë shtetit dhe mundësinë për të ndërtuar jetë pa kaluar gjithçka përmes pushtetit.
Kolektivizimi përfshiu pothuaj gjithë vendin dhe Kushtetuta e vitit 1976 eliminoi pronësinë private mbi tokën dhe pasurinë e paluajtshme.
Tranzicioni duhej të rindërtonte jo vetëm tregun, por edhe marrëdhënien e qytetarit me pronën, shtetin dhe vetë përgjegjësinë.
Pluralizmi riktheu garën (së paku formalisht).
Nuk mund të rikthente me dekret atë që ishte zhdukur nga jeta.
Ligji ndryshon më shpejt se zakoni.
Partitë mund të lindin brenda muajve, marrëdhëniet njerëzore që prodhon një regjim mbijetojnë shumë më gjatë se ai.
Kush është mësuar se puna, siguria, ngritja shoqërore dhe mbijetesa kalojnë nga afërsia me pushtetin, mund ta marrë këtë zakon me vete edhe në demokraci.
Një diktaturë mund të shembet përpara marrëdhënieve të varësisë që ajo ka krijuar.
Prandaj tranzicioni nuk është vetëm kalimi nga një parti te shumë parti.
Është kalimi nga njeriu që kërkon derën e pushtetit te qytetari që i beson rregullit.
E djathta shqiptare është e papërfunduar pikërisht këtu.
Historia ia këputi vazhdimësinë.
Demokracia i riktheu të drejtën për të konkurruar.
Por kushtet e lirisë nuk mund t’ia ndërtojë më e shkuara.
Historia shpjegon pikën e nisjes.
Nuk mund të jetë alibi për atë që bëhet me lirinë e fituar.
Çmimi i Jo - së
Në një rend të lirë, pushteti mund të ndryshojë vendimin.
Nuk duhet të ndryshojë statusin njerëzor të atij që humbet.
Qytetari mund të humbasë një votim dhe të mbetet qytetar i plotë.
Aleati mund të humbasë një debat dhe të mbetet aleat.
Kandidati mund të humbasë garën dhe të mos humbasë të drejtën për të garuar përsëri.
Një bashki mund të qeveriset nga kundërshtari dhe të mos humbasë kompetencat për këtë arsye.
Një gjykatë mund ta rrëzojë qeverinë pa u bërë armike e shtetit.
Rendi kërkon zbatimin e vendimit.
Dominimi fillon kur humbja e vendimit shndërrohet në ulje të statusit.
Kur punonjësi që nuk bindet politikisht rrezikon bukën.
Kur sipërmarrësi fillon të peshojë fjalën e tij sipas lejes së radhës.
Kur aleati që kundërshton shpallet tradhtar.
Kur votuesi mendon se “jo”-ja e tij do të shihet, do të mbahet mend ose do të ndëshkohet.
Aty shfaqet Çmimi i Jo-së.
Liria nuk matet vetëm nga të drejtat që shkruhen në ligj.
Matet edhe nga ajo që duhet të sakrifikosh për t’i ushtruar kundër një pushteti.
Çmimi bëhet i padrejtë kur kundërshtimi nuk të kushton vetëm humbjen e çështjes, por fillon të të ulë si qytetar, punëtor, sipërmarrës, kandidat, aleat apo pjesëtar i bashkësisë.
Një Republikë e lirë nuk duhet të ketë nevojë për qytetarë heroikë vetëm që të dëgjohet fjala “jo”.
Duhet ta bëjë kundërshtimin normal.
Sepse liria nuk është të mos detyrohesh kurrë nga një vendim i përbashkët.
Është të mos bëhesh pronë e atij që fitoi të drejtën ta marrë atë vendim.
Autoriteti legjitim fiton vendimin.
Nuk fiton njeriun.
Liria ka nevojë për shumë dyer
Njeriu nuk është i lirë sepse nuk varet nga askush.
Një njeri i tillë nuk ekziston.
Fëmija varet nga prindi.
Punëtori nga tregu.
Sipërmarrësi nga klienti.
Familja nga shoqëria.
Komuniteti nga institucionet.
Shqipëria nga aleancat e saj.
Problemi nuk është ndërvarësia.
Problemi lind kur një varësi e nevojshme shndërrohet në pronësi mbi njeriun.
Prandaj E Djathta Humane nuk është teori e shtetit sa më të vogël.
Një shtet mund të jetë i vogël dhe njeriu të mbetet i pambrojtur përballë oligarkut, monopolistit, klanit lokal, punëdhënësit dominues, pronarit të partisë apo një bashkësie që kërkon bindje absolute.
Pushteti nuk bëhet i padëmshëm vetëm sepse është privat.
Liria kërkon shumë burime autorësie.
Prona i jep njeriut një pjesë të jetës që nuk duhet t’i kërkojë çdo mëngjes leje pushtetit.
Puna dhe profesioni i japin mundësi të mos jetojë nga favori.
Familja krijon një bashkësi që nuk lind me autorizimin e qeverisë.
Tregu konkurrues hap rrugë daljeje.
Gjykata e pavarur është vendi ku qytetari mund t’i thotë shtetit se nuk është fjala e fundit.
Bashkia i jep komunitetit pjesën e vetë të vetëqeverisjes.
Shoqëria civile, media e lirë dhe bashkësitë e besimit krijojnë hapësira ku njeriu nuk mbetet vetëm përballë shtetit.
Asnjë prej tyre nuk meriton mbrojtje vetëm prej emrit.
Prona mbrohet, por oligopoli jo.
Tregu mbrohet, por monopoli jo.
Familja mbrohet, por nuk fiton të drejtë pronësie mbi anëtarin e saj.
Bashkia mbrohet, por jo feudi lokal.
Kombi mbrohet, por shqiptari nuk bëhet pronë e kombit.
Shteti duhet të jetë mjaftueshëm i fortë për të ndalur pushtetin që shkatërron lirinë e të tjerëve dhe mjaftueshëm i kufizuar që të mos shndërrohet vetë në pushtetin përfundimtar mbi jetën.
E Djathta Humane është pikërisht kjo, autoritet pa pronësim, ndërvarësi pa dominim, liri me bazë reale.
Pragu
Por çfarë ndodh me njeriun që nuk ka pronë?
Nuk ka kursim.
Nuk ka profesion që e mbron.
Nuk ka familje të fortë.
Nuk ka rrjet ku të mbështetet.
Një e djathtë që flet për pavarësinë vetëm me njeriun që tashmë ka mjete nuk është humane.
Shteti ka një detyrë pozitive.
Të garantojë pragun poshtë të cilit liria bëhet vetëm fjalë.
Siguri.
Arsim.
Drejtësi.
Aftësi.
Mobilitet.
Mbrojtje nga rënia që do ta linte njeriun krejtësisht në duart e një pushteti publik ose privat.
Jo për ta administruar jetën.
Jo për ta kthyer ndihmën në favor.
Jo për ta mbajtur njeriun përjetësisht të varur.
Shteti garanton pragun. Njeriu ndërton jetën.
Shteti i mirë nuk prodhon klientë.
Krijon kushtet që nevoja për padron të mund të mbarojë.
E Djathta Humane nuk premton që askush të mos ketë nevojë për askënd.
Premton që askush të mos ketë nevojë për një padron për të qenë qytetar.
E mira e përbashkët
Liria nuk e zhduk nevojën për të jetuar së bashku.
E mira e përbashkët nuk është një projekt uniform që shteti ua vendos njerëzve mbi kokë.
Është rendi ku njerëz të ndryshëm mund të ndërtojnë jetën e tyre pa ia shkatërruar tjetrit kushtet për të bërë të njëjtën gjë.
Prona ime nuk më jep të drejtën të ndërtoj monopolin që të mohon ty çdo rrugë tjetër.
Liria ekonomike nuk është licencë për të blerë pushtetin politik.
Autonomia vendore nuk është e drejta për të ngritur feud.
Familja nuk e humbet dinjitetin e saj duke pranuar dinjitetin e anëtarit.
Kombi nuk dobësohet kur qytetari mbetet autor.
Shumica nuk e humbet të drejtën për të qeverisur sepse pakica nuk bëhet pronë e saj.
E mira e përbashkët është rendi ku autorësia ime nuk ndërtohet mbi shkatërrimin e autorësisë sate.
Prandaj shteti i fortë dhe shteti i kufizuar nuk janë kundërshtarë.
Shteti duhet të jetë i fortë brenda juridiksionit të vetë.
Dhe i kufizuar në pretendimin për të zotëruar jetën.
Bashkimi duhet ti ngjajë lirisë që premton
Një e djathtë që premton shpërndarjen e pushtetit në Republikë duhet ta provojë së pari se di ta shpërndajë pushtetin brenda vetes.
Nëse qytetari nuk është pronë e shtetit, aleati nuk mund të jetë pronë e partisë më të madhe.
Nëse pushteti vendor duhet të ketë autonomi, pjesët e një bashkimi politik nuk mund të ekzistojnë vetëm me lejen e qendrës.
Nëse tregu kërkon konkurrencë, e djathta nuk mund të ketë frikë nga konkurrenca brenda vetes.
Nëse institucionet duhet të mbijetojnë qeverinë, organizatat politike duhet të mund të mbijetojnë drejtuesit e tyre.
Bashkimi nuk kërkon uniformitet.
As nuk mund të bëhet federatë vetosh.
Ka nevojë për autoritet.
Ka nevojë për rregull të përbashkët.
Ka nevojë për vendim.
Dikush fiton dhe dikush humbet.
Por humbësi nuk zhduket.
Bashkimi ka nevojë për një qendër vendimmarrjeje, jo për një qendër pronësie.
Aleati nuk zotëron të tërën.
Qendra nuk zotëron aleatin.
Pikërisht këtu Çmimi i Jo-së bëhet edhe provë e bashkimit.
Sa i kushton një deputeti të mos pajtohet?
Një aleati të kundërshtojë qendrën?
Një figurë lokale të mendojë ndryshe?
Një intelektuali të mos përsërisë vijën e ditës?
Nëse përgjigjja është zhdukja politike, e djathta ka prodhuar brenda vetes pikërisht varësinë që pretendon të luftojë në Republikë.
Pesha nuk është pronësi
Në Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e vitit 2025, PS ka 83 mandate dhe koalicioni PD - ASHM 50, PSD ka 3, Mundësia 2, Lëvizja Bashkë 1 dhe Nisma Shqipëria Bëhet 1.
PD - ASHM është kështu blloku më i madh parlamentar opozitar.
Kjo e bën peshën e PD-së fakt politik.
Nuk e bën pronare të opozitarizmit dhe as të së djathtës.
Pyetja është nëse forca më e madhe mund të jetë qendra e një shumice më të madhe se vetja pa kërkuar që ajo shumicë të humbasë autonominë.
Partitë e reja nuk kanë privilegj tjetër.
Risia politike nuk matet nga data e regjistrimit.
Matet nga ajo që nuk riprodhon.
Një forcë e re me pronar të ri, klientelë të re, kult të ri dhe frikë të re nga mendimi ndryshe është e re vetëm në kalendar.
Edhe protestat qytetare të quajtura “Flamingo” kanë treguar një fakt politik që partitë nuk duhet ta harrojnë, pakënaqësia mund të lindë jashtë tyre dhe t’i drejtohet njëkohësisht qeverisë dhe elitës tradicionale opozitare.
Shoqëria nuk është boshllëk që partitë duhet ta pushtojnë.
Qytetari mund të jetë kundër qeverisë pa qenë pronë e opozitës.
Tri provat e sotme
Reforma Zgjedhore është prova nëse politika shqiptare ka porta reale hyrjeje.
ODIHR i cilësoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 konkurruese dhe profesionalisht të administruara, por konstatoi mungesë të një fushe të barabartë gare dhe raportime për keqpërdorim burimesh publike, presion ndaj punonjësve publikë, intimidim, blerje vote dhe probleme me fshehtësinë e votës, rekomandimet përfshijnë reformë gjithëpërfshirëse, administrim më të paanshëm dhe forcim të mbikëqyrjes mbi financimin dhe burimet shtetërore.
Demokracia nuk është e hapur vetëm kur qytetari mund të zgjedhë mes ofertave ekzistuese.
Duhet të jetë e hapur edhe për lindjen e alternativës që ende nuk zotëron hyrjen.
Reforma Territoriale është prova nëse autorësia shpërndahet në hapësirë.
Më 6 tetor 2026, projekti i shumicës për kalimin nga 61 në 46 bashki është planifikuar për votim më 8 tetor, ndërsa grupi parlamentar i PD-së ka depozituar një variant me 100 bashki dhe 12 qarqe.
Numri, vetë, nuk e zgjidh pyetjen.
Pyetja është kush vendos, mbi çfarë, me cilat burime dhe para kujt jep llogari.
Afërsia pa kompetencë është dekor.
Kompetenca pa afërsi bëhet centralizim.
Vendoret e vitit 2027 janë prova e tretë.
KQZ ka kërkuar që reforma zgjedhore të përfundojë në kohë, pikërisht që rregullat të jenë të qarta përpara zgjedhjeve vendore.
Atje teoria nuk mund të fshihet.
Administrata bëhet profesioniste ose klientelë.
Kontrata bëhet publike ose jo.
Prona mbrohet ose cenohet.
Taksa kthehet në shërbim ose humbet rrugës.
Kompetenca mbetet pasi mbaron fjalimi.
Rinisja nuk ka standard tjetër.
Emri nuk krijon meritë.
Duhet të provojë se mund të ndërtojë atë që thotë se mungon.
Parimi provohet kur na kufizon
E djathta shqiptare duhet të dojë fitoren.
Humbja nuk është virtyt.
Por fitorja zgjedhore është vetëm çasti kur doktrina merr pushtetin e nevojshëm për t’u provuar.
Prova fillon pasi fiton.
Gjykata rrëzon ligjin e saj?
Mbron pavarësinë e gjykatës.
Media e dëmton?
Mbron lirinë e medias.
Një bashki e majtë përdor autonominë për t’iu kundërvënë qeverisë?
Mbron autonominë.
Pronari financon kundërshtarin?
Mbron pronën.
Votuesi e largon?
Dorëzon pushtetin.
Aleati nuk bindet?
Nuk ia mohon të drejtën për të qenë aleat.
Parimi nuk provohet kur na mbron.
Provohet kur na kufizon.
Dhe provohet përfundimisht kur vazhdojmë ta mbrojmë pasi na ka kushtuar pushtet.
Këtu ndahet bindja nga interesi.
Një e djathtë që kufizon pushtetin vetëm kur pushtetin e ka tjetri nuk ka doktrinë të lirisë.
Ka interes opozitar.
E djathta e papërfunduar
Totalitarizmi nuk ndërtoi vetëm shtetin e derës së vetme.
Ndërtoi edhe njeriun që mësoi ta kërkojë atë derë.
Demokracia nuk plotësohet duke ndryshuar emrin mbi të.
Duhet të ndërtojë një shoqëri ku rregulli është më i besueshëm se miku, ligji më i sigurt se ndërmjetësi dhe qytetaria më e fortë se afërsia me fituesin.
Post-totalitarizmi mbaron kur qytetari nuk ka më nevojë të jetë pranë pushtetit për të jetuar.
Këtu qëndron detyra e së Djathtës Humane.
Një e djathtë e pronës që nuk mbron oligopolin.
E tregut që nuk adhuron monopolin.
E familjes që nuk prodhon paternalizëm.
E kombit që nuk pronëson shqiptarin.
E shtetit të fortë në ligj dhe të kufizuar në arbitraritet.
E pushtetit vendor që shpërndan autorësinë.
E Perëndimit pa humbur identitetin kombëtar.
E bashkimit pa asimilim.
E fitores pa pronësim.
E djathta shqiptare nuk do të bëhet e madhe ditën kur të gjithë ata që quhen të djathtë t’i binden së njëjtës qendër.
Do të bëhet e madhe kur të mund të bashkohen pa hequr dorë nga liria që kërkojnë t’i japin Shqipërisë.
Kur qytetari të mund të jetojë pa qenë klient.
Aleati të mund të bashkëpunojë pa qenë vartës.
Kundërshtari të mund të humbasë pa humbur statusin.
Dhe fituesi të mund të qeverisë pa kërkuar pronësinë mbi asnjërin prej tyre.
Sepse autoriteti legjitim ka të drejtë të fitojë vendimin.
Nuk ka të drejtë të fitojë njeriun.
Arian Galdini
LRE Rinisja
Autor i librit “Neoshqiptarizmi”





Comments