Urime Kosovë!

Pas një ngërçi të gjatë politik, zgjedhjesh që nuk sollën dot rrugëdaljen dhe rrezikut që vendi të kthehej sërish te kutitë e votimit, mbrëmë Kosova gjeti maturinë për të ecur përpara.
Zgjedhja e Justina Shiroka Pulës Presidente e Republikës i dha fund një pasigurie që po rëndonte mbi vendin.
I uroj një mandat bashkues, dinjitoz dhe besnik ndaj interesit të Kosovës, qytetarëve të saj dhe të ardhmes së saj euroatlantike.
Presidenca është kujdestari, jo pronësi. Pushteti kalon, Kosova mbetet.
Po aq fuqishëm përshëndes votimin 88 - 0 - 0 të Kuvendit për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
E konsideroj një korrigjim të nevojshëm dhe një akt sovran të Republikës.
Kosova nuk mund të jetë spektatore përballë një mekanizmi të ngritur me ligjin e saj, kur veprimtaria e tij prek kaq rëndë historinë e luftës, dinjitetin e shtetit dhe njerëzit e tij.
Aktgjykimin e shkallës së parë të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit e konsideroj skandaloz, thellësisht të padrejtë dhe një goditje ndaj kuptimit historik të luftës çlirimtare.
Në bindjen time, ai ushqen një lexim që përpiqet ta zhvendosë UÇK-në nga vendi që i takon në historinë e çlirimit dhe ta errësojë vetë rrugën që çoi Kosovën drejt lirisë e pavarësisë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një nga themelet e lirisë së Kosovës e shqiptarisë.
Pesha e saj është e shkruar në historinë e çlirimit, nuk ka nevojë as për zbukurim, as për shpikje.
Tani Kosovës i duhet një ekonomi që i mban njerëzit në atdhe, një drejtësi që nuk njeh telefon partie, një siguri që nuk improvizohet dhe një aleancë e palëkundur me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.
Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete sovrane.
Shqiptarët e tyre janë një komb.
Dhe Bashkimi Kombëtar mbetet një aspiratë e gjallë shqiptare, jo stoli patriotike, por horizont i afrimit tonë, i fuqizimit kombëtar, i vullnetit të lirë, demokracisë dhe paqes.
Urime Presidentes së re.
Urime Kosovës.
Le të jetë kjo jo vetëm mbyllja e një krize, por hapja e një kohe të re, Kosovë më e fortë, Shqipëri e Kosovë më pranë dhe kombi shqiptar më i sigurt në vetvete, me Perëndimin në krah.





Comments