E Djathta Humane…

E djathta që besoj unë nis nga një kufi i pakalueshëm, njeriu nuk është lëndë e parë e pushtetit.
Punëtori nuk ekziston për administratën. Sipërmarrësi nuk është burim klientele. Familja nuk është dekor elektoral.
Prona nuk është plaçkë për më të fortin.
I varfri nuk është fotografi sociale. Protestuesi nuk është numër që një parti e shpall të vetin.
Prej këtij kufiri nis E Djathta Humane.
Ajo mbron pronën sepse prona i jep njeriut pavarësi.
Mbron punën dhe sipërmarrjen sepse dinjiteti nuk mund të jetojë mbi favorin politik.
Mbron familjen sepse jeta njerëzore fillon përpara administratës.
Mbron konkurrencën sepse as pushteti publik, as monopoli privat nuk duhet të bëhen aq të mëdhenj sa personi të mbetet i pafuqishëm përballë tyre.
Por liria nuk është një fjalë që shteti shqipton dhe pastaj largohet.
Përgjegjësia personale nuk mund të përdoret si alibi për ta lënë njeriun vetëm përballë një force që i heq realisht mundësinë për të zgjedhur.
Prandaj nuk dua as shtetin që hyn në çdo pjesë të jetës, as shtetin që mungon pikërisht aty ku duhet të mbrojë të drejtën.
Dua një shtet që sundon më pak mbi njeriun dhe kryen më mirë detyrën e vet.
Dhe prova vendimtare vjen kur qeverisin njerëzit që ne mbështesim.
Edhe atyre u duhen kufij.
Edhe atyre duhet t’u kërkohet llogari.
Edhe prej tyre qytetari duhet të jetë i mbrojtur.
Sepse një parim nuk provohet kur kufizon kundërshtarin.
Provohet kur na ndalon ne.
Kjo është E Djathta Humane.
Arian Galdini





Comments