E drejta e “jo”-së së dytë!

Nga Arian Galdini
Faqja ishte gati për botim.
Në krye, fotografia e një sheshi të mbushur për mbrojtjen e një ligatine.
Poshtë saj: «Prej këtu nisëm».
Në anë, rruga e mëvonshme e lëvizjes, programi i zgjeruar dhe kërkesa për një qeveri teknike dymbëdhjetëmujore.
Asnjë fytyrë nuk ishte shtuar.
Asnjë datë nuk ishte ndryshuar.
Prejardhja e lëvizjes ishte treguar drejt.
Njëri prej njerëzve në fotografi kërkoi ta shihte faqen edhe një herë.
«Mos e hiqni fotografinë», tha. «Atje isha. Madje u kërkova të tjerëve të vinin. Por për këtë kabinet nuk kam dhënë pëlqim.»
Njeriu që e kishte përgatitur faqen ishte miku i tij.
Në protestë kishin qëndruar pranë.
Atë ditë, kur i pari kishte ngurruar të fliste përpara të tjerëve, miku kishte qenë zëri që ia bëri vetminë më të lehtë.
«Ti vetë kërkove që qeveria të largohej», i tha miku.
«E kërkoj ende.»
«Atëherë pse nuk je me ne?»
«Për këtë rrugë, jo.»
Miku kishte arsye të ndihej i lënduar.
Bashkë kishin marrë përsipër një kundërshtim.
Bashkë kishin kërkuar që ai të bëhej më i fortë.
Tani njëri besonte se rruga e re ishte e nevojshme, tjetri nuk e besonte.
Asnjëri nuk po tërhiqte kundërshtimin ndaj pushtetit.
Por nuk mund të shqiptonin më të njëjtin «po» për mënyrën si duhej zëvendësuar.
Në një eksperiment të Solomon Asch-it, një njeri duhej të krahasonte gjatësinë e vijave.
Përreth tij, njerëz të udhëzuar të jepnin të njëjtën përgjigje të gabuar krijonin një shumicë që dukej e sigurt.
Disa pjesëmarrës e ndiqnin, të tjerë fillonin të dyshonin te gjykimi i tyre.
Një zë që e prishte njëzëshmërinë ua lehtësonte qëndresën.
Kur ai zë bashkohej me shumicën, trysnia shtohej më fort sesa kur thjesht largohej.
Në laborator, aleati ndiqte udhëzimin e studiuesve.
Në jetë, njeriu që na dha guximin të flisnim mund ta ndryshojë mendimin me gjithë ndershmërinë e tij.
Ai mund të ketë kuptuar diçka që ne ende nuk e shohim.
Mund edhe të ketë gabuar.
Vetmia jonë nuk vendos kush ka të drejtë.
Dhe fakti se dikush na ndihmoi të çlirohemi nga trysnia e një shumice nuk e detyron të mbetet përgjithmonë në pakicën tonë.
Megjithatë, humbja e tij dhemb ndryshe nga kundërshtimi i një të panjohuri.
Njeriu që sot të kërkon ta ndjekësh mund të jetë ai pranë të cilit dje pate guximin të mos ndiqje askënd.
Kjo është një nga barrat e «jo»-së së dytë.
E para i drejtohet pushtetit.
E dyta njeriut me të cilin e kundërshtuam pushtetin, kur ai kërkon prej nesh miratimin e një rruge që nuk e besojmë.
Nuk e shuan të vërtetën e bashkimit.
Nuk e shpall të gabuar vendimin e shumicës.
Vetëm nuk pranon që, bashkë me veprimin e saj, shumica të marrë edhe ndërgjegjen tonë.
Por njeriu që kundërshtoi fotografinë nuk mund të sillej sikur ajo ditë nuk kishte ekzistuar.
Ai kishte folur, kishte ftuar njerëz dhe kishte përdorur fjalën «ne».
Fjalët e tij mund t’u kishin dhënë të tjerëve besim për t’u bashkuar.
Nuk mund ta kthente kundërshtimin e sotëm në pretendimin se të gjitha rezervat i kishte pasur që dje.
Ajo që tha mbetej e thënë.
Ajo që ndihmoi të lindte mund të vazhdonte edhe pa miratimin e tij.
«Prej këtu nisëm» ishte e vërtetë edhe kundër tij.
Por fotografia nuk mund të dëshmonte çfarë mendonte ai për një program që u shpall më vonë.
Një veprim mund të ketë pasoja më të gjera se qëllimi i atij që e kreu.
Pasoja nuk e shpik prapaveprueshëm qëllimin.
Po të ndryshonte mendim nesër dhe ta mbështeste kabinetin, ajo do të ishte një përgjigje e re.
Nuk do ta bënte të paqenë kundërshtimin e sotëm.
Miku e dinte këtë.
Megjithatë, po të shtonte poshtë fotografisë se jo të gjithë pjesëmarrësit e mbështesnin programin e mëvonshëm, faqja do të dukej ndryshe.
Jo më pak e vërtetë për origjinën.
Më pak e dobishme për bindjen se e gjithë ajo forcë ishte ende bashkë.
Ai nuk kishte shpikur një fjali të rreme.
Por kishte vendosur pranë njëra-tjetrës dy të vërteta, duke lënë mes tyre një boshllëk që mund të mbushej me një miratim të paqenë.
Nuk përgjigjej për çdo përfundim të nxituar të lexuesit.
Përgjigjej për përshtypjen që e njihte, ose kishte arsye ta njihte, dhe që po e linte të punonte në dobi të tij.
«Po e shkrova sqarimin», tha, «do të thonë se jemi ndarë.»
«Jemi ndarë për këtë», iu përgjigj tjetri. «Nuk jemi ndarë nga e vërteta e asaj dite.»
Miku nuk e hoqi fotografinë.
Shtoi poshtë saj një fjali: Nga ky bashkim nisi rruga jonë, jo të gjithë njerëzit që morën pjesë e mbështetën programin e mëvonshëm.
Sqarimi u përdor kundër lëvizjes.
Disa ia tërhoqën përkrahjen, të tjerë e lexuan si dëshmi dobësie.
Një njeri i organizimit e qortoi mikun se u kishte dhënë kundërshtarëve një armë në një kohë kur kauza kishte nevojë për mbështetje.
Ai nuk dinte nëse lëvizja do ta përballonte humbjen.
As nëse kishte bërë mjaftueshëm për ta mbrojtur kauzën e vetë.
As mospajtuesi nuk u kthye në rresht.
Nuk kishte kërkuar të blihej heshtja e tij me një sqarim.
Ai kërkonte të mos përdorej si dëshmitar i një bindjeje që nuk ishte e tija.
Mikut mund t’i kishte kushtuar diçka ta pranonte.
Kjo nuk ia kthente afërsinë e dikurshme.
Ka ndarje që nuk mbyllen me faj.
Miqtë mund të humbasin besimin.
Një organizim mund t’ia tërheqë funksionin atij që nuk mund ta përfaqësojë më ndershmërisht programin.
Kush ka marrë detyrime duhet t’i përmbushë ose t’i dorëzojë me përgjegjësi, kush ka mashtruar ose dëmtuar përgjigjet për veprimin e vetë.
Por zhgënjimi që lë pas një largim i ndershëm nuk krijon një borxh të përjetshëm bindjeje.
Edhe bashkësia ka të drejtë të vazhdojë.
Nuk ka të drejtë ta marrë me vete njeriun sikur ai të kishte dhënë një pëlqim që nuk e dha.
Vështirësia bëhet edhe më e rëndë kur mospajtimi mund të kushtojë bukën.
Njëri e kundërshton mbishkrimin dhe humbet disa miq.
Tjetri e di se njeriu që kërkon besnikëri ka ndikim mbi kontratën, lejen ose shërbimin që i duhet familjes.
Nuk është kërcënuar.
Mundësia që të ndëshkohet pa kontroll të mjaftueshëm i rri pranë edhe në heshtje.
Dhe kur ajo heshtje paraqitet si miratim, fuqia i merr njeriut dy gjëra, mundësinë për të folur dhe të drejtën për të mos u rrëfyer si i bindur.
E Djathta e Dinjitetit nuk mund ta trajtojë këtë si mungesë guximi personal.
Një Republikë e lirë kërkon që puna të mos varet nga bindja partiake, shërbimi publik të mos jepet si favor dhe ankimi të mos gjykohet nga ai që kundërshtohet.
Nuk mund t’i kërkosh njeriut të thotë «jo», ndërsa e lë jetesën e tij në dorë të atij që pret «po».
Në të njëjtin shesh mund të ketë qenë edhe një punëtor, të cilit ndalimi i punimeve pranë ligatinës do t’i hiqte pagën.
Ai e di pse uji duhet mbrojtur.
E di edhe nga vjen buka e familjes.
Një vendim i drejtë për mbrojtjen e natyrës nuk i jep atij veto mbi vendimin, por as shtetit nuk i jep të drejtën ta regjistrojë humbjen e punës si flijim që ai e zgjodhi.
Duhet të shqyrtojë të drejtat e tij, detyrimet e ndërmarrjes dhe barrën që një vendim publik vendos mbi një njeri me pak alternativa.
Vendimi mund të jetë i domosdoshëm dhe prapë të lërë një plagë që nuk shërohet.
Nuk duhet t’i ndryshohet emri asaj plage për ta bërë fitoren më të pastër.
Këtu sheshi dhe Republika nuk janë i njëjti autoritet.
Protesta mund të ndikojë, të bindë, të kërkojë largimin e qeverisë dhe një program tjetër.
Nuk fiton prej numrit të njerëzve në fotografi kompetencën për të marrë vendime juridikisht detyruese mbi të gjithë.
Shteti ka nevojë për ligj, arsye të shqyrtueshme, kontroll dhe mundësi kundërshtimi edhe nga ai që nuk ishte në shesh.
Një e mirë e përbashkët nuk e bën automatikisht vullnetare barrën që bie mbi një njeri.
Në Shqipëri, largimi politik dhe demokratik i Edi Ramës mbetet kërkesë e prerë.
Trembëdhjetë vite qeverisjeje kanë mjaftuar për ta gjykuar modelin e përqendrimit të pushtetit dhe të varësisë klienteliste.
Qytetari nuk duhet të hyjë në institucion me një të drejtë në dorë dhe të dalë prej tij duke kërkuar një emër që t’ia hapë derën.
Ky model duhet të marrë fund.
Por kundërshtimi i tij nuk është autorizim i pakufizuar për çdo rrugë që premton ta zëvendësojë.
Prandaj Rinisja e refuzon formulën e qeverisë teknike dymbëdhjetëmujore, pa tërhequr asgjë nga kërkesa për largimin demokratik të Ramës.
Ata që e propozojnë kanë të drejtë të kërkojnë përkrahje.
Mund të besojnë ndershmërisht se një kabinet kalimtar do t’i përmirësonte kushtet e garës.
Por një emër jopartiak dhe një afat i shkurtër nuk e çmontojnë vetvetiu varësinë nga qendrat që përzgjedhin dhe kontrollojnë pushtetin.
Kontrolli parlamentar është detyrim demokratik, borxhi ndaj oligopolit PS–PD nuk është e njëjta gjë.
Nëse përzgjedhja, mbijetesa dhe kontrolli faktik i kabinetit mbeten në ato duar, rrezikohet të ndryshojnë fytyrat pa ndryshuar marrëdhënia e sundimit.
Rinisja zgjedh organizimin vendor, marrëdhënien e drejtpërdrejtë me qytetarin dhe konkurrencën zgjedhore.
Por as organizimi nga poshtë nuk bëhet garanci vetëm nga emri.
Ai kërkon rregulla të drejta gare, financim të hapur, kandidatura që nuk varen nga afërsia me drejtuesin, institucione që nuk shpërndajnë punë si shpërblim besnikërie dhe drejtues që mund të zëvendësohen.
Përndryshe edhe një lëvizje e lindur për liri mund t’i marrë në dorë çelësat e vjetër.
Prova e fotografisë vlen edhe për Rinisjen.
Një ditë mund të tregojë me të drejtë fytyrat e njerëzve që e ndërtuan.
Askush nuk mund ta fshijë atë pjesëmarrje vetëm pse sot mendon ndryshe.
Por as Rinisja nuk mund t’i numërojë si mbështetës të çdo programi të ardhshëm.
Nëse sqarimi i kushton autoritet ose vota, duhet të mbetet sqarim.
Shqiptarizmi nuk e njeh njeriun si pronë të bashkësisë, ai është trashëgimtar pa qenë pronë e trashëgimisë, autor pa qenë autori i vetëm.
Kjo duhet ta kufizojë edhe fuqinë e atyre që e shpallin.
E njëjta padrejtësi mund të ecë në drejtim të kundërt.
Një pamje e protestës studentore tregon një gur të hedhur.
Guri është i vërtetë.
Por nuk është vepër e të gjithë njerëzve në shesh.
Ai që ushtron ose nxit dhunën përgjigjet për veprimin e vetë, shkelja e tij nuk e çliron policinë nga ligji, domosdoshmëria dhe përpjesëtimi.
Matrapazllëku i zemëratës bën të kundërtën e fajësimit kolektiv, ia merr sakrificën shumë njerëzve për ta kthyer në titull pushteti të njërit.
Në njërin rast njeriut i vishet një faj që nuk e kreu.
Në tjetrin, një besnikëri që nuk e dha.
As fotografia e fitores zgjedhore nuk mund të përdoret për më shumë nga sa jep vota.
Fituesi merr mandat për të qeverisur brenda Kushtetutës, edhe mbi ata që nuk e votuan.
Nuk merr pronësi mbi bindjet e tyre, as mbi mundësinë që nesër ta zëvendësojnë.
Kritika, konkurrenca dhe humbja e ligjshme e pushtetit nuk janë lëshime që fituesi i bën me dëshirë.
Janë kufijtë e mandatit.
Republika nuk mund të mbetet përgjithmonë në çastin e fotografisë së fitores.
Miku dhe njeriu që kundërshtoi mbishkrimin mund të mos pajtohen kurrë për qeverinë teknike.
Njëri mund të vazhdojë të besojë se ajo ishte rruga më e mirë, tjetri se ajo rrezikonte ta linte pushtetin nën të njëjtën varësi.
Asnjëri nuk duhet të heqë dorë nga gjykimi për t’i bërë më të lehta kujtimet e përbashkëta.
Asnjëri nuk ka të drejtë të fshijë çfarë tjetri ka bërë vërtet.
Fotografia mbeti në faqe, me sqarimin poshtë.
Nuk ua ktheu njerëzve miqësinë, nuk ua zgjidhi mosmarrëveshjen, nuk vendosi se kush do të dilte i drejtë.
Atje, në atë çast të kaluar, të dy miqtë qëndronin ende pranë, njëri pranë zërit që i dha guxim të fliste, tjetri pranë njeriut që më vonë do ta kundërshtonte.
Fotografia nuk dinte asgjë nga kjo e ardhme.
Po të kërkonim nga njëri-tjetri miratimin e çdo të nesërmeje përpara se të bashkoheshim sot, njerëzit e ndershëm do të druheshin të jepnin edhe një mbështetje të kufizuar.
Për të ruajtur ndërgjegjen, do të hiqnin dorë nga veprimi i përbashkët.
Dhe bashkësitë do të mbusheshin ose me njerëz që premtojnë pa e ditur çfarë premtojnë, ose me njerëz që nuk guxojnë të marrin pjesë.
«Jo»-ja e dytë nuk e bën më pak të vërtetë «po»-në e parë.
Ajo lejon që fjala e sotme të jetë e sinqertë pa u shndërruar në peng të së nesërmes.
Nuk i heq njeriut përgjegjësinë për atë që bëri, nuk i jep bashkësisë pronësi mbi atë që ai do të besojë.
Fotografia nuk ka nevojë t’i mbajë të gjithë në të njëjtën anë për të mbetur e vërtetë.
Ata patën besuar aq sa të bashkoheshin. Nuk kishin premtuar aq sa të mos mund të ndaheshin.
Arian Galdini





Comments