top of page

E drejta e Protestës nuk jepet nga Qeveria…

Sep 3
2 min read

Qytetari që del kundër qeverisë nuk humbet asnjë të drejtë sepse kërkon largimin e saj.


Pikërisht atë ditë provohet Republika.


Policia nuk është roja e sedrës së Kryeministrit.


Nuk është krahu i një partie dhe as mjeti me të cilin pushteti u tregon kundërshtarëve se kush komandon.


Është Policia e Shtetit.


Detyra e saj është të mbrojë ligjin, sigurinë dhe qytetarin, edhe kur ai qytetar proteston kundër qeverisë, edhe kur thërret kundër Kryeministrit, edhe kur kërkon që kjo qeveri të ikë.


E drejta për të protestuar nuk jepet nga qeveria.


Prandaj qeveria nuk mund ta trajtojë si privilegj që lejohet kur protesta është e padëmshme dhe ngushtohet kur bëhet e bezdisshme.


Kufiri është ligji.


Kush ushtron dhunë përgjigjet për dhunën. Kush dëmton pronën përgjigjet për dëmin. Kush shkel ligjin përgjigjet për shkeljen.


Por përgjegjësia është personale.


Nuk mund t’i hiqet dinjiteti një proteste të tërë për veprimin e një njeriu.


Nuk mund të trajtohet kundërshtari politik si rrezik vetëm sepse kundërshton.


Dhe nuk mund të përdoret uniforma e Republikës për t’i mësuar qytetarit bindjen ndaj qeverisë.


Po aq qartë, unë nuk ia kam dorëzuar askujt gjykimin tim politik.


Jam kundër qeverisjes së Edi Ramës dhe dua mbylljen demokratike të këtij cikli.


Por nuk kam nevojë të bëhem pjesë e çdo organizimi opozitar, të marr leje nga ndonjë seli apo të hyj nën flamurin e dikujt tjetër që ky qëndrim të jetë i imi.


Opozitarizmi nuk ka pronar.


As protesta.


As qytetari.


Prandaj sot nuk më intereson kujt i pëlqen protestuesi dhe kujt jo.


Më intereson kufiri që një shtet i lirë nuk duhet ta kalojë.


Protestuesi përgjigjet për veprimin e vetë.


Polici përgjigjet për veprimin e vetë.


Ministri përgjigjet për urdhrin e vetë.


Qeveria përgjigjet për mënyrën si përdor pushtetin që i është besuar.


Askush nuk fshihet pas turmës.


Askush nuk fshihet pas uniformës.


Sepse Republika nuk provohet kur qytetari duartroket pushtetin.


Provohet kur qytetari i del përballë, dhe pushteti pranon se përballë tij ka ende një qytetar të lirë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page