E vërteta që nuk shuhet!
- Arian Galdini

- Oct 7, 2025
- 5 min read

Nga Arian Galdini
Në çdo shekull, lindin disa njerëz, një komunitet, që nuk pranon të bëhet pasqyrë e sistemit që e rrethon, por thyerja e vetme që shndërron dritën në kuptim.
Në Shqipëri, ajo thyerje ndodhi në vitin 2020, kur heshtja kishte zë, por mungonte njeriu që e dëgjonte.
Atëherë, kur lodhja ishte bërë formë e re e shpresës, një ide e vogël, si një rreze që s’e lejon dot askush të shuhet, nisi të marrë trajtë.
Quhej LRE.
Dhe ajo nuk lindi për të luftuar politikën, por për të kujtuar njeriut se liria fillon brenda shpirtit, jo në fletëvotim.
Regjimi asokohe u kap në befasi. Nuk ua mori mendja që ne do tia dilnim mbanë.
Regjimi kishte parë rebelë, kishte blerë kundërshtarë, kishte shpërndarë premtime si monedha të pista.
Por nuk e njihte më njeriun që beson pa llogari.
Ata dinin si të ndërtonin çdo iluzion pushteti, por nuk dinin si të fiknin flakën që ndizej pa interes.
Ata dinin si të blejnë gjithçka që ka çmim, por nuk kuptonin se disa njerëz nuk kanë çmim, sepse kanë qëllim.
Unë s’kisha as parti, as financa, as media, as famë, as logjistikë, asgjë.
Madje isha i mohuar dhe i dënuar me harresë.
Kisha vetëm një celular, një faqe Facebooku, dhe një besim të çmendur se fjalët e vërteta janë fara që s’vdesin në tokë të thatë.
Dhe ndodhi.
Një ide u kthye në frymë.
Një frymë në komunitet.
Një komunitet në parti që nuk kishte manovratorë, lojtarë e përfitues, por besimtarë.
Në prill të 2021, LRE hyri në zgjedhje si për t’i provuar vetes se në një botë të blerë, ende ka njerëz që dalin në fushëbetejë vetëm me ndershmërinë e misionin e tyre.
Ne morëm 3700 vota.
Ata i quajtën asgjë.
Por në një vend ku gjithçka është numër, morali është i vetmi që s’mund të matet.
Ato vota ishin si gurë në një lumë që s’e ndalon dot rrjedhën, por ia ndryshon drejtimin.
Ato vota ishin prova se në një popull të mpirë, ende ka gjak që lëviz nga ndërgjegjja.
Përballë nesh, regjimi krijoi katër parti surrogato, laboratorë politikë ku lindin fëmijët e klonuar të sistemit.
Ata kishin fonde, miliona euro, studio, analistë, reklama, ekrane, sondazhe, logjistikë, analistë e pompim mediatik masiv.
Ne kishim veç tingullin e brishtë të së vërtetës, e vetmja gjë që tingëllon më fort se çdo zë i paguar.
Ata fituan lajme, ne fituam kujtesë.
Ata blenë ekranin, ne fituam shpirtin e atyre që shohin përtej tij.
Dhe kujtesa është më e gjatë se çdo votë kuturu apo mandat politik.
Ata që nuk mund të të ndalin, përpiqen të të imitojnë.
Regjimi nuk lufton idetë, i klonon ato derisa të zbehë origjinalin.
Mua nuk më luftuan me argumenta e as me përballje, më luftuan me hije.
Më baltosën, më përjashtuan, shpifën me lumenj e orteqe sajesash kundër meje, më heshtën, më mohuan, më klonuan.
Por harruan diçka, balta nuk vret farën, e mbulon për pak, pastaj e ndihmon të mbijë më thellë.
Ata menduan se duke krijuar “Galdinë” të rremë, surrogato, do ta vrisnin origjinalin.
Por e vërteta nuk mund të riprodhohet, sepse nuk është trup, është frymë.
Dhe fryma, sado ta mbash nën ujë, gjithmonë del sipër për të marrë frymë.
Vitet që erdhën më mësuan se heshtja është tempulli i njerëzve të plagosur nga e vërteta.
Kur s’ke mikrofon, fjala jote bëhet ndërgjegje.
Kur s’ke studio, sytë e tu bëhen pasqyrë.
Kur s’ke duartrokitje, vetmia jote bëhet prova e karakterit.
Në vitet e baltës, unë pashë fytyrën e frikës në maskën e pushtetit.
Ata donin të më shuanin, sepse nuk dinin si të më blinin.
Donin të më heshtin, sepse çdo fjalë që nuk shitet, i rrëzon tregjet e mashtrimit.
Unë s’e quaj atë periudhë humbje, por stinë pastrimi.
Sepse vetëm kur mbetesh i zhveshur nga gjithçka, mund të ndjesh se çfarë është njeriu.
Tani që kanë kaluar pesë vjet, unë nuk flas nga lëndini, por nga qartësia.
Ata që më baltosën, janë sot figura të lodhura që përqafojnë ata që dikur i akuzonin.
Ata që flisnin për moral, tani matin çmimin e tij.
Ata që e quanin idealizmin tim “naivitet”, janë zhytur në komoditetin e turpit.
Por unë nuk i gjykoj.
Sepse koha i gjykon më thellë se çdo tribunë.
Koha është e vetmja gjykatë që nuk e njeh korrupsionin.
Ajo nuk shpejton, por as nuk harron.
Ajo e ngre të vërtetën nga balta si një monument që ndriçon nga brenda.
Q
Sot nuk kam më nevojë të fitoj.
Kam mësuar se fitorja e njeriut të lirë është qëndrimi, jo rezultati.
Unë e pashë farsën përpara se të ndodhte.
E paralajmërova çdo ditë në Këndin e Shpresës.
E kuptova se “të rinjtë surrogato” të laboratorit të Regjimit, ishin vetëm përkthim i vjetër i mashtrimit.
Sot i shoh si aktorë në një teatër që digjet, por ende luajnë sikur s’ka flakë.
Unë nuk zemërohem, thjeshr qesh.
Sepse çdo sistem, përpara se të shembet, krijon karikaturën e vet.
Dhe kur ajo karikaturë ngjitet në skenë, është shenjë se teatri ka mbaruar.
Nëse LRE u luftua me çdo mjet e mizorisht, ishte sepse ajo frymëzonte.
Nëse unë u gjakosa e baltosa, ishte sepse fola.
Nëse e vërteta ime me dorëheqjen time të 19 shtatorit, heshti, ishte sepse po përgatit një zë më të fortë.
Një ditë, shqiptarët do ta kuptojnë se 3700 votat nuk ishin humbje, por premtimi i një brezi që ende nuk është lindur.
Ato vota ishin pikëza dritë në një errësirë që matet me dekada.
Sepse historia nuk i mat heronjtë me fitore, por me peshën e së vërtetës që kanë mbajtur pa u përkulur.
Ata mund të më kenë baltosur, por balta është për ata që rrëzohen, unë asnjëherě nuk jam ndalur së ecuri. Unë ende eci, edhe tani që nuk jam më në krye të LRE.
Unë vijoj të eci..
Ata mund të më kenë rrëzuar përkohësisht, por idetë nuk kanë trup që bie.
Ata mund të më kenë zbuar nga politika, por nuk mund të më përjashtojnë nga kujtesa.
Sepse kujtesa nuk votohet, nuk numërohet, nuk shitet, ajo ruhet.
Nuk kërkoj asgjë, as kthim, as falje, as njohje.
Kërkoj vetëm që koha të bëjë punën e saj.
Ajo është institucioni i fundit që nuk merr urdhra.
Një ditë, ata që më “këputën në mes” do të kujtohen si hije që i frikësoheshin dritës.
Ata që më tallën, do të ndihen si nota të falsifikuara në një simfoni të vjetër.
Ata që më tradhtuan, do të shfaqen si pasqyra që thyenin vetëm veten.
Dhe kur të vijë ajo ditë, unë s’kam nevojë të jem aty.
Mjafton që njerëzit të kuptojnë se nuk kishte nevojë për një fitore, por për një shembull.
Që drita të ndizet, mjafton një njeri që digjet.
Ka pasur mizori, baltë, shpifje, urrejtje, tradhti.
Por unë nuk dua t’i ndërmend më si pjesë e së sotmes.
Sepse sot e tutje nuk do flasë më plaga, por koha.
Sepse çdo baltë bie në tokë, por e vërteta ngjitet në qiell.
Unë e mbyll këtë histori pa asnjë pritshmëri, me qetësinë e njeriut që e di se dritën s’e fik dot askush që s’e ka ndezur vetë.
Dhe me fjalinë që mban gjithë peshën e botës:
“E vërteta nuk kërkon mbrojtje. Ajo kërkon vetëm kohë.”
Dhe koha, sado vonë të duket, po vjen.
Arian Galdini
.png)











Comments