Edhe dy ditë nga pesëvjetori i LRE!
- Arian Galdini

- Oct 22
- 4 min read

Nga Arian Galdini
Janë vetëm dy ditë nga dita kur një shkëndijë u bë dritë, një fjalë u bë besëlidhje dhe një ide e vogël e ndriçoi errësirën e një kohe që kishte harruar të besonte.
Pesë vjet më parë, më 24 tetor 2020, në një Shqipëri të lodhur nga fjalët, lindte një zë që nuk kërkonte as përfitim e as pushtet, por kuptim.
Kështu nisi LRE - Lëvizja e Re që sot është LRE - Rinisja, si një përpjekje e ndërgjegjes për t’u kthyer në vetvete, për ta shëruar plagën e besimit dhe për t’i dhënë shoqërisë shqiptare një rrugë që nuk varet nga pasionet e momentit, por nga përjetësia e vlerave.
LRE nuk lindi në tryeza kalkulimesh, por në një dhomë të vogël shtëpie, përballë një telefoni të ndezur, ku fjala dhe shpirti gjetën një formë të re takimi.
Nuk kishte financa, struktura, ekrane apo sponsorë.
Kishte vetëm një ide, se dinjiteti është energjia më e fortë politike, dhe njeriu i lirë është institucioni më i lartë i një kombi.
Pesë vite më pas, kjo ide është bërë trup, frymë dhe metodë.
U shndërrua në komunitet moral, në kulturë politike, në shërbesë të heshtur që ndryshon mënyrën si mendojmë politikën.
Sepse LRE nuk është parti që kërkon as përfitim, as pushtet mbi njerëzit, por një shkollë që ngre përgjegjësinë brenda tyre.
Në thelb të saj qëndron një aksiomë e thjeshtë dhe e pathyeshme, njeriu i ndershëm është burimi i çdo reforme.
Këto pesë vite kanë qenë një kalvar dhe një universitet.
Ne kemi parë fytyrën e baltës dhe të dritës. Kemi përballuar heshtje, shpifje, injorim dhe durim.
Kemi mësuar se qëndrueshmëria është virtyti më i harruar i kohëve moderne.
Dhe në këtë shkollë të gjatë të durimit, LRE është pjekur.
Jo si formë politike, por si filozofi e jetës publike.
Tani jemi në një stacion të bukur të kësaj udhe..
Në 25 tetor, LRE do të zgjedhë një Kryetar të ri.
Ky nuk është akt tranzicioni, por provë e pjekurisë sonë shpirtërore.
Një lëvizje bëhet institucion pikërisht atëherë kur është gati të rrojë përtej themeluesve të saj.
Në këtë dorëzim pa tronditje, pa kriza, pa pazare, ndodhet mrekullia e demokracisë së brendshme.
Kjo është forca që s’e njeh asnjë tjetër forcë në Shqipëri.
Në një realitet politik ku partitë mbahen peng nga liderët, LRE është bërë e para që tregon se misioni është më i madh se çdo emër.
Kjo është pjekuria jonë, të dimë të largohemi për të qëndruar më thellë, të dorëzojmë timonin për ta mbajtur më fort kursin.
Anija jonë ndryshon kapitenin, por jo busullën.
Busulla mbetet e njëjtë: Dinjitet, Punë, Besim.
Unë, si themelues, e shoh këtë kalim si vulën e përmbushjes.
Sepse LRE nuk është pronë që trashëgohet, por frymë që rinohet çdo ditë në mendjen e atyre që besojnë te prindërimi politik, arti i marrjes së vendimeve që ndikojnë jetën e brezave, jo suksesin e një mandati.
Në pesë vite, LRE ka ndërtuar një vizion që s’e ka asnjë tjetër në këtë vend, ka kthyer etikën në kategori politike.
Ka ngritur shërbesën në nivel të thebit të mendimit e veprimit politik që synin qeverisjen e vendit nesër.
Ka bërë dinjitetin matës të reformës.
Ka kthyer kulturën në mjet zhvillimi.
Ka shndërruar qetësinë në zjarr që nuk shuhet.
Në një vend ku politika është kthyer në industri zhurme, LRE qëndron si kontrapunkt stoik, si zë i arsyes dhe i virtytit.
Në një skenë ku të gjithë garojnë për të folur më fort, ne kemi zgjedhur të dëgjojmë më thellë.
Sepse shpresa nuk bërtet, ajo flet me vepra.
Ky pesëvjetor është dëshmi e rritjes sonë si komunitet i mendimit të kthjellët dhe veprimit të ndershëm.
Në një shoqëri të lodhur nga mitet e shpëtimtarëve, ne ofrojmë modelin e shërbestarit.
Në një politikë të konsumuar nga interesat, ne ofrojmë ritin e përgjegjësisë.
Në një kohë që kërkon spektakël, ne ndërtojmë përditë normalitetin.
Në 25 tetor, kur një kryetar i ri do të marrë timonin, Lëvizja nuk do të rifillojë, ajo do të vazhdojë.
Sepse LRE nuk është një histori për t’u përsëritur, është një frymë që evoluon.
Dhe kjo është esenca e Rinisjes, të mos fillosh nga pika zero, por të fillosh më mirë.
Pesë vite pas asaj shkëndije të parë, e kuptojmë se ajo dritë nuk ishte vetëm e jonë.
Ishte dritë e kombit që kërkon ende rrugën e vet.
Ne ia dhamë një busull, Shqiptarizmin e Ri - Neoshqiptarizmin.
Një filozofi që bashkon rrënjët dhe horizontin, tokën dhe qiellin, identitetin dhe zhvillimin.
Një doktrinë që e sheh shqiptarizmin jo si mall nostalgjie, por si arkitekturë moderne për të ardhmen.
Kjo është arsyeja pse LRE është unikale në politikën shqiptare, ajo nuk lufton kundërshtarë, por ngre standarde.
Nuk kërkon pushtet për të sunduar, por për të ndriçuar.
Nuk premton mrekulli, por kërkon përmirësim të përditshëm.
Ky është revolucion pa britma, rilindje e heshtur e virtytit qytetar.
Dhe kështu, kur njeriu rinistar i LRE-së të ngjitet në tribunë më 25 tetor, ai s’do të jetë vetëm kryetar partie, por simbol i një etape të re, qëndrueshmëria si formë lirie, përulësia si formë force, besa si formë drejtimi.
Edhe dy ditë nga pesëvjetori.
Edhe dy ditë nga dëshmia se shpresa s’mund të shuhet, sepse ajo nuk qëndron në fjalë, por në gjak, në vepër, në frymë.
Ne nuk jemi parti pushteti, ne jemi Parti Dinjiteti.
Dhe Dinjiteti, ndryshe nga çdo mandat, nuk ka afat, ka përjetësi.
Arian Galdini
🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱✌️
.png)










Comments