Epopeja e dokut, dëshmia ime!
- Arian Galdini

- Oct 19
- 5 min read

Nga Arian Galdini
Ish - Kryetar i LRE
Themelues i LRE
Ndërsa mbushim 5 vjet LRE, kujtoj e dëshmij se ne e kemi mbajtur ngahera mendimin të kthjellët si busull që s’tundet nga stuhitë.
Rrugës së vetmisë e mohimit i vumë përballë një vendimin tonë themelor.
Thellim. Rrënjëzim.
Mirësi e ushqyer me disiplinë.
Kështu u ndërtua rezistenca e LRE.
Çdo baltë u kthye në argjilë karakteri.
Çdo shpërfillje në ushtrim durimi.
Çdo tentativë zvogëlimi në stërvitje horizonti.
Ata e punonin, strategjizonin, taktikonin, dëshironin e punonin ligësisht duke parur si synim skenën e anijes së fundosur.
Ne rezistuam e zgjodhëm si përgjigje për ta metaforën e rritjes, LRE në shtegun e vetmisë, apo ndryshethënë, anija në dok.
Doku s’është pritje e kotë dhe boshe.
Doku është shkollë.
Aty virtyti merr formë si zakon i përditshëm, jo si dekor fjalësh.
Aty shërbesa bëhet teknikë, trup anijeje i kontrolluar vijë më vijë, pajime të verifikuara, hartë e plotë, ekuipazh që stërvitet pa kamera.
Në dok liria e brendshme e njeriut provohet përpara se velat të prekin erën.
Ky është besimi im, se liria morale fillon brenda, pastaj bartet në drejtim e në doktrinë.
Me 25 tetor ndodh një akt i thjeshtë dhe madh, kapiteni ndërrohet, misioni mban kursin.
Ndryshim lidershipi pa trauma e pa pazare.
Kjo është gjeometri e lirisë së LRE, mision përmbi tituj, besëlidhje përmbi emra.
Pas 1944-s, shumë Parti e struktura u lidhën me kryetarin si pronë.
Ne sot po vendosim standardin e kundërt.
E kam dhënë dorëheqjen si dëshmi lirie.
Kryetari i ri do të udhëheqë si dëshmi e të njëjtës liri.
Kështu ndërtimi i LRE del nga psikologjia e turmës dhe hyn në etikën e komunitetit.
Kjo liri s’ka prapa perde e as xhepa padronësh.
As kontrata të fshehta.
As sponsorë që komandojnë.
Fjala ime rri e lidhur vetëm me ndërgjegjen time dhe me besimin tim te Zoti.
Prandaj guxoj të sfidoj çdo kryetar tjetër të partive të reja apo të vjetra, le të provojnë të japin dorëheqje në të njëjtën shkallë lirie, me të njëjtin qetësim ndërgjegjeje e me të njëjtën pjekuri organizative.
Aty shihet ndryshimi mes një projekti të kapur dhe të ngjizjes së vërtetë që s’kapet dot.
Pesë vite e provuan anijen në dok me prova që nuk duken në hiçësinë e ditës, por peshojnë shumë në gjatësinë e kohës.
U përplasëm me mohim, pëbaltje, rrethim, infiltrime, tradhëti, mur mediatik, me klientelizëm të rrënjosur, me keqbesim të ushqyer ndër vite.
Rinisja e ktheu çdo goditje në kurajë, çdo bllokim në metodë, çdo heshtje në punë e qetë.
Kjo është epopeja e durimit.
Heronjtë e saj janë ata pak që qëndruan të përulur dhe të palodhur, pa dritë përfitimi, pa premtime e zotime për sukses a karrierë a pasurim.
Qëndresa e tyre e qetë shkroi kapitullin e parë të virtytit civil.
Në dok u poq metoda.
Fjalë me provë.
Shkak, veprim, pasojë, dëshmi.
Kjo nuk u shpik si slogan, u kthye në standard, takime të vogla si laborator idesh, rubrika të përditshme si ritëm i fjalës, raporte të matshme si gjuhë e besimit publik.
Në këtë disiplinë, Rinisja mori kuptim, energji që ringjall, fuqi shpirtërore që mban, mënyrë pune që përparon.
Rinisja është mosdorëzim i kthyer në teknologji të shërbimit.
Në këto pesë vite e kthyem shpresën nga ndjenjë në makineri.
Tre instrumente mbajnë motorin ndezur:
Harta e Vlerave, familje, punë, kulturë, drejtësi. Katër dhoma të një shtëpie që kërkon rregull dhe respekt. Dinjiteti i qytetarit bëhet metri i çdo vendimi.
Metoda e Matjes, premtime në tabelë, nisma me afat, shërbime me tregues.
Besimi publik rritet nga transparenca, jo nga retorika.
Ritmi i Fjalës, rubrika që edukojnë mendimin dhe ruajnë shqipen e kthjellët. Gjuha pastrohet, politika fisnikërohet.
Kjo s’është oratori. Kjo është doktrinë praktike, Neoshqiptarizmi si arkitekturë jete dhe qeverisjeje.
Identitet i rrënjosur dhe modernitet krijues. Kulturë si kapital i prekshëm.
Ekonomi që prodhon punë të mira, zinxhirë me vlerë të shtuar, turizëm me identitet, agropërpunim me markë vendi, industri krijuese që eksporton kulturë, teknologji që fisnikëron punën.
Diplomaci që mban dinjitetin dhe interesin kombëtar.
Shqipëria që dua ecën drejt Evropës me kryelartësi qytetare, Kosova në të njëjtin horizont, një familje historike me busull të përbashkët.
Shtegu i vetmisë u kthye në shteg pjekurie kur qytetarit i ofruam prova se politika ka fytyrë njerëzore dhe se shërbesa është forma më e lartë e pushtetit.
Kjo filozofi ra si kambanë zgjimi ndërgjegjësor edhe në këto momentet që po kalojmë të këtyre kinse zgjedhjeve të pjesshme të 9 nëntorit, edhe në vendimet e vetëpërmbajtjes.
Jo çdo betejë kërkon të bërtasësh, shumë beteja kërkojnë të ndërtosh standard.
Ka një fjali që e mban këtë tekst në bosht, Ne s’jemi surrogato.
Të tjerët i patë sesi u zhytën si zhabat e reja në kënetën e vjetër.
I patë ato partitë e reja surrogato, ata liderët e rinj surrogato, që morën dhjetra mijëra vota e vende në Parlament në zgjedhjet e 11 majti 2025, i patë vetë sesi u kthyen në zhabat a radhës në korrin e kënetës së vjetër.
Ne, jemi dëshmia se e vërteta arrin deri në asht.
Surrogato është zë i sajuar për spektakël.
Rinisja është zë i ndërgjegjes për shërbim. Surrogato është marrëveshje me padronë.
Rinisja është besëlidhje me qytetarë. Surrogato rrëzohet nuk ka asnjë dhans e mundësi ta ndërrojë kapitenin, sepse kapiteni është i kontraktuar nga Padronët e Kënetës.
Rinisja forcohet, sepse kursi rri i njëjtë, ekuipazhi mban besën, anija mban dinjitetin.
Sa për mua, do të qëndroj në themelin e LRE si themelues dhe si shërbestar.
Do të jem kujtesa e gjallë që ruan gjurmët, standardi që mban peshë, standard në gjuhë, standard në mendim, standard në sjellje.
Kjo nuk ka të bëjë me profil personal, ka të bëjë me etiken e Rinisjes.
Njeriu kalon. Misioni vazhdon.
Dhe kur misioni vazhdon, anija hyn në det të hapur me arsyen e qartë dhe me ndjenjën e lartë.
Prandaj e quaj këtë pjesë epope e dokut. Mësuam të mos e ngatërrojmë heshtjen me dorëzim.
Heshtja u bë vend i punës së thellë.
Mësuam të mos e ngatërrojmë pritjen me vonesë.
Pritja u bë shpejtësi e brendshme.
Mësuam të mos e ngatërrojmë modestinë me dorëheqje nga ideali.
Modestia u bë madhështi e sjelljes.
Këto janë muskujt e virtytit që tani shtyjnë velat.
Tani fjala kthehet në veprim.
Kapiten i ri në timon. Kurs i pandryshuar. Ekuipazh i stërvitur. Anije me hartë të qartë.
LRE del nga doku. E vërteta merr erë.
Virtyti jep ritmin.
Liria morale e brendshme kthehet në liri politike që shërben.
Dhe kur qytetari ta shohë anijen që lundron me standard, do të kuptojë se pesë vite të dokut s’ishin pezullim, ishin përgatitje.
Ishin prova e madhe që tregon kush është e reja e pakapur dhe sa peshë mban një fjali e thënë me ndërgjegje.
Arian Galdini
Ish - Kryetar i LRE
Themelues i LRE
.png)










Comments