Fjalët që s’thonë aq sa veprat!
- Arian Galdini

- Jul 23
- 2 min read

Nga Arian Galdini
Në një mëngjes të nxehtë vere, një djalë i vogël u ul përballë gjyshit. Kishte një fletore bosh në dorë dhe një pyetje që s’e shkruante dot.
“Gjysh,” tha me zë të ulët, “si e kupton njeriu se çfarë vlen?”
Gjyshi nuk foli. U përkul lehtë, preku me dorë një degë të thyer, dhe e mbolli në tokë, aty pranë. Pastaj u ngrit, i lau duart në një govatë të vjetër, mori krahun e nipit dhe e çoi nëpër fushë, drejt një rruge me gurë që i njihte vetëm ai.
Në atë rrugë, djali pa një grua që hapte portën për dikë tjetër. Një djalosh që ngjiste çantën e dikujt tjetër për një shkallë. Një burrë që ndërpriste punën vetëm për t’i dhënë një gotë ujë një kalimtari.
“Asnjëri nuk foli,” tha gjyshi.
“Ata nuk e shpallën e as u mburrën për arsyen e tyre. E dëshmuan.”
Kur dikush bën një akt të mirë, një gjest të vogël, një ndihmë pa e thirrur askush, ai nuk jep shpjegime. E bën sepse e ka të natyrshme, të vetvetishme nga brendia e tij.
Ndjenjat e vërteta nuk e kërkojnë as bujën, as tellallin e as mikrofonin. Janë fjalë të brendavetes që bëhen veprim.
Dashuria s’ka nevojë të recitohet.
Ndershmëria s’ka nevojë të valëvitet si flamur.
Zemra e madhe nuk qëndron te fjalët.
Rri te hapi i mbajtur për dikë tjetër.
Shpesh, kur mundohemi të kuptojmë dikë, e pyesim për arsyet, motivet, qëllimet.
Por ai që do të tregojë se kush është, mjafton të veprojë.
Sepse njeriu është ajo që bën, jo ajo që thotë.
E vërteta s’gjendet e as shkruhet gjithmonë në libra.
Ajo ndriçon në paqen e një akti të thjeshtë.
Në fund të ditës, djali mbajti mend vetëm një fjali që gjyshi ia tha teksa i lidhte këpucët:
“Mos i beso gjithmonë fjalës.
Shiko duart.
Ato s’të gënjejnë.”
Arsyeja që ndriçon më shumë, është ajo që ecën me këmbë.
Veprat e njeriut janë zëri që mbetet, edhe kur gjithçka tjetër hesht.
Arian Galdini
.png)










Comments