top of page

Hall i madh…

Jul 30
2 min read

Duhet të jetoj për të sqaruar çdo njeri në Facebook e Rrjete Sociale.


Secili duhet sqaruar personalisht sepse secili i kupton gjërat si do vetë e si ka qejf, e si ka interesat e terezinë e vetë, e mbi të gjitha si e sa mundet por edhe se sa do të kuptojë vetë.


Ma bëni hallall o njerëz të mirë, por sot në mëngjes, po bëja llogarinë…


Sikur për çdo postim që unë bëj, të kem 10 komente të ndryshme nga 10 njerëz të ndryshëm, me 10 mendje të ndryshme, më del shumë keq llogaria.


Unë bëj kryesisht 4 - 5 postime në ditë…


5 postime X 10 komentues secili mendje më vete, bëhen 50.


Po tu kushtoj 3 min secilit prej tyre, shkon 150 min.


Ka edhe përgjigje mbi përgjigjen e vazhdim dialogu, me disa prej tyre, pra shkon së paku 180 min…


180 min janë plot 3 orë.


Dmth, 3 orë në ditë unë duhet ti vendos në dispozicion të atyre që asnjëherë nuk kanë dashur as të më lexojnë për të më kuptuar, as të më dëgjojnë e ndjekin në video e live për tu qartësuar e për të më njohur.


Pra, unë duhet të përkushtoj e humbas çdo ditë, 3 orë për njerëz, që lexojnë tektuk e përciptas, tu dalë kur tu dalë ndonjë status, e të dëgjojnë njëherë në Shën Llesh ndonjë video, e me aq u duket a mendojnë se më kuptuan e më njohën e më përkufizuan mua dhe sipas midesë së tyre një ditë kanë respekt për mua e të nesërmen më shajnë parë e mbrapë..


A mendoni vërtetë se kështu funksionon?


A mendoni vërtetë se disa të tillë më kuptojnë dhe më njohin e më përkufizojnë kaq kollaj me çfarë ju teket atyre, e as kanë respekt për mua si njeri?


Me gjithë dëshirën dhe vullnetin e mirë që unë kam, por ma thoni ju, si mund ti humbas unë 3 orë në ditë për njerëz që nuk pyesin fare për mua si njeri, për jetën time, për emocionet e ndjenjat e mia, për vendimet e strategjitë e mia, për identitetin dhe integritetin tim, por kanë hall që kur atyre u teket të lexojnë ndonjë status kur kanë kohë e nge ata, e të ndjekin e lexojnë madje ndonjë titull apo copëz video a live dhe ti japin lirinë e të drejtën vetes që kur u pëlqen çfarë lexojnë e dëgjojnë, të më komentojnë plot respekt e vlerësime, ama sapo u del ndonjë gjë që “i zhgënjen”, më dendin me sharje e fyerje e vulgaritet…????


Nuk ia dal dot ti humbas 3 orë me të tillë komentues e njerëz.


Ndaj, kush do sqarime me mua për të më njohur e kuptuar mua si Arian jo si “zë publik” por mua si Arian Galdini, bujrum, më bëni tel në 0684060131.


Më mirë humbas 24 me 1 njeri që e shoh në sy e përballë dhe arrij ta njoh e të më njohë, sesa të lodhem me njerëz që as më njohin, as i njoh, e as duan të më njohin edhe sikur unë të dua ti njoh.


Mos u nxitoni as të gjykoni, as të më respektoni e as të zhgënjeheni sipas midesë suaj ju lutem.


Jam i interesuar të komunikoj me njerëz që duan të më njohin.


Faleminderit e bekime pafund🇦🇱🫶

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page