top of page

Java e fundit si Kryetar. Java e parë e rritjes së re të Rinisjes…

ree

Nga Arian Galdini


Sot është 20 tetor. Një javë me dy horizonte, 24 tetori, kujtesa e ndezjes së parë, dhe 25 tetori, dëshmia e rritjes me drejtues të ri.


Kjo javë i rikthen mbrëmjet e marsit 2020 kur pyetja mori ritëm, fjala u bë dritë, shpresa u kthye në metodë.


Që prej asaj dite, LRE u ngjiz si Lëvizja e Re u shndërrua në komunitet moral politik e sot është transformuar në Rinisje, me gjuhë të kthjellët dhe prova të dukshme.


Tani mbyllet një kapitull me paqe dhe hapet një kapitull me besë.


Rruga jonë u farkëtua në portin e durimit.


Anija e Rinisjes qëndroi në dok jo si pezullim, por si shkollë e karakterit, virtyteve dhe pjekurisë e instrumenteve.


Doku i dha thelb prindërimit politik, si vendimi që mban barrën e së nesërmes me vetëdijësimin si prind, jo gjestin që kërkon duartrokitje si spektator.


E kështu në këtë shkollë u kristalizuan tri parime që tani hyjnë në fazën e lundrimit.


Parimi i Thelbit, politika si prindërim.


Çdo vendim, qëndrim, fjalë, ligjërim e parim kalon përmes testit të fëmijëve tanë, kur pyesim veten natyrshëm, a rrit dinjitet, a shton aftësi, a e ul ankthin?


Pesë vite në dok i dhanë kësaj lëvizjeje shtyllë kurrizore.


Qëndresa doli nga retorika dhe u bë rit i përditshëm, një dritë e vogël që rri ndezur, një fjalë e peshuar që kalon censurën e heshtjes, një mësim i marrë nga dhimbja dhe i kthyer në detyrë.


Prej mbrëmjeve të marsit 2020, kur “Këndi i Shpresës” mblodhi mijëra shikime e njerëz që na ndiqnin pranë një telefoni të vetëm nëpërmjet vetëm një faqeje Facebooku, e deri te nata e freskët e 24 tetorit 2020, kur u shpalos emri i LRE dhe besëlidhja, rruga u ndërtua gur më gur.


Sallat e thjeshta, rubrikat e përditshme, vullnetarët që sillnin zemrat dhe mendjet e tyre, takimet me njerëz të heshtur e të bindur se fjala e drejtë ka peshë, të gjitha u bënë arkitektura e parë e Lëvizjes së Re deri dje, dhe Rinisjes sot.


Sfiduam politikën e vjetër dhe të re në zgjedhjet e 25 prillit 2021, kur vetëm me një celular dhe një faqe Facebook, me zero financime, zero donacione, zero sponsorizime, zero projekte, zero lekë, zero kompromise nën apo mbi tavolinë, me zero ujdi a pakte, pa plan mediatik, me zero media, madje nën mohim total e të dënuar me harresë nga "paritë politike, oligarkike, mediatike", të vendit, ne mblodhëm 6432 firma mbështetëse nga qytetarët, bëmë një ekip konkurues me 153 kandidatë për deputetë, bëmë një fushatë elektorale të plotë në çdo qark, qytet, lagje e fshat të Shqipërisë, dhe morëm 3700 vota.


Në 21 gusht 2021, organizuam Marshimin e Dinjitetit, ku mbi 400 qytetar dolën së bashku me ne për të dëshmuar nga Sheshi Skënderbej nëpër Bulevardin Dëshmorët e Kombit, tek Sheshi Nënë Tereza e deri tek sheshi para Kryeministrisë.

Në 6 mars 2022 morëm pjesë në zgjedhjet e pjesëshme në Dibër, e në 26 mars 2022 organizuam Asamblenë tonë të parë Kombëtare.


Në 21 qershor 2022 organizuam edhe Kuvendin tonë të parë Programatik.


Pastaj erdhi 17 qershori 2023, kur Kuvendi i parë i LRE vërtetoi se komuniteti moral mund të marrë formë institucionale pa humbur frymën.


Kaluam shumë ditë të mira e të këqija, lëndime dhe gëzime e gjithçka na farkëtoi si bashkësi.


Dhe së fundi 19 shtatori 2025, kur dorëzimi i timonit u kthye në praktikë të një parimi, kur misioni qëndron përtej titujve e emërtimeve.


LRE lindi si besëlidhja e të mirëve e të merituarve dhe sot është besëlidhja që tejkalon çdo emrër Kryetari.


Kjo histori është më shumë se kronikë.


Ajo përfaqëson mënyrën se si një zë i brendshëm u bë ndërgjegje publike dhe si ndërgjegjja, përmes durimit, prodhon rregull.


Për LRE, kohët e shtegut të vetmisë e të rezistencës në dok nuk ishin pritje e zbrazët.


Ishin universitet i kthjellësisë vlerore, trup anijeje i lexuar vijë pas vije, pajime, parime, karaktere, aftësi, zotësi, të provuara e sprovuara, hartë e ripunuar, ekuipazh që stërvitet pa kamera.


Aty u poqën tri ligje të brendshme, prindërimi si etikë vendimmarrjeje, masa si art i punës së mirë, vazhdueshmëria si ritëm i shërbimit.


Këto nuk lindën nga manuale të huaja.


Rrodhën nga përvoja me njerëzit, nga sytë e prindërve që duan ti rrisin fëmijët këtu, nga duart e mjeshtërve e zantaçinjve dhe profesionistëve të lirë që kërkojnë të jetojnë me dinjitet nga puna, nga kërkesa e qetë e qytetarit që kërkon respekt në sportel, jo spektakël në ekran.


Pikërisht këtu nis kalimi i butë nga narrativa e qëndresës tek vizioni programatik.


Qëllimi nuk është të shënojmë një listë, është të japim frymë, peshë dhe masë.


E para është Shkolla e Prindërimit Publik, një cikël i përhershëm formimi për çdo drejtues, ligjvënës, administrator.


Nuk është seminar etikete, është një alfabet i vendimmarrjes ku çdo ligj, rregull, kontratë, lihet nën dritën e pyetjes së thjeshtë e themelore, si prek fëmijën në bankën e shkollës, prindin në radhë, të sëmurin në shtrat, artizanin në punishte, sipërmarrësin në risk?


Pa këtë dimension, teknika rrëshqet drejt ritualit, procedura zbehet vetvetishëm, gjuha humb fytyrën njerëzore.


E dyta është Ekonomia e Punëve të Mira 2.0.


Nuk flasim për skema të mëdha pa emra, por për zinxhirë të gjallë vlerash, agroushqim që lidhet me përpunimin dhe me tregun nëpërmjet laboratorëve të standardit, turizëm me identitet që nuk shet peizazhe, por rrëfenje dhe mjeshtëri, industri krijuese që e kthen kulturën në kapital të matshëm, teknologji që i jep krah punëtorit, e jo ia pret.


Në çdo qark, Korridore Vlere që bashkojnë prodhuesin, përpunuesin, logjistikën e tregun me tregues të qartë kohe dhe cilësie.


Paga e dinjitetit bëhet busull fiskale, çdo lehtësim lidhet me kontratë të bardhë, me trajnim real, me produktivitet të provuar.


Fondi i Besës dhe Punës fton diasporën jo të dërgojë keqardhje, por të investojë dashuri me ROI - Return on Investment - Kthimi mbi Investimin të dyfishtë, dividend etik për zemrën dhe ekonomik për vendin.


Kjo është masa, as romantizëm që i shmanget numrit, as teknokraci që harron njeriun, është ekonomi që e quan punën nder dhe e vendos dinjitetin si njësi matëse.


E treta është Vazhdueshmëria, shërbimi publik me ritëm, jo me shpërthime.


Atlasi i Meritës Publike, dymbëdhjetë tregues të njëjtë për të gjithë, mat kohën, cilësinë, ndershmërinë në çdo zyrë.


Çdo bashki mban Regjistrin e Shërbimit të Hapur, ku qytetari sheh afatin, standardin, koston, dhe mund të krahasojë.


Fleta e Dialogut të Buxhetit u jep banorëve të drejtën të vendosin për një pjesë të buxhetit (të paktën pesë për qind), projektet nuk ngrihen për fotografi, por nga pjekuria e komunitetit.


Kështu, besimi pushon së qenuri kërkesë dhe bëhet pasojë, nuk kërkohet me fjalë, fitohet me prova, qeverisja nuk shpjegohet me spote, dëshmohet me të dhëna, përgjegjësia nuk imitohet, matet.


Nëse këto tingëllojnë si vizion, është sepse vijnë nga një histori që e ka futur veten në rregull.


Pesë vite kanë pasur stinët e tyre, entuziazmin e ndezjes në tetor, heshtjen e qëllimshme të ekraneve, lodhjen e punës së padukshme, gëzimin e Kuvendit të parë, paqen e dorëzimit të timonit.


LRE e njohu vetveten në dritë dhe në terr.


E provuan njerëzit që qëndruan pranë edhe kur nuk premtuam asgjë përveç një fjale, do ta bëjmë pak më mirë çdo ditë.


Kjo është arsyeja pse programi s’ka nevojë për kripë të tepërt, vjen i rritur nga brenda.


Në kapitullin e ri, 25 tetori, ora 18:30, sjell një kapiten të ri, por kursi mbetet i njëjtë, prindërim që edukon vendimmarrjen, masë që fisnikëron punën, vazhdimësi që mban shërbimin.


Përtej termave dhe instrumenteve, kjo është një ftesë për mënyrën si e duam Shqipërinë, si shtëpi me shumë dhoma ku secila është në rregull, familja me gjuhë të bukur, shkolla me mendim kritik, ekonomia me punë të mira, drejtësia me peshë të barabartë, diplomacia me dinjitet.


Kjo është Rinisja, jo një shpërthim i çastit, por një marshim i qetë dhe i gjatë.


Dhe ashtu si në dok, ku çdo vijë e trupit të anijes kontrollohej me kujdes, edhe në lundrim horizonti nuk na shet iluzione, Dinjiteti bëhet normë, Puna bëhet krenari, Besimi bëhet kapital.


Kjo është historia që kemi jetuar, ky është programi që meriton të bëhet ligj i zemrës dhe i shtetit.


Kjo është doktrina e fazës së dytë të Rinisjes, prindërim i mendjes, punë me dinjitet, shtet që matet.


Neoshqiptarizmi i jep frymë, rrënjë të forta në gjuhë, besë, familje, degë të hapura në dije, treg, diplomaci.


Shqiptarizmi bëhet arkitekturë praktike, bibliotekë si infrastrukturë, muze si laborator i kujtesës, gjuhë e pastër si standard i komunikimit publik.


Kultura shndërrohet në kapital të matshëm, arti dhe zanati hyjnë në zinxhirët e vlerës, historia kthehet në busull që orienton, jo në rrëfenjë që mpin.


Rinisja ka edhe matematikën e saj morale, një grup i vogël me standarde të forta prodhon efekt shumëzues.


Ideja e drejtë lind model, modeli tërheq besim, besimi hap bashkëpunime.


Kështu një anije bëhet flotilë, më pas flotë.


25 tetori, ora 18:30, shënon kalimin e timonit te Kryetari i Ri.


Kjo nuk është fotografi protokolli, është gjeometri e lirisë, misioni qëndron mbi karrige, besëlidhja qëndron mbi emra.


LRE vërteton se demokracia e brendshme nuk është parullë, është praktikë që ngjiz vazhdimësi.


Shikoj prapa pa nostalgji dhe para pa iluzione.


Pesë vite në dok prodhuan arsenal standardesh.


Tani velat marrin erë.


Kontrata e Qytetarisë së Re fiksuar në këtë javë finale hyn si ligj i brendshëm i lëvizjes, fjalë me provë, ritëm me matje, shërbesë me dinjitet.


Politika e së djathtës humane ngjitet prej fjalës së thjeshtë “kujdes” drejt metodës së plotë, kujdes që planifikon, kujdes që financon, kujdes që mat.


Për Shqipërinë dhe shqiptarizmin, kjo do të thotë besë e kthyer në sistem.


Nuk mjafton fjalori i madh, duhet liturgjia e përditshme e respektit, në bankë për fëmijët, në punë për të rriturit, në spital për të brishtët, në gjykatë për të pambrojturit.


Në këtë liturgji të jetës civile, prindërimi bëhet institucioni që i përket të gjithëve, jo vetëm familjes, shkolla mëson logjikë, jo thjesht leksione, administrata kursen kohë, jo dinjitet, drejtësia jep arsye, jo shfaqje.


Unë jap stafetën me paqe.


Qëndroj në themel si kujtesë e Rinisjes dhe si shërbestar i së djathtës humane.


Ekuipazhi është gati, harta e qartë, drita e portit ndezur.


24 tetori nderon lindjen, 25 tetori kurorëzon pjekurinë.


Përpara kemi dekadën e Dinjitetit, Punës dhe Besimit.


Shqipëria Perëndimore merr formë kur fjala peshon nga prova, kur ligji mban peshë të barabarta, kur kultura kthehet në kapital, kur prindërimi politik bëhet metodë e shërbimit.


Anija e Rinisjes del nga doku i durimit.


Deti na pret me stuhi e dritë.


Ritmi ynë i brendshëm e njeh tashmë dallgën, qetësi në ton, saktësi në fjalë, vijimësi në veprim.


Dhe atëherë, kur qytetari ta shohë lundrimin me standard, do ta dijë se pesë vitet e pritjes ishin përgatitja më e mirë për një udhë të gjatë e të bukur.

Rrugës së dritës i mjafton një drejtim, Rinisja.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page