Ka një urtësi që s’mësohet në libra dhe as në konferenca
- Arian Galdini

- Oct 7
- 1 min read

Ka një urtësi që s’mësohet në libra dhe as në konferenca. Vjen vetëm kur njeriu nis të ecë me Zotin, jo për ta shpjeguar botën, por për të qëndruar i vërtetë në të.
Jeta ka qindra shtigje që premtojnë lavdi, sukses, famë.
Por vetëm njëra të çon në paqe.
Është ajo që nuk të fton të jesh më i dukshmi, por më i kthjellëti.
Më i ndërgjegjshmi.
Më i pranishmi në atë që je, jo në atë që duhet të dukesh.
Kur ia dorëzon jetën Zotit, ajo nuk bëhet më e lehtë, por bëhet e ndritur.
Sepse nuk jeton më për të fituar, por për të dëshmuar.
Nuk e mat më vlerën e vetes me fitimet, por me qëndrimin.
Me ç’të mbeti kur gjithçka tjetër ra.
Me çfarë ruajte nga vetja, kur të gjithë kërkonin që të hiqje dorë.
E gjitha është një udhëtim, jo drejt kulmeve të botës, por drejt heshtjes së brendshme ku Zoti flet pa fjalë.
E aty, njeriu kupton se jeta më e vyer nuk është ajo që bie në sy, por ajo që bëhet për Të.
Me mirësi, me dritë, me drejtësi, edhe kur askush nuk sheh.
.png)










Comments