top of page

Kali që hyn me duartrokitje!




Nga Arian Galdini


Një qytetar që del në shesh për një padrejtësi reale meriton respekt.


Pikërisht për këtë arsye protesta meriton dyshim.


Jo dyshim për ta fyer qytetarin.


Dyshim për ta mbrojtur nga ata që mund t’i afrohen zemërimit të tij vetëm pasi ai zemërim është bërë i dobishëm.


Zvërneci nuk është shpikje.


Prona, mjedisi, forca private, lejet, investitorët strategjikë, mungesa e transparencës dhe sjellja e shtetit janë çështje reale.


Një vend që preket përpara se të sqarohet, një banor që sheh rrethimin përpara përgjigjes, një qytetar që kërkon të dijë çfarë po ndodh me tokën, me natyrën dhe me ligjin, nuk duhet trajtuar si pengesë.


Këtu ka plagë.


Dhe plaga kërkon të vërtetë.


Por plaga reale nuk mjafton për ta shenjtëruar çdo dorë që afrohet mbi të.


Dyshimi im nuk është se protesta u shpik e tëra nga një zyrë.


Kjo do të ishte shumë e varfër për një vend kaq të ndërlikuar.


Dyshimi im është më i ftohtë, një plagë e vërtetë mund të ketë ndezur qytetarë të sinqertë, banorë, ambientalistë dhe aktorë politikë që kërkonin hapësirë, pastaj, kur u pa se vala mund të rritej, aparatet e vjetra hynë secili nga ana e vet për të mos ia lënë qytetarit pronësinë e zemërimit.


Ky është rreziku shqiptar.


Ngjarja nuk ka nevojë të jetë e shpikur që të kapet.


Shpresa nuk ka nevojë të jetë e rreme që të përdoret.


Një shesh nuk ka nevojë të jetë i shitur që t’i afrohen blerësit e vjetër të çdo shprese publike.


Aty fillon hipoteza ime.


Partitë dhe figurat që quhen të reja mund të kenë parë te kjo plagë një rast për t’u dukur si përfaqësim.


Secila me gjuhën, oreksin, llogarinë dhe ambicien e vet.


Nuk kam arsye t’i vesh me pafajësi.


Nuk u besoj pronarëve të rinj vetëm pse flasin kundër pronarëve të vjetër.


Jo çdo fytyrë që nuk është Rama është shpresë.


Jo çdo zë që nuk është Berisha është e ardhme.


Jo çdo parti që del jashtë duopolit është lindje e lirë.


Disa mund të jenë thjesht rrugë të reja për të hyrë në të njëjtën shtëpi të vjetër.


Megjithatë, edhe ata rrezikojnë të zvogëlohen brenda valës që prekën.


Një protestë e vogël i jep pamje nismëtarit. Një protestë e zmadhuar nga media, rrjete, aparate, diaspora, figura publike, radikalë, oportunistë dhe politikanë të stërvitur në përdorimin e çdo pakënaqësie, mund ta kthejë nismëtarin në një zë të vogël mes zhurmës.


Kjo është tragjedia e së resë së papjekur, hyn për të marrë formë, pastaj gëlltitet nga masa që nuk e kontrollon më.


Kali i Trojës nuk është qytetari që del me sinqeritet.


Kali mund të jetë ajo që hyn brenda protestës me pamjen e ndihmës.


Një mikrofon më shumë.


Një fytyrë më shumë.


Një parti që afrohet pa marrë përgjegjësi.


Një rrjet që shtyn valën dhe fsheh dorën.


Kaq mjafton që ndihma të kthehet në pronësi.


Prandaj këshilla ime për ata që protestojnë sinqerisht është e thjeshtë, mos u dehni nga rritja.


Rritja nuk është gjithmonë fitore.


Ndonjëherë është çasti kur vijnë ata që dinë ta marrin në pronësi atë që nuk e lindën.


Ndonjëherë numri i madh nuk tregon forcë, por hyrjen e shumë interesave në të njëjtin vend.


Ndonjëherë sheshi rritet pikërisht në çastin kur qytetari fillon ta humbasë kontrollin mbi të.


Pyetja më e rëndë nuk është sa njerëz dolën.


Pyetja është kush do të flasë nesër në emër të tyre.


Nëse protesta mbetet te kërkesa për të vërtetën, ajo mund të bëhet forcë Republike.


Nëse zgjeron gjithçka në gjithçka, nëse çdo zë kërkon t’i japë drejtim, nëse çdo mikrofon shpall një fund tjetër, nëse çdo grup e tërheq nga një anë, atëherë pushteti fiton atë që kërkon, jo heshtjen e plotë, por zhurmën pa qendër.


Një pushtet i gjatë nuk trembet gjithmonë nga zhurma.


Shpesh e përdor atë.


E paraqet veten si rend përballë rrëmujës.


Si shtet përballë aventurës.


Si stabilitet përballë një skene ku askush nuk di kush përfaqëson kë.


Kështu kundërshtimi që duhej ta dobësonte nis t’i ndërtojë strehë.


Këtu hyjnë Rama dhe Berisha, jo si dy kundërshtarë të zakonshëm, por si dy roje të vjetër të së njëjtës portë politike.


Rama mund të dalë nga kjo protestë duke thënë, u bashkuan të gjithë, të rinj, të vjetër, radikalë, të lodhur, të zhgënjyer, media, diaspora, mikrofonë e parti, dhe prapë vetëm unë mbaj shtetin nga kaosi.


Brenda partisë së vet, kjo e forcon.


Para ndërkombëtarëve, kjo e ndihmon të shitet jo më vetëm si njeriu që mund Berishën, por si njeriu që administron edhe zjarrin e së resë.


Berisha fiton alibinë e vetë.


Ai që premtoi kilometra fundorë, përballje të mëdha dhe revolucione paqësore që nuk i prodhoi dot vetë, mund të strehohet te kjo valë.


Kur vala godet Ramën, e quan zemërim popullor.


Kur prek atë vetë, e quan të kapur.


Në të dyja rastet, mbijeton.


Mbi të gjitha, nëse pas kësaj vjen një Kod Zgjedhor që e ngushton edhe më shumë hyrjen politike, atëherë kuptohet se çfarë mund të ketë qenë fitimi më i madh i së vjetrës.


Një Kod që mbyll fushën nuk paraqitet kurrë si frikë nga konkurrenca.


Paraqitet si nevojë për rend, si mbrojtje nga rrëmuja, si higjienë institucionale.


Pikërisht aty duhet pasur frikë.


Nuk thotë, duam të ndalim lindjen politike të qytetarit.


Thotë, duam stabilitet, duam seriozitet, duam të shmangim sharlatanët, financimet e errëta, mikrofonët pa përgjegjësi, aventurat e rrugës, partitë që nuk dinë të mbajnë as sheshin e vetë.


Atëherë protesta që nisi për të hapur një të vërtetë mund të përdoret për të mbyllur një portë.


Kjo është frika ime.


Jo se qytetarët e sinqertë janë gabim.


Por se sinqeriteti i tyre mund të bëhet lëndë e parë për një marrëveshje të re të së vjetrës.


Protesta mund t’i zvogëlojë partitë e quajtura të reja duke i futur në një turmë që nuk e kontrollojnë.


Mund të shfryjë zemërimin pa e kthyer në organizim.


Mund të prodhojë lodhje pas euforisë.


Mund t’i japë Berishës alibi për dështimin e revoltës së vet.


Mund ta forcojë Ramën si administrator krize.


Mund t’u tregojë ndërkombëtarëve se jashtë tij nuk vjen domosdoshmërisht alternativë, por një mozaik i padisiplinuar zërash.


Mund të krijojë klimën ku Kodi i mbylljes shitet si Kodi i rendit.


Kjo nuk është akuzë.


Është paralajmërim.


Do të doja të ishte i gabuar.


Por një vend që e ka parë shpesh qytetarin të dalë me shpresë dhe të kthehet me një marrëveshje që nuk e ka shkruar ai, nuk ka luksin ta përqeshë dyshimin.


Këshilla ime për ata që protestojnë sinqerisht është kjo, mos ia dorëzoni askujt emrin tuaj pa të vërtetën në dorë.


Mos e lini dosjen të zëvendësohet nga mikrofoni.


Mos pranoni fitore që vetëm i japin pushtetit kohë.


Mos lejoni që kërkesa për një vend të drejtë të përdoret për një Kod Zgjedhor që ua mbyll nesër vendin politik të gjithëve jashtë duopolit.


Mos lejoni që e reja të dalë nga sheshi më e vogël se sa hyri.


Nëse kjo protestë hap të vërtetën, ajo mund të bëhet fitore qytetare.


Nëse hap vetëm tryezën e të vjetrëve, mund të bëhet Kali i Trojës që hyn në shesh me duartrokitje.


Dhe atëherë qytetari do të ketë dalë për të hapur një portë, por do të kthehet në shtëpi pasi porta të jetë në duart e të njëjtëve rojtarë.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page