top of page

Porta pas sheshit!



Nga Arian Galdini


Një protestë nuk humbet vetëm kur e shpërndan policia.


Ndonjëherë humbet më vonë, në një dhomë të qetë, kur zhurma ka rënë, pankartat janë palosur, fytyrat janë kthyer në shtëpi dhe ata që e panë qytetarin në rrugë ulen të shkruajnë rregullat e së nesërmes pa të.


Aty vendoset shpesh fati i vërtetë i një sheshi.


Jo në orën e thirrjes, por në orën e përkthimit.


Jo kur qytetari shfaqet, por kur pushteti vendos çfarë do të bëjë me atë shfaqje.


Kjo është frika ime sot.


Jo frikë nga qytetari që del.


Jo frikë nga plaga që e nxjerr në rrugë.


Frikë nga ajo që mund të ndodhë pas protestës, kur një zemërim i ligjshëm, në vend që të hapë një derë, përdoret si provë për ta mbyllur atë edhe më fort.


Në çdo sistem ku hyrja politike ruhet nga të njëjtët njerëz, qytetari nuk gjykohet vetëm nga arsyeja që e nxori në shesh.


Gjykohet edhe nga rregulli që shkruhet pasi sheshi boshatiset.


Aty matet nëse protesta ishte fillim përfaqësimi, apo vetëm pamje e lejuar e një zemërimi që më vonë do të përdoret kundër vetes.


Zvërneci nuk është fantazi.


Prona, mjedisi, lejet, forca private, investitorët strategjikë, mungesa e transparencës dhe sjellja e shtetit janë çështje reale.


Një vend që preket përpara se të sqarohet nuk është vend i trajtuar me dinjitet.


Një banor që sheh rrethimin para përgjigjes nuk është pengesë.


Një qytetar që kërkon të dijë çfarë po ndodh me tokën, me natyrën dhe me ligjin, nuk është armik i zhvillimit.


Këtu ka plagë.


Dhe plaga kërkon të vërtetë.


Pikërisht sepse plaga është e vërtetë, ajo kërkon kujdes më të madh ndaj atyre që i afrohen.


Një plagë publike nuk tërheq vetëm ata që duan shërim.


Tërheq edhe ata që dinë ta kthejnë shërimin në emër, emrin në skenë dhe skenën në pronësi.


Dyshimi im nuk është se protesta u shpik e tëra nga një zyrë.


Kjo do të ishte një shpjegim i varfër për një vend kaq të ndërlikuar.


Dyshimi im është më i ftohtë dhe më i rëndë, një plagë e vërtetë mund të nxjerrë në rrugë qytetarë të sinqertë, banorë, aktivistë, ambientalistë dhe aktorë politikë të uritur për hapësirë, pastaj, sapo shihet se vala mund të rritet, aparatet e vjetra hyjnë secili nga ana e vet, jo domosdoshmërisht për ta krijuar, por për të mos ia lënë qytetarit pronësinë e zemërimit të vet.


Ky është mekanizmi që duhet parë.


Një ngjarje nuk ka nevojë të jetë e rreme që të kapet.


Një shpresë nuk ka nevojë të jetë e shitur që të blihet.


Një shesh nuk ka nevojë të jetë i komanduar që t’i afrohen komanduesit e vjetër të çdo pakënaqësie publike.


Në politikën shqiptare, kapja nuk nis gjithmonë në lindje.


Shpesh pret rritjen.


Aty ku plaga bëhet pamje, pamja bëhet valë, vala bëhet skenë, dhe skena fillon t’u duket shumë vetave si vend ku mund të hyjnë pa paguar koston e lindjes.


Këtu duhet bërë dallimi që mungon thuajse gjithmonë.


Sheshi është vendi ku qytetari shfaqet.


Kodi është vendi ku pushteti vendos nëse ai qytetar do të lejohet të kthehet si përfaqësim.


Kjo është fjalia e fshehur e gjithë krizës sonë.


Ne kemi parë shpesh qytetarin të shfaqet.


E kemi parë të zemërohet, të dalë, të mbushet me frymë, të mendojë për një çast se nuk është më i vetëm.


Por më rrallë e kemi parë atë të kthehet si fuqi e pranuar e rendit politik.


Më rrallë e kemi parë që dalja e tij të bëhet hyrje.


Më rrallë e kemi parë që prania e tij në shesh të njihet si e drejtë për të hyrë në garë pa leje nga rojtarët e vjetër.


Aty fillon porta.


Pas çdo proteste vjen një prag.


Aty nuk vendoset më kush bërtiti më fort, kush mori më shumë duartrokitje, kush u duk më i zoti para kamerës.


Aty vendoset kush lejohet të hyjë nesër.


Aty sheshi gjykohet nga rregulli.


Aty pushteti merr pamjen e protestës dhe vendos nëse do ta trajtojë si argument për hapje, apo si provë për mbyllje.


Aty energjia e qytetarit rrezikon të kthehet në dëshmi kundër vetë të drejtës së tij për të lindur politikisht.


Një njeri kthehet nga sheshi me zërin e ngjirur dhe me ndjesinë se më në fund kishte qenë i pranishëm në vendin e vet.


Ka ecur, ka brohoritur, ka mbajtur në trup lodhjen e ditës dhe shpresën se prania e tij kishte peshë.


Disa javë më vonë sheh se në emër të rendit, të seriozitetit, të stabilitetit, po formulohet një rregull i ri, një filtër i ri, një prag i ri, një fjalor i ri që i shpjegon se politika duhet mbrojtur nga rrëmuja.


Atëherë ai kupton të vërtetën më të hidhur.


Nuk ishte ndaluar të dilte.


Ishte lejuar të dukej.


Ai nuk ishte ftuar të hynte në politikë.


Ishte lejuar të kalonte para saj si pamje.


Dhe dallimi midis dukjes dhe hyrjes është vendi ku vdes qytetaria.


Kjo nuk është vetëm histori e një proteste.


Kjo është historia e një republike që rrezikon të prodhojë vazhdimisht qytetarë që shfaqen pa u pranuar kurrë si burim i ligjshëm përfaqësimi.


Çdo pushtet i mbyllur ka një art të vjetër, nuk e ndalon gjithmonë qytetarin të shfaqet, mjafton ta pengojë të kthehet në rregull.


Sistemet e vjetra nuk e mundin gjithmonë të renë duke e ndaluar.


Ndonjëherë e lënë të dalë, të rritet, të përzihet, të humbasë qendrën, dhe pastaj e përdorin pamjen e saj si provë se porta duhet ruajtur nga po ata roje.


Kjo është forma më elegante e mbylljes.


Jo bastun në shesh, por buzëqeshje në tryezë.


Jo ndalim i drejtpërdrejtë, por rregull i justifikuar.


Jo dhunë me emrin e dhunës, por mbyllje me emrin e kurës.


Dhe pastaj vjen Kodi.


Ai mund të vijë me gjuhë të pastër, përgjegjësi, rend, seriozitet, stabilitet, përfaqësim të matur, higjienë institucionale.


Pikërisht aty duhet pasur frikë.


Porta nuk mbyllet gjithmonë me emrin e mbylljes.


Shpesh mbyllet me emrin e rregullit.


Në një demokraci të shëndetshme, rregulli hap garën, disiplinon lojën dhe i jep qytetarit rrugë të ndershme hyrjeje.


Në një sistem të kapur, i njëjti rregull mund të përdoret për të shpjeguar pse gara duhet të mbetet në duart e atyre që e kanë fituar gjithmonë para se të nisë.


Aty rendi nuk është më shërim.


Bëhet dry.


Këtu hyjnë Rama dhe Berisha jo thjesht si dy kundërshtarë të zakonshëm, por si dy roje të vjetra të së njëjtës hyrje.


Ata nuk ruajnë të njëjtin pushtet, ruajnë të njëjtën derë, që qytetari të mos bëhet përfaqësim pa kaluar nga duart e tyre.


Në çdo vend të kapur ka dy roje të ngjashëm në funksion, edhe kur janë armiq në skenë, ai që ruan pushtetin dhe ai që ruan opozitën e lejuar.


Njëri trembet nga humbja e qeverisë.


Tjetri trembet nga humbja e monopolit mbi kundërshtimin.


Të dy takohen te e njëjta frikë, qytetari të mos lindë politikisht pa bekimin e tyre.


Rama ka interes që jashtë tij të duket rrëmujë.


Sa më e paqartë të jetë pamja e së resë, aq më e lehtë bëhet për të të shitet si administratori i vetëm i rendit.


Berisha ka interes që zemërimi kundër Ramës të mos lindë si alternativë jashtë derës së tij.


I duhet protesta kundër pushtetit, por jo lindja e një përfaqësimi që e tejkalon opozitën e vjetër.


Kjo është arsyeja pse problemi nuk është vetëm protesta.


Problemi është lindja politike.


Një popull nuk bëhet i lirë vetëm pse del në rrugë.


Bëhet më i lirë kur dalja e tij nuk shndërrohet më në dekor të marrëveshjes së të tjerëve.


Bëhet më i lirë kur shfaqja e tij në shesh nuk përdoret për t’i thënë nesër se nuk është ende gati për garë.


Bëhet më i lirë kur prania e tij nuk mbetet episod, por njihet si e drejtë për t’u kthyer në përfaqësim.


Një shoqëri nuk vdes vetëm kur nuk proteston.


Vdes edhe kur proteston, lodhet, zhgënjehet dhe sheh se rregullat e lojës janë mbyllur më fort në emër të rrëmujës që protesta nuk arriti ta kthente në rend qytetar.


Kjo vdekje është më e rëndë se apatia, sepse apatia lë ende të hapur mundësinë e zgjimit.


Shpresa e përdorur keq prodhon diçka më të errët.


Prodhon bindjen se edhe zgjimi nuk ndryshon gjë.


Se edhe kur del, të përdorin.


Se edhe kur flet, dikush tjetër e shkruan fundin.


Se edhe kur troket, porta mbetet e rojtarëve të vjetër.


Kjo është arsyeja pse fati i vërtetë i protestës nuk matet vetëm nga madhësia e saj.


Matet nga ajo që ndodh me portën pas saj.


Nëse pas sheshit vjen një e vërtetë më e hapur, një përgjegjësi më e ndershme, një hyrje më e drejtë për qytetarin, atëherë protesta ka fituar diçka që e tejkalon ditën e vet.


Nëse pas sheshit vjen një gjuhë e bukur e rendit që mban të njëjtat duar mbi hyrjen, atëherë protesta nuk ka hapur rrugë.


Ka ndihmuar sistemin të përmirësojë teknikën e mbylljes.


Ata që protestojnë sinqerisht duhet të ruajnë tri gjëra, të vërtetën nga miti, mikrofonin nga pronësimi dhe fundin nga marrëveshja që shkruhet pa ta.


Sepse rreziku nuk është vetëm përdorimi në çastin e nxehtë.


Rreziku më i madh vjen më vonë, në qetësinë ku fjalët stabilitet, seriozitet dhe higjienë institucionale mund të kthehen në emrat e bukur të të njëjtit dry.


Një shesh që nuk bëhet hyrje, bëhet arkivë e pushtetit.


Ruhet si provë se qytetari mund të bërtasë, por nuk di të hyjë.


Sepse një protestë mund të hapë një plagë.


Vetëm një rend i drejtë e kthen plagën në të ardhme.


Nëse kjo valë prodhon më shumë të vërtetë, më shumë qartësi, më shumë të drejtë për hyrje politike, atëherë ka qenë fitore qytetare.


Nëse nën zhurmën e efektet e saj prodhohet një Kod Elektoral që e ngushton garën në emër të rendit, atëherë sheshi nuk ka hapur derë.


Ka ndihmuar rojtarët e vjetër të ndërrojnë drynin, këtë herë me duartrokitjet e atyre që dolën për ta hapur.


Arian Galdini

 
 
 

Comments

Rated 0 out of 5 stars.
No ratings yet

Add a rating
bottom of page