Para se ta quajmë epokë!
- Arian Galdini

- 3 hours ago
- 5 min read

Nga Arian Galdini
Një shoqëri nuk bëhet e re vetëm sepse mbush një shesh.
Mund të jetë zgjuar.
Mund të ketë gjetur një zë që i mungonte.
Mund të ketë ndjerë, pas shumë vitesh lodhjeje, se nuk është më e dënuar të jetojë me kokën ulur, me zemrën jashtë vendit dhe me trupin brenda një shteti që nuk e dëgjon.
Kjo nuk duhet përqeshur.
Qytetari që del në rrugë për një plagë reale meriton respekt.
Shoqëria që e ndjen poshtërimin dhe nuk pranon më ta gëlltisë në heshtje ka prekur diçka të rëndësishme brenda vetes.
Vendi ku njerëzit nisin të shohin njëri-tjetrin jo si njerëz të trembur e të ndarë, por si prani të përbashkët, ka hyrë në një çast që nuk mund të kalohet si gjë e ditës.
Por një çast nuk është ende epokë.
Një shesh nuk është ende qytet politik.
Këtu duhet të fillojë maturia, jo për ta ftohur shpresën, por për ta shpëtuar nga emrat që e djegin përpara provës.
Shpresa dëmtohet edhe nga përbuzja. Dëmtohet edhe nga kurorëzimi i nxituar.
Një popull mund të ngrihet për një natë dhe prapë të mos ketë fituar ende formën e vet.
Mund të ndihet më i gjallë dhe prapë të mbetet i pambrojtur.
Mund të dalë nga frika dhe prapë të hyjë në pronësinë e dikujt tjetër.
Prandaj pyetja nuk është vetëm nëse shoqëria u zgjua.
Pyetja është çfarë do të bëjë me zgjimin e vet.
Zgjimi është kur njeriu ngrihet. Rilindja është kur ai nuk mund të përdoret më.
Ajo nis vetëm kur dalja nga frika kthehet në rend që nuk e dorëzon qytetarin te pushteti, miti, mikrofoni apo tryeza që pret ta përkthejë zemërimin në marrëveshje.
Një flamingo mund të bëhet shenjë e bukur e një plage.
Por shenja nuk e mbron vetë lagunën.
Pas shenjës duhet të vijë kufiri, harta, ligji, kontrolli dhe përgjegjësia.
Përndryshe, shpendi mbetet vetëm fotografia e bukur e një humbjeje të pambrojtur.
Natyra nuk shpëtohet nga lavdia e emrit.
Shpëtohet nga rendi që e ndalon dorën e padrejtë të afrohet.
Shpëtohet nga shteti që nuk përkulet.
Shpëtohet nga qytetari që nuk mjaftohet me simbolin kur kërkohet prova.
Kjo vlen edhe për shoqërinë.
Një popull mund ta bëjë veten simbol të bukur për disa ditë.
Mund të ketë pamje, këngë, pankarta, lot, zëra, fytyra të reja, fjali të mëdha, ndjesinë e rrallë se më në fund po ndodh diçka.
Por shoqëria e re nuk lind nga bukuria e pamjes.
Lind nga aftësia për të mos e lënë pamjen të bëhet pronë e atyre që dinë ta administrojnë më shpejt se qytetari që e krijoi.
Çdo “ne” i sapolindur është i rrezikuar.
Në çastin kur njerëzit fillojnë të ndihen bashkë, shfaqet gjithmonë dikush që kërkon t’i japë emër, armik, drejtim dhe mikrofon.
Nëse qytetari nuk ruan vigjilencën, ai që i jep formë “ne”-së bëhet pa zhurmë pronari i saj.
Kjo është arsyeja pse nuk mjafton të thuhet se shoqëria po rikthehet te vetja.
Duhet pyetur kush po e përfaqëson këtë kthim.
Nuk mjafton të thuhet se njerëzit po gjejnë njëri-tjetrin.
Duhet pyetur kush po e shkruan gjuhën e këtij takimi.
Nuk mjafton të thuhet se sheshi po bëhet qytet politik.
Duhet pyetur nëse qytetari po hyn vërtet në qytet, apo po shfaqet për pak në një skenë ku të tjerët do të marrin përsëri çelësat.
Një shoqëri mund të ketë dinjitetin e njeriut që thotë “jo” përballë urdhrit të padrejtë.
Por Republika nuk ndërtohet vetëm me “jo”.
Refuzimi është i domosdoshëm kur pushteti prek nderin, pronën, varrin, natyrën, të drejtën dhe kufirin moral të një vendi.
Por një vend nuk mund të jetojë përjetësisht në gjendje kundërshtimi.
Republika nis aty ku e drejta nuk ka më nevojë të dalë në rrugë për t’u dëgjuar.
Nis aty ku qytetari nuk kërkon vetëm të ndalojë padrejtësinë e radhës, por ndërton një rend ku padrejtësia nuk mund të kthehet kaq lehtë me emër tjetër.
Kjo është prova që sheshi duhet të kalojë.
Të thuash “jo” është fillim.
Të ndërtosh atë që nuk e lejon padrejtësinë të kthehet me fytyrë të re është fitore.
Shoqëria e re, nëse do të jetë vërtet e re, nuk duhet të kënaqet me provën se mund të mbushë rrugën.
Duhet të provojë se mund ta ruajë kuptimin e vetë pasi rruga të zbrazet.
Duhet të provojë se mund të kërkojë shtet të drejtë pa ia dorëzuar shtetin një kaste të re të paduruar.
Duhet të provojë se mund të mbrojë natyrën jo si poster, por si ligj, pronën jo si britmë, por si të drejtë të qartë, dinjitetin jo si varg të bukur, por si praktikë të përditshme, qytetarin jo si turmë, por si burim përfaqësimi.
Përndryshe, nuk kemi shoqëri të re.
Kemi entuziazëm të ri mbi plagë të vjetra, ikonë të re mbi tokë të pasqaruar, zë të ri në mikrofon, por jo domosdoshmërisht qytetar të ri në vendimmarrje.
Kjo është arsyeja pse duhet të ruhemi nga shpalljet e mëdha.
Ato janë të ëmbla në fillim, por mund të bëhen të rënda mbi trupin e një ngjarjeje që ende nuk ka fituar.
Kur një shesh quhet epokë përpara se të ketë prodhuar rend, ai rrezikon të mjaftohet me vetë emrin.
Kur një valë quhet rilindje përpara se të ketë mbrojtur fundin e vet, ajo bëhet e lehtë për t’u trashëguar nga ata që presin pas çdo vale.
Një epokë nuk shpallet.
Provohet.
Provohet kur dosja nuk mbytet nga miti, kur shpresa nuk kthehet në dekor, kur protesta nuk shitet si fitore e pjesshme që shpëton strukturën e vjetër, dhe kur qytetari nuk lejon që dhimbja e tij të bëhet certifikatë lindjeje për pushtetin e dikujt tjetër.
Provohet kur ajo që lindi në shesh mbetet e ndershme edhe në tryezë, edhe në ligj, edhe në kod, edhe në kujtesë, edhe në të nesërmen kur kamerat largohen.
Maturia nuk është armike e shpresës.
Është mënyra e vetme që shpresa të mos përfundojë në pronësi të dikujt tjetër.
Një shoqëri mund të thotë “u zgjuam” vetëm si fillim.
Po e tha si përfundim, e ka humbur provën.
Sepse zgjimi është dera e parë.
Pas tij vjen pyetja më e rëndë, kush e mban derën hapur?
Nëse pas daljes, qytetari mbetet më i lirë, më i qartë, më i mbrojtur, më i aftë të hyjë në vendimmarrje dhe më pak i varur nga pronarët e vjetër e të rinj të fjalës publike, atëherë kemi shenjë rilindjeje.
Nëse pas daljes, ai kthehet në shtëpi me një mit të madh dhe me të njëjtën portë të mbyllur, atëherë nuk kemi epokë.
Kemi vetëm një natë të bukur në historinë e gjatë të një populli që ende nuk e ka fituar të drejtën të mos përdoret nga ata që flasin në emër të tij.
Një shoqëri nuk rilind kur del një herë nga frika.
Rilind kur nuk kthehet më në pronë të askujt.
Arian Galdini
.png)



Comments